MEDITIMI I DITËS – SHIKIMI NË FJALËN E HYJIT

Written by on February 6, 2017

Mk 7, 1-13 SHIKIMI NË FJALËN E HYJIT

 

Kërkoj hirin: që kurrfarë përshpirtërish mos të ma mjegullojnë shikimin në Fjalën e Hyjit.

 

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

Nga Jerusalemi erdhi «ekipi» i ri. E kërkojnë Jezusin sepse kanë diçka për t’i kundërshtuar. Ata erdhën nga kryeqyteti dhe ankesat e tyre duhet t’i dëgjojë, janë njerëz të pranuar dhe të nderuar prej njerëzve. Ata e mbikëqyrin Jezusin së bashku me nxënësit e vet a sillet në përputhje me Ligjin dhe me të gjitha zakonet që ata i kanë caktuar. Mendojnë se për këtë gjë kanë të drejtë, prandaj e përcjellin Jezusin dhe e shikojnë se si vepron. Dhe ja, panë diçka që nuk është në përputhje, nxënësit e tij veprojnë ndryshe nga ajo që është përcaktuar.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

Ja, kjo është vetëm një pjesë nga ajo që ata zbatojnë dhe që e kërkojnë nga populli për ta zbatuar. Vërtetë, ishin të zellshëm dhe të zjarrtë. Këtë gjë e konsideronin shumë të rëndësishme. Për shkak të zbatimit besnik të të gjitha caktimeve që i bënin e konsideronin vetën më të lartë se të tjerët, më të rëndësishëm dhe më të mirë se njerëzit e thjesht. Këtu nuk është fjala aspak për pastërti dhe papastërti, nuk bëhet fjalë për higjienë. Të gjitha këto janë ngritur në rendin e larjeve rituale. Secila vepër e tillë kishte marrë domethënie dhe vlerë të re. Ai që nuk i përmbahej kësaj, nuk ishte besnik, nuk ishte Hebre i vërtetë.

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:  “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”6 Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. 7 I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësimin e Hyjit ‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

Jezusi i edukonte nxënësit e vet, prandaj farisenjtë e pyesin. Qartë, Jezusi nuk do të mbetet i mbyllur në vendin e zbatimit të Ligjit dhe të caktimeve të tyre, kjo do të thotë se Lajmin e gëzueshëm nuk dëshiron tu japë vetëm hebrenjve. Ai i edukon nxënësit e vet që të jenë të gatshëm të dalin nga ky rreth. Ungjilli iu ofrohet të gjithëve dhe nuk ka mundësi të tkurret në një vend, në një popull, në një kulturë. Prandaj i drejton tek thelbësorja e jo tek zakonet tradicionale të cilave farisenjtë iu përmbahen pikë për pikë. Edhe kësaj here Jezusi e citon Isainë profet që gjithashtu në kohën e tij u ngrit kundër formalizmit që kishte depërtuar në popull. Kur njeriu i afrohet Hyji ka rëndësi shprehja dhe qëndrimi i jashtëm. Por njeriu nuk guxon të ndërtojë mbi këtë. Kjo duhet të jetë ndihmë për atë gjë që është përbrenda, i asaj që është shumë më e rëndësishme. Në qoftë se theksi vendoset në këtë gjë, ekziston rreziku që të harrohen gjërat e rëndësishme. Atëherë të gjitha këto janë më shumë barrë dhe ndalesa se sa ndihmë. Prandaj Jezusi aq fuqishëm i mbron nxënësit e vet.

O Zot, po të lutem që të jem i kujdesshëm për të gjitha gjërat që vijnë nga trashëgimia dhe tradita, që këto gjëra mos t’i hedh poshtë në mënyrë të lehtë dhe mos ta përbuz të vjetrën sepse është e vjetër. Më ndihmo që të shohë thelbësoren në to, që të dijë në të gjitha ta gjej thelbin e porosisë sate. Kur ky mungon, trashëgimia është e parëndësishme, sepse Lajmi i gëzueshëm nuk guxon tu nënshtrohet traditave të cilat e deformojnë dhe nuk e lejojnë të shkëlqej dhe në këtë mënyrë të shpallet.

Jemi në rrezik të vazhdueshëm që përshpirtëritë e caktuara të nderimit të shenjtërve ta mjegullojnë afrimin tonë të kulti burimor dhe adhurimi i vërtetë. Në qoftë se këto përshpirtëri nuk na drejtojnë tek Hyji, nëse mbetemi vetëm në to, atëherë nuk jemi besimtarë të vërtetë. Gjestet e jashtme para Hyjit nuk kanë asnjë rëndësi në qoftë se nuk burojnë nga e vërteta e brendisë.

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve… 13 Kështu zhbëni Fjalën e Hyjit për hir të traditës suaj, që ju vetë e bëtë traditë për vete. E bëni edhe shumë punë të tilla të ngjashme me këto.”

Ky është qortimi i madh që bënë Jezusi. Në vend të urdhërimeve të Hyjit, farisenjtë kanë vendosur traditën e tyre. Prandaj Jezusi ngrihet aq rreptë kundër fariseizmit që ishte deformuar dhe iu bë qellim vetvetes.

Nuk ka realitet i cili njeriun nuk ka mundësi ta çoj në rrugë të gabuar. Edhe feja, edhe lutja, edhe përshpirtëria i nënshtrohen këtij rreziku. O Zot, po të lutem që ta ma japësh përkormërinë dhe Shpirtin e mësimit ndaj Ligjit tënd dhe Fjalës sate. Ji ti qëllimi i të gjitha veprimeve dhe përpjekjeve të mia. Kështu do të jem i sigurt se jam në rrugën tënde. Ti je Udha ime.

 

 


Current track

Title

Artist