MEDITIMI I DITËS – PESHKATAR NJERËZISH

Written by on January 21, 2017

Mt 4, 18-22 PESHKATAR NJERËZISH

 

Kërkoj hirin: që t’i besoj Jezusit që më bën peshkatar njerëzish.

 

O Zot, ti shërove çdo sëmundje dhe çdo brishtësi. Ishe ndihma e të gjithëve. Të gjithë afër teje ndjenin se ti i dëgjon, të gjithë afër teje mbushën me hir. Në ty, Hyji vizitoj popullin e vet. Kalove nëpër Palestinë duke bërë mirë.

Gjithmonë pas teje shkonte turmë e madhe e njerëzve.

Sot edhe ne jemi këtu. Erdhëm sepse na tërhoqi thirrja jote, na tërhoqi fjala jote. Jemi këtu që të gëzohemi me ty, na tërhoqi këtu mirësia dhe dashuria e zemrës sate.

Edhe sot, presim prej teje, o Jezus, që të veprosh në ne dhe mbi ne. Presim që ta shërosh çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popullin tënd. Sot në këtë botë ka njerëz të nevojshëm për ty më shumë se kurrë, janë më të shumët se në kohen kur kalove nëpër Palestinë. Sot ka shumë sëmundje të zbuluara, shume më shumë diagnoza se më parë. Presim ndihmën tënde pasi që në shumë raste e dimë se mjekët janë të pafuqishëm, ata nuk mund ta njohin fshehtësinë e organizmit të njeriut e as të gjejnë diagnozën që qartëson gjithçka. Veçanërisht është vështirë të përcaktohet terapia që çon drejt shërimit. Çdo gjë që është në duart tona njerëzore dhe që varet nga dituria jonë është aq e brishtë dhe e dobët, aq e pasigurt dhe sipërfaqësore sa që nuk mund të mbështetmi aspak në forcat as në dijen tonë.

Na ndihmo, o Jezus!

Eja tek ne edhe sot, ji i pranishëm këtu në tokën tonë, në këtë “Galile pagane” që të kryesh të njëjtat mrekulli siç i bëre atëherë duke ecur nëpër Palestinë. Kemi nevojë për ty, kemi nevojë të madhe për dashurinë tënde, kemi nevojë për ndihmën dhe mbrojtjen tënde.

Prapëseprapë, ndjej, o Jezus, se edhe ti i ke kërkesat tua në marrëdhënie me ne, se ti me fjalën tënde i drejtohesh secilit prej nesh me nxitje të dashurisë së zemrës sate. Ti me thërret: “Eja pas meje!” Nxënësit e tu menjëherë lanë çdo gjë e erdhën pas teje! Bëj që kështu të bëj secili prej nesh, na ndihmo që ecjen tonë pas teje mos ta shtymë për më vonë, bëj që të lëmë gjithçka dhe të vijmë menjëherë.

Pastaj, o Jezus, na thërret që të kthehemi sepse është afruar Mbretëria qiellore. Koha është e shkurtër. Duhet të nisemi pas teje, duhet të përcaktohemi për ty.

Besoj, o Jezus, që sot llogarit me ne sikurse atëherë llogarite me Pjetrin dhe Andreun, Gjonin dhe Jakobin. Besoj se ti na do që t’i shërbejmë veprës së Shëlbimit tënd në përhapjen e Ungjillit! Bëj që të shërohemi në shpirt që të lirë nga çdo frikë të nisemi pas teje!

 


Current track

Title

Artist