Shenjti i ditës: 26 shkurt – Shën Aleksandri, ipeshkëv i Aleksandrisë (250 – 328)

Written by on February 24, 2017

Shenjti i ditës: 26 shkurt – Shën Aleksandri, ipeshkëv i Aleksandrisë (250 – 328)

 

            Shenjtërit me këtë emër të përhapur janë dyzet; mes këtyre është edhe patriku i Aleksandrisë së Egjiptit, përfaqësues i ortodoksisë, i cili meriton një vend nderi. Pasi u zgjodh në vitin 313 në selinë e rëndësishme patriarkale, iu desh të luftonte kundër herezisë së parë të rrezikshme kristologjike të propaganduar nga një meshtar i tij, Ariusi. Sipas këtij të fundit, Krishti ishte vetëm ndërmjetës mes Hyjit e botës dhe jo i njëgjëjtë me Atin. Aleksandri e qortoi me vendosmëri mbështetësin e këtyre tezave teologjike, duke i paraqitur në dy letra enciklike gabimet e Ariusit dhe fenë e vërtetë të krishterë. Por, Ariusi nuk hoqi dorë nga gabimi dhe ndërkohë u strehua te miku i vet Euzebi i Nikomedisë. Aty vazhdoi të përhapte teoritë e veta, duke u shërbyer edhe nga vepra poetike, të mbledhura me titullin Thalia.

            Patriku i shenjtë mblodhi një sinod ipeshkvijsh që i hodhi poshtë pohimet e Ariusit dhe i hapi rrugën një kundërshtimi të ndezur. Në këtë pikë ndërhyri perandori, i cili duke mos marrë vesh nga teologjia, nuk i dha të drejtë as Ariusit, as ipeshkvit të tij. Aleksandri kishte përkrah tij një bashkëpunëtor të kalibrit të diakonit Atanas, i cili doli në skenë me karakterin e tij të rrëmbyeshëm, aspak të përkulshëm e pajtues dhe e bëri Kostantinin të mblidhte një Koncil ekumenik, të parin në historinë kishtare. Ky koncil u mbajt në Nike, afër Bitinisë, në praninë e vetë perandorit dhe treqind ipeshkvijve. Mësimi i Ariusit u dënua përfundimisht. Kjo qe një fitore e vërtetë për patrikun Aleksandër kur u kthye në Aleksandri. Siç duket, populli i krishterë, në atë kohë, merrte pjesë në betejat teologjike me të njëjtin zell të përfaqësuesve të mëdhenj të ortodoksisë. Por, tashmë ditës së vështirë të patrikut po i afrohej fundi: vdekja e mori pesë muaj më pas. Lufta kundër herezisë ariane do të çohet përpara nga pasardhësi i tij, Atanasi.


Current track

Title

Artist