MEDITIMI I DITËS – DREJT JEZUSIT
Written by Radio Maria on February 21, 2017
Mk 10, 17-27 DREJT JEZUSIT
Kërkoj hirin: që asnjë pasuri, punë, asnjë famë mos të më ndalojnë për të shkuar pas Jezusit.
17 Kur doli në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar Jetën e pasosur?”
Skena është shumë e gjallë. Çdo gjë është në lëvizje: Jezusi del, dhe një njëri vrapon për tu takuar me të, i mbushur frymë bie në gjunj… Ky është përngjasimi i botës sonë në lëvizje dhe në përshpejtim. Paraqet edhe jetën time personale, të përditshmen time.
Edhe pse Jezusi del dhe ka për qellim për të shkuar në një vend, ndalet dhe e dëgjon njeriun. Pyetja që bënë njeriu nuk është pyetje e përshpejtuar dhe e pa vend. Paraqet seriozitetin dhe nuk kërkon ndonjë bisedë të lehtë, sa për ta kaluar kohën. Kjo pyetje ka rëndësi të madhe për njeriun që merr nismën, ndërsa Jezusi pranon bisedën e propozuar dhe fjalën.
O Zot, në përshpejtimin tim shumë shpesh nuk i dëgjoj njerëzit të cilët kanë nevojë për mua e të cilët me pyesin duke pritur ndihmën dhe përgjigjen. Gjithashtu për shkak të ritmit të përshpejtuar jetësor nuk arri të bëj pyetjet e duhura për jetën që do të më drejtonin vëmendjen në vlerat e pakalueshme. Të gjitha do të duhej t’i ngadalësoja dhe për të gjitha do të duhej të meditoja më shumë. Më duhet të jem më i kujdesshëm ndaj të tjerëve që me pyesin. Më duhet edhe mua që të bëj pyetje që të shohë gjërat që janë të rëndësishme në jetë. Më ndihmo, o Zot!
18 Jezusi iu përgjigj: “Pse më thua: i mirë? Askush s’është i mirë përveç Një Hyji të vetëm! 19 Urdhërimet i di: ‘Mos vra! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babain tënd e nënën!’“
Askush deri me tani nuk iu afrua Jezusit në këtë mënyrë as nuk iu drejtua. Më përgjigjen e vet, Jezusi dëshiron ta qetësojë njeriun që biseden ta zhvillonte pa ndjenja të tepruara të cilat e mjegullojnë realitetin. Prandaj i thotë se vetëm Hyji është i mirë! A dëshiron Jezusi me këtë gjë të theksojë dallimin mes mirësisë absolute të Hyjit dhe të mirësisë personale që në të si njeri i nënshtrohet rritjes dhe krejt asaj që kërkon mishërimi? Nuk e dimë! Biseda në tërësi na bënë të qartë se si Jezusi e fton njeriun që t’i pastroj qëllimet e veta me të cilat erdhi tek ai dhe të pyes vetveten pse e quan të mirë. Ai nuk do të ketë kurrfarë privilegji as nuk do të fitojë asgjë për shkak të lëvdatave që ia bënë Jezusit. As mirësia e Jezusit nuk është aspak më kërkuese
20 Ai iu përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.” 21 Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” 22 Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë e, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta.
A thua ky njeri nuk është i veçantë? I jashtëzakonshëm? Cili prej nesh ka mundësi të mburret që i mbanë me përpikëri urdhërimet e Hyjit? Nuk na çuditë reagimi i Jezusit: e shikoj dhe i pëlqeu. Urdhërimet nuk janë gjithçka. Ka diçka që është më e fuqishme dhe më e nevojshme, një gjë që i mungon kësaj jete që i zbaton vetëm urdhërimet, jetës që mund të bëhet tepër formale.
Jeta që i dhurohet Hyjit plotësisht, përfshinë në vetvete zbatimin e urdhërimeve, por ka edhe diçka më shumë se kjo. T’ia japësh Hyjit të gjitha, kjo është gjëja më e madhe që mund të bëj njeriu. Nuk janë të thirrur të gjithë që ta bëjnë këtë gjë. Mirëpo të gjithë janë të ftuar që t’i japin Hyjit pak më shumë se sa i japin. Edhe një hap, ajo pak më shumë, i mungonte këtij njeriu që të kishte mundësi për të shkuar pas Jezusit. Në jetën e njerëzve shumë shpesh gjendet diçka që i pengon që të jenë plotësisht të Hyjit. Këtu pasuria është simboli i çdo gjeje që ka mundësi ta robërojë njeriun edhe pse ai mendon se është i lirë. Edhe ky njeri mendonte së nuk ka të meta, por Jezusi i tregon se nuk është i tillë. Nuk ishte i lirë edhe pse mendonte se ishte. Erdhi tek Jezusi plot mburrje, por largohet prej tij i trishtuar. Diçka në jetën e tij nuk shkonte si duhej. Kjo gjë e shtynë Jezusin që të jetë më i hapur dhe më i drejtpërdrejtë.
23 Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!” 24 Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! 25Më lehtë është të përshkohet gamilja nëpër vrimë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” 26 Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri‑tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” 27 Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin, Hyji mund të bëjë gjithçka.”
Ekzistojnë rreziqet e vërteta të cilat kanë mundësi ta shkatërrojnë njeriun. Mirëpo nuk është ashtu, sepse edhe nëse e ndajmë pasurinë tonë, hyrjen në Mbretëri të qiejve nuk e kemi siguruar në mënyrë automatike duke shitur ato që kemi. Duhet ta kemi të qartë: në vetë jemi të pamjaftueshëm për ta arritur shëlbimin tonë. Këtë gjë mund ta bëj vetëm Hyji. Shëlbimi është dhuratë, ne kemi mundësi vetëm ta pranojmë.