MEDITIMI I DITËS – KËRKESAT E TJETRIT

Written by on February 3, 2017

Mk 6, 53-56 KËRKESAT E TJETRIT

 

Kërkoj hirin: që di të jem i durueshëm dhe i ndjeshëm ndaj kërkesave të të tjerëve.

 

53 Pasi lundruan deri në breg, arritën në Gjenezaret e aty e lidhën barkën.

Më këtë vepër Shën Marku përfundon një periudhë të jetës dhe të veprimtarisë së Jezusit. Pas dërgimit të nxënësve dhe kthimit të tyre nga misioni,  Jezusi u përpoq që të shkojë me ta në një vend të pabanuar që të pushojnë në qetësi, dhe në lutje të meditojnë për të gjitha, por nuk ia doli ta realizojë këtë plan. Njerëzit erdhën përpara tyre dhe Jezusit iu desh ta shtynte kohën e pushimit dhe të marrjes së forcave për t’i pranuar njerëzit që vinin nga çdo anë. Disa kishin ardhur kohë më parë posa e morën vesh se ku e kishte qëllimin për të ardhur. Jezusi e përjeton turmën që shkon pas tij, si dele të humbura. Nuk pati zemër që t’i braktis pasi që u munduan aq shumë që të shkojnë tek ai. Prandaj i mësonte dhe iu fliste zemrave të tyre. Kur përfundoj kohën e mësimit, nuk ndej më atje. Pasi që nuk patën mundësi të gjejnë një vend të qet, Jezusi urdhëroj që të kthehen në Gjenezaret. Ai e vazhdon veprimtarinë e vet. Tani ka rëndësi të madhe tu kushtojë njerëzve shumë kohë. «Duhet punuar derisa të jetë ditë».

O Zot, më ndihmo që në jetën time të dijë të dallojë të rëndësishmen nga e parëndësishmja, thelbësoren nga jothelbësorja. Më ndihmo që të dijë interesat e mi t’i përshtas sipas interesave të tjerëve duke u ndihmuar kur është e nevojshme.

54 Posa dolën nga barka, njerëzit që e njohën 55 menjëherë shpejtuan të shkojnë nëpër mbarë krahinën e filluan të sjellin të sëmurët në vigje atje ku dëgjonin se ishte.

Skena rreth Jezusit është e njëjtë. Turma «turret» tek ai sa dëgjon se ku është. Njerëzit interesohen për të ditur se ku është Jezusi dhe vijnë tek ai. Pas shumëzimit të bukëve zëri për të u përhap edhe më shumë. Edhe pse Jezusi dëshironte të gjej ato pjesë të vendit që janë më të qeta që në këtë mënyrë të shmang turmat që mblidhen, kjo gjë nuk i shkon për dore. Njerëzit marrin vesh ku është dhe shkojnë tek ai. Nuk ka kohë për të pushuar as për të fjetur. Ai, sa i shikon njerëzit se si e kërkojnë dhe kur heton se e kanë në vetvete dëshirën për t’i ngushëlluar, nuk ka mundësi që të mos iu ndihmojë. Gjithmonë i përjeton si njerëz që kanë nevojë për ndihmë. Shumë më shumë se nevoja fizike që e kanë të sëmurit, ndjehet se njerëzit kanë nevojë për mbështetje të brendshme dhe për ushqim. I përjeton si grigjën pa bari dhe pastaj rri me ta dhe i flet zemrës së tyre.

O Zot, zgjoje në mua urinë për ty. Bëj që të kërkoj më shumë afërsinë tënde. Dua që të kem në zemrën time diçka nga dëshira e madhe e njerëzve të cilët të kërkojnë dhe vijnë pas teje. Ata dëshironin të të prekin, të jenë me ty duke e kaluar kështu kohën e vet në afërsinë tënde. Dua që edhe unë gjatë ditës sime të gjej më shumë çaste të takimit me ty. Gjithmonë hetoj se si më mbush më lumturi prania jote. Nga ti shkoj më i pasur, më i guximshëm dhe më i përgatitur për jetë.

Po të lutem që edhe unë të kem diçka nga mirësia jote e gatishmërisë për njerëzit. Ti nuk ik prej njerëzve edhe pse kërkimi i tyre shumë shpesh është i mbushur përplot me vetjaki. Ti i pranon si të tillë dhe iu ndihmon që të shikojnë më thellë, që të përjetojnë më thellë duke i pastruar qëllimet e tyre. Unë shumë shpesh nuk jam i gatshëm të takohem me të tjerët që të flas me ta. Nuk kam dëshirë për t’i dëgjuar ankesat e tyre të përditshme të cilat shumë shpesh i di përmendësh. Nuk kam durim për shkak të pasigurisë së fjalëve dhe të hapave të ngadalshëm që bëjnë. Dua të jem më i durueshëm që t’i dëgjoj dhe tu ndihmoj. Më ndihmo.

 56 E kudo që hynte: në fshatra, në qytete apo në katunde, i vendosnin të sëmurët në sheshe dhe e lutnin t’ia preknin së paku kindin e petkut. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.

Njeriun gjithmonë e shkatërroj sëmundja dhe vuajtja. Para këtyre gjërave njeriu është i pasigurt dhe i pafuqishëm. Gjithmonë kërkon rrugëdalje. Sa njerëzit janë të angazhuar nëpër spitale të cilët ndihmojnë me fjalë dhe me vepra të gjitha ata që janë në mjerim. Edhe pranë kësaj, sa shumë njerëz nuk shërohen as nuk ngushëllohen.

Jezusi e kaloi tokën duke bërë mirë. Shëronte në çdo vend dhe iu ndihmonte njerëzve. Kudo që paraqitej i binin tek ai të sëmurit e vet. Në këtë veprimtari i përfshin edhe nxënësit e vet.

O Zot, ka rëndësi të madhe tu ndihmojmë njerëzve që ta kuptojnë se sëmundja dhe vuajtja nuk janë tragjike për njeriun. Duhet mësuar njeriun që të ketë mundësi të jetojë më to. Kurrfarë ilaçesh as mjekësh nuk kanë mundësi të na lirojnë prej kësaj. Besimi në ty dhe ndihma jote ka mundësi të na aftësojë t’i pranojmë ato që vijnë në rrugën tonë jetësore. Më ndihmo që të kuptoj se si fitorja përfundimtare mbi të gjitha do të plotësohet në takimin përfundimtar me ty. Ma forco fenë.

 


Current track

Title

Artist