Shenjti i ditës – 10 shkurt – Shën Skolastika, murgeshë benediktine (480 – 543)

Written by on February 9, 2017

Shenjti i ditës – 10 shkurt – Shën Skolastika, murgeshë benediktine (480 – 543)

 

Gjithçka dimë për këtë shenjtëreshë – motra binjake e Shën Benediktit – tregohet në librin e dytë të Dialogjeve të Shën Gregorit të Madh dhe është më se e mjaftueshme për të pasur për të një përfytyrim mjaft të qartë. Që nga fëmijëria, Skolastika jetoi në hijen e vëllait të madh, fillimisht në Subiako, më pas në Montekasino, ku edhe ajo i shtriu rrënjët duke themeluar kuvendin e saj pak më larg nga ai i Benediktit. Këta të dy takoheshin vetëm njëherë në vit, në një kasolle në mes të rrugës, e cila do të jetë më vonë objekt nderimi. Pasi që kalonte viti, motra kishte shumë gjëra për t’i treguar të vëllait e mbi të gjitha shumë këshilla për t’i kërkuar.

Në takimin e fundit, që ka mbetur si shembull mallëngjyes i dashurisë vëllazërore dhe i zgjuarsisë çarmatosëse femërore, dialogu zgjati deri sa u shuan dritat e fundit të muzgut. Meqenëse Benedikti nuk e kishte ndër mend ta kalonte natën jashtë kuvendit, u nda nga e motra, edhe pse ajo e luti të qëndronte për të biseduar gjithë natën. Duke parë se lutjet e saj qenë të kota, Skolastika uli kokën dhe e mbështeti në duart e bashkuara në lutje të heshtur. Dhe ndërsa Benedikti po dilte nga pragu i kasolles, një stuhi e papritur dhe e furishme e detyroi të kthehej mbrapsht. E qortoi ëmbëlsisht të motrën, e cila aspak e shqetësuar, por e lumtur në zemrën e saj, iu përgjigj: «Dil, po deshe; më lër dhe kthehu në kuvendin tënd. Ti nuk deshe të më dëgjosh. E kam lutur Zotin tim dhe ai më ka dëgjuar.» Kjo qe biseda më e gjatë, por edhe e fundit mes tyre.

            Tre ditë më pas, ndërsa Benedikti vonohej në majë të kullës së kuvendit, ku qëndronte zakonisht në lutje, pa shpirtin e së motrës duke u ngritur në drejtim të qiellit në formën e një pëllumbi të shndritshëm. Mëngjesin e nesërm, Benedikti zbriti me murgjit e tij në kuvendin e Skolastikës dhe e varrosi trupin e saj në varrin që e kishte përgatitur për vete. Motër e vëlla pushojnë ende sot nën altarin e madh të abacisë së famshme dhe mbetën të padëmtuar nga bombardimi shkatërrimtar i luftës së dytë botërore.


Current track

Title

Artist