Shenjti i ditës: 24 shkurt – Shën Sergji, martir në vitin 304

Written by on February 23, 2017

Shenjti i ditës: 24 shkurt – Shën Sergji, martir në vitin 304

 

            Kalendari i krishterë numëron pesë shenjtër me këtë emër shumë popullor në kombet sllave dhe veçanërisht në Rusi, ku lindi dhe veproi «ati i jetës rregulltare», i cili përkujtohet më 25 shtator. Shenjti që përkujtohet sot me këtë emër është martiri i Çezaresë në Kapadoki, të cilin burimet agiografike greke e bizantine e injorojnë. Në perëndim kujtohet më gjerësisht, falë një Mundimi latin që e përshkruan më thjeshtë martirizimin e tij.

            Sergji, i cili në moshë të re kishte braktisur karrierën e gjykatësit për t’u bërë murg dhe vetmitar në afërsi të Çezaresë në Kapadoki, u gjend rastësisht në këtë qytet gjatë kremtimeve vjetore që bëheshin në nderim të Jovit. Për këtë rast, qeveritari i Armenisë dhe i Kapadokisë, Saprici, kishte mbledhur përpara tempullit të gjithë të krishterët për t’i detyruar që të nderonin Jovin. Zjarret për flitë ishin ndezur, kur papritur u shuan. Mrekullia ndodhi në çastin kur murgu Sergji po i afrohej tempullit. Por paganët thanë se ky fenomen ndodhi për shkak të zemërimit të Jovit,  pasi të krishterët këmbëngulën dhe refuzuan ta nderonin. Sergji atëherë mori fjalën dhe shpjegoi se mrekullia ishte vepër e Hyjit të gjithëpushtetshëm të adhuruar nga të krishterët, ndërsa hyjnitë e tyre ishin plotësisht të pafuqishëm. T’i bëje nderim Jovit, ishte një gjest krejt i kotë, pasi i vetmi Hyj i vërtetë ishte ai që nderohej nga të krishterët. Ky diskutim provokues i kushtoi vdekjen vetmitarit guximtar. U shty keqas përpara tribunës së qeveritarit, u gjykua menjëherë dhe u dënua me kokëprerje. Vendimi u zbatua po atë ditë, më 24 shkurt. Trupi i martirit u varros në varrin e një gruaje të përshpirtshme dhe pas disa kohësh, sipas një tradite të vjetër, reliktet e tij u zhvendosën në Ubea të Andaluzisë.


Current track

Title

Artist