Shenjti i ditës: 21 shkurt – Shën Pjer Damiani, ipeshkëv e mësues i Kishës (1007 – 1072)

Written by on February 18, 2017

 

Shenjti i ditës: 21 shkurt – Shën Pjer Damiani, ipeshkëv e mësues i Kishës (1007 – 1072)

Duke folur për këtë shenjt, të vjen natyrshëm fraza e shumëpërdorur «nga stalla tek yjet». Sepse pikërisht nga stalla, ku vëllai i madh e kishte caktuar të kujdesej për derrat, e hoqi një vëlla tjetër, kryeprift i Ravenës dhe ia mundësoi studimin, më parë në Firencë e pastaj në Parmë. Ishte fëmija i fundit i një familje të madhe. Ky djalosh, i pajisur me një inteligjencë të gjallë, bëri shpejt rrugë mes bashkëmoshatarëve dhe nuk do të kishte qenë e vështirë për të që të ndërmerrte një karrierë fitimprurëse. Por, Pjer Damiani parapëlqeu kuvendin dhe u bë murg në abacinë e Fonte Avelanës në Umbri, të themeluar disa vite më parë nga i lumi Rudolfi. Edhe këtu u dalluan dhuntitë e tij të mira dhe mbi të gjitha përshpirtëria e tij e ushqyer nga meditimi dhe studimet e vështira teologjike. Që i ri, u zgjodh abat i kuvendit të përmendur.

            Në vitin 1057 iu desh të linte jashtë dëshirës qelinë e kuvendit sepse papa e deshi në Romë. E bëri kardinal dhe ipeshkëv të Ostias, për ta mbajtur afër në një kohë krize të rëndë për Kishën, e cila ishte e përfshirë nga një e keqe e vjetër siç ishte simonia. Kjo nënkuptonte shitblerjen e posteve të larta, të cilës i shtohej një veti tjetër e keqe nga ana e klerit që e zgjidhte problemin e celibatit gabimisht, d.m.th me anë të bashkëjetesës së lirë. I takoi Pjetër Damianit ta mbështeste papën – madje edhe gjashtë papë që erdhën më pas në fronin papnor u ndihmuan nga vepra e re, për të qartësuar udhëheqjen e klerit, duke vënë barinj të denjë në udhëheqjen e Kishave të ndryshme.

            Në këtë vepër reformuese, Pjer Damiani pati në krah abatin benediktin të Shën Palit jashtë Mureve, Hildebrandin dinamik, i cili në vitin 1073 do t’i marrë në dorë frenat e Kishës me emrin Gregori VII. Pjetër Damiani mbuloi detyra të ndryshme: qe delegat papnor në Gjermani, në Francë, në Italinë e Veriut, vizitoi dioqeza e abaci, ndreqi abuzimet, sugjeroi rrugëdalje, kryesoi koncile e sinode dhe gjeti kohë për të shkruar jo vetëm vepra teologjike, por edhe poezi. Për të parat u shpall mësues i Kishës në vitin 1828. Vdiq në Faencë.


Current track

Title

Artist