Shenjti i ditës: 25 shkurt – Shën Tarasiu, ipeshkëv (+ 806)
Written by Radio Maria on February 24, 2017
Shenjti i ditës: 25 shkurt – Shën Tarasiu, ipeshkëv (+ 806)
Sot është e vështirë ta kuptojmë se si perandori i Lindjes, Leoni III, në shekullin VIII, ka mundur t’u bëjë një luftë të pamëshirshme figurave të shenjta, duke ndaluar përdorimin dhe kultin. Ndoshta e ka bërë për të mbështetur judenjtë dhe myslimanët, që ishin të shumtë në ushtrinë e tij. Përndjekja e pati viktimat e veta, mes të cilëve ishte edhe Shën Gjoni i Damaskut, mbrojtës i guximshëm i figurave bashkë me patrikët e Kostandinopojës, Gjermanin dhe Tarasiun, në Lindje, dhe dy papë, Gregorin II dhe Gregorin III; ky i fundit në Koncilin e mbajtur në Romë në vitin 731 e dënoi herezinë e re në emër të Traditës.
Mbrojtja e figurave të shenjta nga ana e Tarasiut pati sukses. Ai vinte nga një familje fisnike dhe u dekorua me dinjitetin e senatorit dhe kryetarit të kancelarisë perandorake. Patriku Pal, duke vdekur, emëroi pasardhës të tij Tarasiun, edhe pse nuk ishte bërë ende meshtar. Ai e pranoi detyrën e re me kusht që të thirrej një Koncil ekumenik, i cili t’i jepte fund luftës absurde të ikonathyesve. Falë ndërmjetësimit të perandoreshës Irena, kushtet e tij u pranuan dhe ditën e Krishtëlindjes së vitit 787 Tarasiu u shugurua ipeshkëv e patrik i Kostandinopojës. U mbajt edhe Koncili i dytë i Nikesë dhe papa Adriani I i miratoi dekretet dhe e dënoi herezinë.
Pasi u rivendos besimi i vërtetë, u afruan të tjera probleme në horizont për patrikun e ri. Biri i Irenës, Kostandini VI, kërkoi të ndahej nga e shoqja, sepse donte një grua tjetër. Edhe në këtë rast, Tarasiu dha prova qëndrueshmërie, duke kundërshtuar pretendimet e perandorit. Ai e kapërceu pengesën duke gjetur një prift që u tregua i gatshëm për ta kremtuar martesën e tij. Shën Teodor Studita dhe murgjit e tij e akuzuan patrikun se kishte marrë pjesë në këtë dredhi dhe Tarasiu për të dëshmuar pafajësinë e tij, e pezulloi a divinis meshtarin përgjegjës për fajin, duke e deklaruar të pavlefshme martesën në fjalë. Për këtë dhe merita të tjera, Tarasiu gëzon ende sot një përshpirtëri të përhapur në Kishën ortodokse.