Shenjti i ditës – 22 janar – Shën Vinçenci, diakon, martir në 304

Written by on January 21, 2017

Shenjti i ditës – 22 janar – Shën Vinçenci, diakon, martir në 304

 

            Historia e martirit më popullor spanjoll mund të përmblidhet në pak rreshta: i lindur në Hueska, u bë diakon i ipeshkvit shën Valerit në Saragocë; u burgos dhe u çua përpara gjykatësit për t’u procesuar, në kohën e Dioklecianit, me sjelljen e tij të qëndrueshme dhe fjalën e gatshme ua prishi qefin edhe më shumë akuzuesve të tij, të cilët e dënuan me vdekje. Rreth kësaj bërthame historike thuren tregime që kalojnë nganjëherë në kufinjtë e legjendës, por jo shumë, pasi për të na flasin shenjtër si Augustini, papa Leoni dhe një poet me rëndësi si Prudenci.

            Ipeshkvi Valeri, pak i prirur për oratori sepse kishte vështërsi në shqiptim, u shërbye nga diakoni i ri, i pajisur mjaft mirë me kulturë e fjalë, për predikimin e Ungjillit. Ndërkohë  persekutimi i antikrishterë ishte zgjeruar deri në kufinjtë e perandorisë dhe qeveritari i Valencias i burgosi njerëzit më të njohur mes atyre që shpallnin Ungjillin. Valeri e Vinçenci ranë të parët në rrjetë. Atyre iu desh ta përshkonin në këmbë rrugën që nga Saragoca të çon në Valencia prandaj Vinçenci përfitoi nga rasti për t’u dhënë zemër të krishterëve të frikësuar gjatë rrugës. Në praninë e qeveritarit mori fjalën në vend të ipeshkvit për të kundërshtuar akuzat e gënjeshtërta të propagandës së antikrishterë, duke tërhequr mbi vete pikat më të rënda të akuzës.

            Për ta bërë të heshte qeveritari urdhëroi që të torturohej ashpër, e hodhi në një qeli të errët dyshemeja e të cilës kishte një shtresë balte e gjamash të thyer. Vinçenci, aspak i prekur nga kjo situatë, i jepte lavdi Hyjit që e kishte bërë të denjë për të vuajtur mundime të tilla për shkak të Ungjillit. Qeveritari deshi t’ia mohonte këtë gëzim dhe e shtriu në një krevat të butë, pak kohë para se shpirti i martirit të guximshëm të fluturonte drejt qiellit.

            Trupi i martirit u hodh në një fushë të hapur që të shqyhej nga kafshët e egra, këtu iu afrua një korb për ta mbrojtur nga ç’nderimi i fundit. Torturuesit e tij nuk i goditi aspak mrekullia por e hodhën kufomën në det, ku filloi të notonte drejt bregut, pastaj të krishterët e morën dhe e varrosën, dhe në këtë vend më vonë do të ngritet kisha me emrin e tij.


Current track

Title

Artist