Shenjti i ditës – 15 shkurt – Shën Klaudi nga Kolombiera, meshtar (1641 – 1682)

Written by on February 14, 2017

Shenjti i ditës – 15 shkurt – Shën Klaudi nga Kolombiera, meshtar (1641 – 1682)

 

            Për shenjtërinë e këtij «shenjti» na garanton edhe Zemra e Shenjtë e Jezusit, që kur i shfaqej Shën Margerita Maria Alakokut, e ftoi shumë herë që t’i drejtohej atij si drejtues shpirtëror. Gjatë një vizioni, Jezusi i tregoi Zemrën e zhytur në një furrë të ndezur, të rrethuar nga dy zemra të tjera (ajo e Margeritës dhe ajo e Klaudit): «Kështu i bashkon dashuria ime e pastër këto tri zemra përgjithmonë – tha Jezusi».

            Klaudi nga Kolumbiera u lind në Grenoble. Në moshë të re u dërgua në një kolegj jezuit të Lionit dhe në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare hyri në mesin e rishtarëve të Shoqërisë së Jezusit në Avinjon. Aty mori urdhrin meshtarak në moshën njëzet e tetë vjeçare. Meshtar dhe rregulltar shembullor, i qëndroi besnik qëllimit të hekurt (të vulosur me një kusht) që t’i zbatonte në shpirt e në letër të gjitha rregullat e Urdhrit të tij, të cilat shquhen për rreptësinë e tyre. U bë menjëherë një dritë e vënë mbi pishtar, siç thotë Ungjilli. Pasi u zgjodh epror i bashkësisë së Parei – le Monial, pati edhe detyrën të ishte rrëfyes i jashtëm në kuvendin e Margerita Maria Alakokut. Takimi, siç u tha, nuk qe i rastësishëm: dy flakë të bashkuara në «furrën e zjarrtë» të dashurisë hyjnore. Meshtari i përshpirtshëm ndihmoi mjaft në përhapjen e përshpirtërisë së Zemrës së Shenjtë, duke qenë një predikues i dëgjuar në jetë. Pastaj e bëri edhe me shkrimet e tij të shumta, të nxjerra të gjitha pas vdekjes, mes të cilave është edhe Mbështetja në Hyjin, e cila ribotohet edhe sot.

            Në vitin 1676 atë Klaudi shkoi në Angli si kapelan pranë dukeshës së Jorkut, gruaja e mbretit të ardhshëm Jakobit II. Misioni iu drejtua kalvarit: u akuzuar për komplot me «papistët». Para se të përjashtohej, përjetoi një burgosje të rëndë, duke e dëmtuar shëndetin e vet në mënyrë të pandreqshme. Pasi u kthye në Francë, shkoi përsëri në Parei – le – Monial, ku u shua pak nga pak.


Current track

Title

Artist