Shenjti i ditës: 27 shkurt – Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, rregulltar (1838 – 1862)
Written by Radio Maria on February 24, 2017
Shenjti i ditës: 27 shkurt – Shën Gabrieli i Zojës së Dhimbshme, rregulltar (1838 – 1862)
Për Gabrielin, ose siç quhej në gjendjen civile Françesk Posenti, ka qenë i mjaftueshëm një hark i shkurtër jetësor për të arritur kulmin e shenjtërisë. Nga ana e jashtme, nuk vërejmë asgjë të jashtëzakonshme në skedën e tij biografike.
U lind në Asizi, më 1 mars të vitit 1838. Por aty qëndroi pak kohë, sepse i ati, funksionar i shtetit papnor, u thirr të mbulonte detyra në qytete të ndryshme, para se të vendosej përfundimisht në Spoleto me familjen e tij. Françesku e kryen shkollën fillore te Vëllezërit e Shkollave të Krishtera dhe gjimnazin te Jezuitët. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, pasi kaloi një sëmundje të rëndë, vendos të bëhet rregulltar në Urdhrin e rreptë të Pasionistëve.
Noviciatin e kreu në Morovale, në fund të të cilit mori kushtet rregulltare dhe emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. Një zgjedhje që është e barabartë me një program jete: «Parajsa ime», lexohet në njërën prej letrave të tij, «janë vuajtjet e Nënës sime të dashur».
Do ta kishim kuptuar më mirë sekretin e shenjtërisë së tij, sikur drejtuesi shpirtëror të mos i ishte bindur kërkesës që ia kishte bërë Gabrieli në letër për grisjen e ditarit të tij gjatë sëmundjes që do ta çojë drejt vdekjes. Ai kishte frikë se mos binte në tundim që ta rilexonte e të gëzohej për hiret e veçanta që ia kishte dhuruar Zoja e Dhimbshme. Histori e bukur «e një shpirti» që i ka munguar meditimit tonë. Duhet të kënaqemi me ndonjë poezi të shkruar nga ai në vitet e liceut dhe dyzet letra në të cilat paraqitet gjithë dashuria e tij ndaj Virgjërës.
Pas kushteve rregulltare në Morovale, banoi një vit në kuvendin pasionist të Pietratorinës, para se të zhvendosej me klerikët në ishullin e Gran Sasos, në vitin 1859. Kjo është etapa e tij e fundit. Këtu vdiq nga një sëmundje e rëndë – eufemizmi ose më mirë të themi tuberkulozi – më 27 shkurt të vitit 1862. Një përsosmëri e arritur me gjërat e vogla të jetës së krishterë. Jeta rregulltare e ofron edhe këtë përparësi. Gabrieli u kanonizua në vitin 1920. Papa Piu XI e ka shpallur bashkëpajtor të Veprimit Katolik, ndërsa i lumi Papa Gjoni XXIII e shpalli pajtor të Abrucos.