MEDITIMI I DITËS – VLERËSIMI I JETËS

Written by on February 3, 2017

Mk 6, 30-34 VLERËSIMI I JETËS 

 

Kërkoj hirin: që të di në lutje dhe heshtje të vlerësoj fjalët dhe veprat e mia.

 

30 Apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin.

Misioni u krye, nxënësit janë përsëri rreth Jezusit. Kjo është koha e paraqitjes së veprimtarisë. Jezusi do të dijë se si e kanë përjetuar nxënësit e tij kohen e mësimit pa Mësuesin. Kemi mundësi të marrim me mend entuziazmin gjatë predikimit. Kishin aq shumë për t’i thënë njëri-tjetrit dhe Jezusit. Ndërsa Jezusi i dëgjon dhe gëzohet që nxënësit janë krenar dhe të kënaqur më paraqitjen e tyre të parë.

Shën Marku nuk na tregon asgjë nga ajo që nxënësit thoshin. Thjesht dhe në mënyrë paksa të vrazhdë të gjitha i përmbledh në fjalët: «i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar». Gjithsesi ky takim i nxënësve me Jezusin pas kthyerjes nga misioni është shumë i rëndësishëm. Kanë nevojë për të bashkëndarë përvojat, të dëgjojnë çfarë mendon tjetri dhe si ka vepruar. Edhe sot flitet për nevojën e bashndarjes së përvojave, për punën në grup dhe për bashkëpunimin me të tjerët. Ja kjo ishte edhe në kohën e Jezusit, nuk është zbulesë e jona. Kjo gjë është e pranishme në natyrën njerëzore. Bashkëpunimi është i nevojshëm gjithmonë. Jezusi e dinte se kjo do të ndikojë në mënyrë pozitive tek nxënësit. Prandaj i bashkon dhe i nxit që t’i flasin njëri tjetrit si ishte derisa vepronin.

O Zot, ti përpiqesh që të fisnikërosh dhe të zhvillosh çdo gjë që është e mirë në natyrën njerëzore. Ti e di se nuk është lehtë të jesh i vetmuar. Kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje të njëri-tjetrit. Prandaj ua mëson nxënësve të tu përmasën e jetës së përbashkët. Së bashku lutemi më lehtë, besojmë më lehtë dhe jetojmë më lehtë.

Ky është çasti kur do t’i lutem Zotërisë që të më ndihmojë që të jem bashkëpunëtor, që të dijë të ndaj me të tjerët përvojat e mia. Më ndihmo, o Zot, që të di t’i dëgjoj të tjerët me interes dhe me entuziazëm të flas për përvojat e mia.

Ekziston koha e punës, e aktivitetit dhe koha e kthimit parapa, koha e heshtjes dhe e lutjes. Mes këtyre dy punëve zhvillohet secila jetë e krishterë. Pas veprimtarisë dhe predikimit, Jezusi do që nxënësit e tij të pushojnë dhe për të gjitha të mendojnë në qetësi. Kemi nevojë të meditojmë për ato gjëra që kemi bërë.

Është e nevojshme që në qetësi dhe në praninë e Hyjit të vlerësojmë veprat dhe fjalët tona. Pa këtë gjë, jemi në rrezik që të shmangim rrugën, jemi në rrezik ta predikojmë vetveten dhe mos të jemi burimor sipas Ungjillit. Gjithashtu ekziston rreziku që ta ngarkojmë për së tepërmi vetveten dhe të mendojmë se jemi të pazëvendësueshëm dhe të jepemi vetëm në aktivitet. Ekziston rreziku për të humbur baraspeshën. Kemi mundësi të bëhemi të ashpër, nervoz dhe njerëz krenar. Mos të çuditemi që pas pak kohe pasi që të zbrazemi pyesim për kuptimin e jetës sonë në përgjithësi, të thirrjes dhe të predikimit. Secilën ditë të jetës sonë duhet të ketë çastet kur do të ndalemi dhe do të ballafaqohemi me vetveten dhe me Hyjin që të shohim ku jemi. Fjalët dhe veprat tona duhet vlerësuar në momentin e shqyrtimit të ndërgjegjes. Është e nevojshme të japim llogari para vetvetes dhe para Hyjit. Vetëm në këtë mënyrë jeta jonë do të jetë më cilësore dhe më e mirë. Në mbarimin e ditës është koha më e përshtatshme që të ndalem dhe të shikoj si ishte dita ime. Këtu duhet parë të mirën që bëra dhe ta falënderoj Zotërinë për të. Gjithashtu është e nevojshme t’i shoh hapat e gabuar, veprimet e gabuara dhe t’i lutëm Zotërisë që të më fal dhe këto gjëra nesër t’i bëj më pak. O Zot, me ndihmo që të dijë në lutje të meditoj për jetën time.

Qartë, suksesi i nxënësve ishte i madh. Këtë gjë e kuptojmë nga turma e njerëzve që ishte bashkuar rreth tyre dhe Jezusit. Këtu kishte pështjellim të madh prandaj Jezusi do që nxënësit e tij të tërhiqen në vetmi dhe në qetësi ku do të meditojnë për ato që kanë bërë derisa i kishte dërguar në mision.

32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre.

Turma vërtetë është e entuziazmuar. Edhe pranë përpjekjes që në ndonjë vend të gjënë qetësi, Jezusi dhe nxënësit nuk ia dalin. Njerëzit i rrethojnë. Kudo që të shkojnë ata shkojnë pas tyre. Aq më shumë arrin përpara tyre.

Pranë përshtypjes që mund të kem se të tjerët kanë nevojë për mua, më duhet të përpiqem që dita ime t’i ketë çastet e heshtjes dhe të qetësisë, që të dijë të tërhiqem dhe të hesht para Zotërisë.

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Dashuria e Jezusit për njerëzit është më e fortë se çdo gjë tjetër. Kësaj here nuk ka paqe as qetësi për ta. Jezusi është i urtë. Tani duhet tu kushtojë kohë njerëzve që ishin si delet pa bari. O Zot, më ndihmo që edhe unë të jem i urtë që të dijë t’i përshtatem asaj gjëje që është më e rëndësishme dhe më e nevojshme.

 


Current track

Title

Artist