Shenjti i ditës – 6 Shkurt – Shën Pal Miki e shokë, martirë në Japoni në vitin 1597

Written by on February 3, 2017

Shenjti i ditës – 6 shkurt – Shën Pal Miki e shokë, martirë në Japoni në vitin 1597

            Njëzet e gjashtë «të kryqëzuar» si Krishti: këta ishin martirët e parë në Japoni, dyzet vite pas shpalljes së Ungjillit nga Shën Françesk Saveri. Fara e mirë e hedhur nga dishepulli i palodhshëm i Shën Injacit të Lojolës, në vitet 1549 – 1551, kishte dhënë frytet e saj të mira, falë misionarëve që shkuan pas tij. Ata ishin françeskanë e jezuitë, të cilët fillimisht u pritën mirë nga autoritetet vendore. Në fund të viteve njëmijë e pesëqind katolikët japonezë u bënë katërqind mijë.

            Djaloshi i ri Pal Miki kishte përfunduar studimet e gjimnazit në kolegjin jezuit të Ancukiamës. Ai ishte biri i një komandanti ushtarak. U lind në vitin 1562 në Tonukumadë. Në vitin 1580 u bë pjestar i të njëjtës Shoqëri të Jezusit. U dallua për cilësitë e shkëlqyeshme gojëtare dhe dashurinë ungjillore. Ndërkohë po afroheshin provat e para të vështira për të krishterët japonezë, pas përjashtimit të misionarëve perëndimorë. Urdhri u dha nga perandori Toyotomi Hideyoshi, i cili kishte filluar luftën për zgjerimin të vendit, duke sulmuar kombin më të afërm, Korenë.

            Portat, që ishin të mbyllura për misionarët, qëndruan të hapura për tregtarët, mes të cilëve u përzien disa misionarë spanjollë të ardhur nga Filipinet. Fillimisht u toleruan nga autoritetet dhe u pritën me gëzim nga besimtarët, por më pas u burgosën dhe u dënuan me kryqëzim, së bashku me besimtarët japonezë që dalloheshin më shumë. Mes tyre shquheshin jezuiti Pal Miki, disa katekistë tercierë françeskanë, një ushtar, një mjek, madje edhe dy djem që e përballuan sypatrembur më të tmerrshmen ndër vdekjet, kryqëzimin, që u bë në Nagasaki më 6 shkurt të vitit 1597. Ata këndonin nga kryqi psalmin Lëvdojeni, o të pastër Hyjin, ndërsa afër tyre Pal Miki shqiptonte predikimin e tij të fundit, me fjalë faljeje për xhelatët. Njëzet e gjashtë martirët që përkujtohen sot janë kanonizuar në vitin 1862.


Current track

Title

Artist