MEDITIMI I DITËS – DËGJIMI I FJALËS

Written by on February 9, 2017

Mk 7, 31-37 DËGJIMI I FJALËS

 

Kërkoj hirin: që Zoti ti hapë veshët e mi që ta dëgjoj Fjalën e tij dhe ta zgjidh gjuhën time që ta shpall.

 

31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. 32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të.

Jezusi kalon nëpër vendin pagan. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për fillimet e krishterimit, por edhe për krejt historinë e tij. Sikurse Jezusi nuk u mbyll në kufijtë e vendit të vet, por shkoj edhe në mesin e paganëve, kështu edhe krishterimi sipas natyrës së vet është i hapur para të gjithëve. Shën Marku këtë qëndrim të Jezusit e konsideron shumë të rëndësishëm dhe e përshkruan në Ungjillin e vet. Kalimi shëlbimprurës i Jezusit i përket edhe botës pagane.

O Zot, ti i do të gjithë njerëzit. T’i kujdesesh për secilin njeri. Ti do që Lajmi i gëzueshëm ta arrijë secilin njeri. Bëj që edhe të krishterët të jenë të tillë: të hapur para të gjithëve dhe të zellshëm për shëlbimin e të gjithë njerëzve. Më jep hirin që ta kem një zemër të hapur në familje, në rrethin e të afërmve, vendin e punës, në bashkësinë time. Bëj të dijë të lutem për të tjerët që ta njohin Fjalën tënde.

33 Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

Para Jezusit e sollën njeriun që është i shurdhër dhe që belbëzon. Ky njeri pothuajse nuk ka komunikim me të tjerët. Jezusi e përjeton në zemër mundimin e njeriut që për shkak të mangësisë që kishte që përjashtuar nga shoqëria dhe rrinte në një anë. Për shkak të kësaj mangësie të tjerët nuk kujdeseshin tepër shumë për të. As ai vet nuk kishte mundësi të shprehte vullnetin dhe dëshirën që kishte, as të tjerët nuk kishin mundësi ta kuptonin deri në fund. Mes tij dhe të tjerëve ishte ndalesa e vazhdueshme e komunikimit për shkak të pengesës së madhe. Kush e di se si silleshin me të?

Tani Jezusi interesohet për të. Dëshiron të jetë vetëm për vetëm më të. Ndoshta njeriu nuk ndjehet mirë para gjithë asaj turme të njerëzve. Njerëzit askurrë nuk janë interesuar për të dhe tani përnjëherë mblidhet rreth tij një turmë kaq e madhe. Kjo gjë e shqetësonte dhe ai ndjehej i pasigurt. Ndoshta edhe e detyruan më forcë për të ardhur. Gjithsesi Shën Marku e shënon faktin se këtë njeri e sollën të tjerët. Mirëpo ky njeri kishte mundësi të ecte dhe shihte mirë.

Jezusi i ndjen turbullimin dhe shqetësimin prandaj do të jetë vetëm për vetëm më të. Ky njeri heton se Jezusi sillet më të ndryshe nga ata që e sollën tek ai dhe nga ata me të cilët jetonte. Ndoshta për të parën herë në jetë përjetoj që dikush të sillet më të në mënyrë kaq njerëzore. Të gjitha ato që bënë Jezusi janë gjeste të thella njerëzore të cilat kanë domethënie të madhe për këtë njeri.

A thua nuk janë këto gjestet që kryen secili meshtar gjatë ndarjes së sakramenteve? Edhe tek ndarja e sakramenteve është Jezusi që i ndan: ai pagëzon, ai i fal mëkatet, atë e hamë… Kjo ka rëndësi të madhe ta kemi para syve sa herë që iu afrohemi sakramenteve. Sakramentet nuk janë veprime magjike që varën nga ndarësi, por ato janë shenja të dukshme të hirit të padukshëm të Hyjit dhe të veprimit të tij mes nesh.

Jezusi pasi që largohet nga turma i ndihmon njeriut. Më këtë gjë përsëri dëshiron të thotë se nuk erdhi për arsye të spektaklit dhe të dëfrimit. Ky është mësim për ne: nuk guxojmë Ungjillin ta shndërrojmë në «shou». Fatkeqësisht, gjithmonë biem në këtë tundim si bashkëkohanikët e Jezusit. Edhe për ne shumë shpesh ka rëndësi paraqitja e jashtme duke harruar kështu në atë gjë që është thelbësore, në porosinë që Jezusi na jep përmes sakramenteve.

Do të përpiqem që të përjetoj shikimin dhe ofshamën e Jezusit që e drejton drejt qiellit. Këtu paraqitet lidhja e tij me Atin dhe dhimbja të cilën e mbartë për shkak të vuajtjeve të ndryshme për shkak të të cilave njerëzit vuajnë.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin:  “Gjithçka bëri mirë!” “Ky po bën të dëgjojnë të shurdhrit e të flasin memecët!”

Përsëri e kemi të njëjtin qëndrim të Jezusit. Të mos shpallësh atë gjë që është thelbësore. Të ndërtosh në themele të rreme. Kjo gjë nuk kërkohet prej nesh. Mirëpo kush ka mundësi të qëndroj para tundimit të kënaqësisë dhe të gëzimit që paraqitet gjithmonë si gënjeshtër? Këtë tundim e ka të vështirë ta tejkalojë sidomos ai që e ka shijuar dhe e ka parë.

Po, o Zot, të gjitha i bëre mirë. Edhe sot ka njerëz të shurdhër para Fjalës sate dhe para të vërtetave të përjetshme. Edhe sot ka njerëz memecë kur duhet thënë të vërtetën sinqerisht dhe haptazi sipas frymëzimit të Shpirtit tënd. Ka njerëz që thonë vetëm ato gjëra që iu pëlqejnë veshëve të njerëzve dhe çfarë njerëzit dëshirojnë të dëgjojnë. Prandaj shpallin qytetërimin e vdekjes në vend të qytetërimit të jetës. Prandaj rritet qytetërimi i urrejtjes në vend të qytetërimit të dashurisë. Hapi veshtë tanë para fjalës së vërtetë. Zgjidhe gjuhën tonë para mësimit të vërtetë.

 


Current track

Title

Artist