Shenjti i ditës – 12 shkurt – Shën Eulalia, virgjër e martire në vitin 304
Written by Radio Maria on February 11, 2017
Shenjti i ditës – 12 shkurt – Shën Eulalia, virgjër e martire në vitin 304
Eulalia është Anjeza ose Agia spanjolle. Mund të jenë edhe të dyja bashkë, meqenëse martiret e reja spanjolle me këtë emër janë dy, të cilat Martirologu i kremton në dy data të ndryshme: Eulalia e Meridës më 10 dhjetor dhe Eulalia e Barcelonës sot. Katalanët i vënë rëndësi këtij dallimi, megjithëse ka shumë të ngjarë se bëhet fjalë për një martire të vetme, e konsumuar si fli në turrën e druve, gjatë persekutimit të Dioklecianit dhe të Maksimilianit.
Poeti spanjoll Prudenci në vitin 405 shkroi për Eulalian himinin e dytë të Peristephanon, duke përshkruar martirizimin: Eulalia është një e krishterë trembëdhjetëvjeçare, të cilën i ati dëshiron ta largojë nga rreziku i flijimit. E largon nga qyteti i Meridës duke ua besuar disa miqve në fshat. Por, vajza e ndezur nga dëshira për të dëshmuar fenë e vet në Krishtin, ikën dhe kthehet në qytet. Paraqitet te gjykatësi dhe thotë një fjalë të vetme: «Besoj!». Kaq mjaftoi që gjykatësi ta dërgojë në turrën e druve. Tregimi i Prudencit citohet edhe cituar nga vetë Shën Augustini.
Eulalia e sotme, ajo e Barcelonës, është më fjalëshumë. Në paraqitjen e saj para akuzuesve nuk ia kursen qortimet edhe vetë gjykatësit, që këmbëngul të mbyllë sytë përpara të vërtetës. Gjykatësi, aspak i bindur, përdor mënyrat e forta, duke u përpjekur që ta largonte nga vdekja. Por, edhe në torturë, Eulalia qëndron e patundur dhe e pandjeshme ndaj joshjeve. Do të kishte qenë i mjaftueshëm vetëm pak kem i hedhur në këmbët e statujës së një zoti … Kamxhikët nuk lënë asnjë gërvishtje në mishin e butë. Është efekt magjie, mendon gjykatësi. Të provohet me zjarr! E vënë në turrën e druve. Eulalia konsumohet nga flakët, pastaj mbi trupin e nxirë bien nga qielli flokë të ndritshëm bore që e mbulojnë si një mbulesë e butë. Dhe nga pjesët tashmë të karbonizuara fluturon një pëllumb që ngjitet lart deri sa zhduket nga shikimi i atyre që ishin të pranishëm në martirizimin e vajzës së pamposhtur.