Shenjti i ditës – 23 janar, Shën Vinçenc Paloti, meshtar, themelues (1798 – 1850)

Written by on January 21, 2017

Shenjti i ditës – 23 janar, Shën Vinçenc Paloti, meshtar, themelues (1798 – 1850)

 

            Pas vdekjes së themeluesit të saj, Shoqëria e apostullatit katolik sapo i numëronte dymbëdhjetë pjestarë. Dhe megjithatë historia e jetës së shën Vinçenc Palotit, i kanonizuar në vitin 1963, i ka të gjitha ngjyrat e zellit dhe vullnetit të misionarëve të mëdhenj, aq sa ka merituar titullin e pajtorit kryesor të Bashkimit Papnor Misionar të Klerit. Të tjerë mbjellin e të tjerë korrin. Fara e shpërndarë me vështërsi dha më pas fryte të mëdha, sot instituti i tij numëron rreth tre mijë pjestarë në 354 shtëpi të shpërndara në të gjitha kontinentet.

            Vinçenc Paloti, roman me familje fisnike, meshtar në vitin 1820 dhe mësues teologjie, iu kushtua përkujdesjes së të sëmurëve me kolerë, pastaj themeloi një Kongregatë (Palotinët ose Shoqëria e apostullatit katolik) e cila njësoj si Instituti bashkëkohor i Bijëve të Bamirsisë i themeluar nga Anton Rosmini, pati kujdes të veçantë për misionin në Angli, në këtë vend ajo mbërriti në vitin 1844, grigjë e vogël mes njerëzve kundërshtarë, për të mësuar varfërinë e skajshme. Rregulli i parë, i formuar në vitin 1839, i vënë nën mbrojtjen e Mbretëreshës së Apostujve, u hapi pjestarëve të paktë një fushë të gjërë veprimi si, mësimi katekistik, predikimi në misionet popullore, ushtrime shpirtërore, shtypi katolik, shkolla, ministria e shenjtë dhe ndihma për klerin shekullar. Pjestarët janë të varur direkt nga papa dhe zënë në Kishë një pikë të mesme mes klerit shekullar dhe atij rregulltar. Piu i IX, vlerësues i madh i Vinçenc Palotit, e përkrahu veprën (ia kishte ndërruar madje edhe emrin duke e quajtur Shoqëria e Përshpirtshme e Misioneve), e cila pati një zhvillim mjaft të madh me pasardhësit e themeluesit të shenjtë, në veçanti me don Jozef Faà Brunon (1869 – 1899), i cili do të konsiderohet themeluesi i dytë. Palotinët shkuan në Amerikë dhe në Afrikë; në Kamerun gjetën vetëm katër katolikë: pas njëzet e gjashtë vitesh mision, para se të përjashtoheshin në vitin 1916, të pagëzuarit ishin 41. 451, katekumenët (ata që përgatiten për pagëzim) 29. 219, me pesëmbëdhjetë kisha.


Current track

Title

Artist