Shenjti i ditës – 14 shkurt – Shën Cirili e Metodi, murg e ipeshkëv në shekullin IX

Written by on February 13, 2017

Shenjti i ditës – 14 shkurt – Shën Cirili e Metodi, murg e ipeshkëv në shekullin IX

 

            Dy vëllezërit, të nderuar si «apostujt e sllavëve» dhe tani të shpallur bashkëpajtorë të Evropës bashkë me Shën Benediktin, kanë meritën se u kanë dhënë popujve sllavë bashkë me shpalljen e Ungjillit edhe alfabetin (atë cirilik), falë të cilit Metodi ka mundur të përkthejë dhe të përhapë pjesën më të madhe të Biblës.

            Ata u lindën në Maqedoni dhe ishin bijtë e një nëpunësi perandorak. Para se të ndërmerrnin me vështirësi ungjillëzimin e gadishullit ballkanik, duke u shtrirë në veri deri në Moravi, dy vëllezërit kishin ndërmarrë dy karriera mjaft të ndryshme. Më i vogli, Kostandini (që do të marrë emrin Ciril), pas studimeve në Kostandinopojë, ishte bërë meshtar, duke zgjedhur profesionin e mësuesit. Mikeli (Metodi) kishte parapëlqyer karrierën politike. Pasi ishte emëruar qeveritar i një province bizantine me gjuhë sllave, kishte ndryshuar menjëherë drejtim duke u mbyllur në një kuvend.

            Në vitin 860, perandori i thirri të dy duke u besuar misionin për të ungjillëzuar kazarinët. Prej këtu, me ftesën e princit Ratislau, mbërritën në Moravi. Aty ngjallën kundërshtimin e hapur të misionarëve gjermanë, pasi dy vëllezërit kishin marrë lejen për ta kremtuar liturgjinë në gjuhën sllave. Cirili e Metodi shkuan në Romë te papa Adriani II për të marrë, bashkë me bekimin e tij, edhe lejen për metodën e tyre misionare, që ishte treguar mjaft e efektshme. Cirili parapëlqeu të qëndronte në Romë. I mirëpritur në kuvendin e shenjtërve Bonifacit e Aleksit, vdiq më 14 shkurt të vitit 869 dhe u varros në bazilikën e Shën Klementit, martir të cilit ai vetë ia kishte marrë reliktet nga Kersonea. Metodi, pasi u emërua ipeshkëv i Panonisë, me seli në Sirmio, u kthye në Moravi. Aty vuajti edhe burgosjen, gjithnjë për shkak se futi gjuhën sllave në liturgji. Vdiq mes njerëzve të tij më 6 prill të vitit 885.


Current track

Title

Artist