Shenjti i ditës – 17 shkurt – Shtatë Themeluesit e Shërbëtorëve të Marisë, shekulli XIII – XIV
Written by Radio Maria on February 16, 2017
Shenjti i ditës – 17 shkurt – Shtatë Themeluesit e Shërbëtorëve të Marisë, shekulli XIII – XIV
Bashkëkohës dhe bashkëqytetarë me Dante Aligerin, shtatë miqtë, anëtarë të Shoqërisë mariane të Laudezëve, kishin një natyrë krejt tjetër nga poeti hyjnor. U pëlqente të quheshin, si të gjithë Laudezët, poetët endacakë të Mbretëreshës së madhe. Virgjëra i zgjodhi për një mision më të madh e të qëndrueshëm, duke ua dhuruar atyre, njëkohësisht, thirrjen për një përshpirtëri më të madhe mariane. Një thirrje mjaft e fortë, në mënyrën e mistershme në të cilën ndjehen zërat e brendshëm. Shtatë të përzgjedhurit braktisën çdo gjë, pasurinë, përfshirë edhe familjen, dhe pasi veshën veshjen e pendestarëve, u tërhoqën për të jetuar në një kasolle jashtë mureve të qytetit të Firences, derisa ipeshkvi Ardinji nuk u caktoi atyre një vend më të përshtatshëm mes bredhave të malit Senar.
Ata jetonin një jetë kontemplative dhe varfëri ungjillore, por jo jetë vetmitare. Pasi dalloheshin për shpirtin e shërbimit, iu përkushtuan predikimit nga njëri vend në tjetrin. Bënin një predikim «endacak», pra në mënyrën e misioneve popullore. Tema e parapëlqyer ishte gjithnjë Maria. Ata paraqiteshin si «shërbëtorët e Marisë». Një emër të tillë e morën edhe kur i dhanë jetë Urdhrit të tyre dhe kur shkruan Rregullën e tyre, sipas modelit augustinian, që u miratua nga papa në vitin 1304. Ja emrat e tyre, të cilët paraqiten edhe vetëm në ditë të tjera të kalendarit: Bonfilio Monaldi, që do të jetë eprori i parë i përgjithshëm; Bonagjunta Gjovani Maneti, eprori i dytë; Maneto Benedeto i Antelës, edhe ai epror i përgjithshëm; Uguçone Rikorso i Uguçonit, themelues i bashkësisë së parë të Shërbëtorëve të Shën Marisë në Francë; Sostenjo Gerardini nga Sostenji që themeloi shtëpinë e parë të Urdhrit në Gjermani; gjithashtu edhe Amedeo Bartolomeo nga Amidei, eprori i Karfagjios; dhe Aleks Falkonieri, që hoqi dorë nga urdhri meshtarak dhe vdiq i fundit ndër të shtatët, në vitin 1310.
Pjesët mortore të shtatë shenjtërve themelues, të kanonizuar në vitin 1877 nga papa Leoni XIII, janë të ruajtura në një arkëz të vetme në shenjtëroren e Malit Senar.