Shenjti i ditës – 26 janar – Shenjtërit Timoteu dhe Titi

Written by on January 24, 2017

Shën Timoteu ipeshkëv e martir (+97)

            «Bir i vërtetë në fe» e quan shën Pali Timoteun e ri, i cili ka jetuar në ambjentin e Apostullit. Kishte lindur në Listër dhe këtu shën Pali e kishte takuar gjatë udhëtimit të parë misionar. Ai ishte  edhe një ndër të parët që i besoi  Ungjillit, pranimi i tij qe total, në harmoni të plotë me ftesën e Krishtit: «….. pastaj eja e më ndiq».

            Që nga ai moment Timotetu e ndoqi hap pas hapi aventurën e Apostullit të njerëzve, bashkë me të cilin e gjejmë në Filipe dhe në Selanik, më pas në Korint, Efes dhe Romë, ishte dishepull shembullor përsa i përket dëgjesës, maturisë dhe guximit. Mbante kontaktet mes mësuesit dhe bashkësive të reja të krishtera të sapo formuara dhe u dorëzonte letrat. Pali e kishte vënë në krye të Kishës së Efesit dhe si një baba i mirë i dërgoi dy letra të mrekullueshme për ta udhëhequr dhe inkurajuar. Në njërën prej këtyre, në të dytën të shkruar nga burgu romak, apostulli i «vjetër» e lut birin «e ri» t’i sjellë tabaren për t’u mbrojtur nga të ftohtit, hollësi jo dytësore për një reflektim mbi varfërinë e vërtetë ungjillore. Sipas një tradite të vjetër, Timoteu u vra me gurë sepse dënoi publikisht kultin ndaj Dionisit.

 

Shën Titi, ipeshkëv (+96)

            Një tjetër dishepull i dashur i shën Palit, i kthyer nga paganizmi dhe i pagëzuar nga vetë Apostulli, me të cilin bëri udhëtimin e tretë misionar. Pas burgimit romak, në kthim dy misionarët kaluan nga Kreta dhe këtu Pali u nda nga dishepulli duke e lënë në krye të kësaj bashkësie të krishterë. Edhe atij apostulli i shkroi një letër, një prej të ashtëquajturave letra baritore, e rëndësishme për informacionet që ofron për jetën e brendshme të bashkësive të para të krishtera. Nga Kreta, Titi e mbërriti sërish mësuesin, i cili ishte kthyer në Romë. Është e mundur që dishepulli i ri është dërguar nga Apostulli për të ungjillëzuar Dalmacinë, ku kulti i tij është akoma shumë i përhapur. Sipas një tradite të vjetër, Titi ka vdekur në moshë të shkuar në Kretë.


Current track

Title

Artist