Shenjti i ditës – 19 janar – Shën Mario, Marta, Audifaci dhe Abaku, martirë në 270
Written by Radio Maria on January 18, 2017
Shenjti i ditës – 19 janar – Shën Mario, Marta, Audifaci dhe Abaku, martirë në 270
Një emër shumë i zakonshëm siç është Mario nuk duket i lidhur me kujtimin e këtij babai familje, i cili ishte një persian fisnik që kishte shkuar në Romë për të vizituar varrin e Pjetrit apostull, pasi u gjend në mes të një persekutimi të përgjakshëm (atë të Klaudit perandor) iu kushtua me gruan Martën dhe fëmijët Audifacin dhe Abakun veprës së mëshirshme të varrosjes së të krishterëve të martirizuar.
Ngjarja e kësaj familje kurajoze, që e ka paguar me të njëjtin fat d.m.th me martirizim veprën e dashurisë, nuk i ka mallëngjyer korrektorët e kalendarit liturgjik, të cilët në vitin 1960 e hoqën kultin, por jo përshpirtërinë dhe aq më pak emrin e pandalshëm të Marios. Por kush e mban këtë emër preferon ta lidhë me emrin e Marisë, festa e të cilës është me 12 shtator.
Kjo familje u arrestua me akuzën e thjeshtë se ishin të krishterë e megjithëse nuk ishin qytetarë romakë, siç duket tre meshkujt, patën privilegjin, nëse mund të thuhet kështu, që t’u pritej koka. Ndërsa Marta u hodh në Tibër dhe u mbyt. U takoi vëllezërve të tjerë të krishterë që të ribashkonin trupat e tyre dhe t’i varrosinin në varrezën romake të quajtur Ad Nymphas. Emrat dhe data e varrimit janë padyshim të dhëna të sigurta, ndërsa Mundimi që referon për martirizimin e tyre zë fill nga shekulli i VI, dhe paraqet ngjashmëri të mëdha me Mundimin e shën Valentinit, martir i cili nderohet në Flamin. Lexohet se katër të krishterët, të çuar përpara prefektit Flavianit, qenë nxitur pa dobi që t’u kushtonin fli hyjnive. Kjo ishte ajo që kishte vendosur perandori Decio: ata që dyshoheshin se ishin të krishterë, duhej të pranonin kultin pagan duke nderuar statujën e perandorit ose të digjnin kem përpara një idhulli. Refuzimi ishte i barasvlefshëm me dënimin me vdekje.