Shenjti i ditës – 15 janar – Shën Makariu i Madh, vetmitar (300–390)
Written by Radio Maria on January 14, 2017
Shenjti i ditës: 15 janar – Shën Makariu i Madh, vetmitar (300 – 390)
Në kalendar numërohen 14 shenjtër me këtë emër. Shenjti i kësaj dite dallohet nga mbiemri «I Madh» ose më thjeshtë nga emwrtimi «I vjetri» sepse është më i njohuri dhe i pari në kohë. Kishte lindur në Egjiptin e Vjetër, në një ambjent që i përshtatej mjaft mirë jetës vetmitare të një të vetmuari.
Makariu që nga rinia e donte vetminë dhe për t’iu kushtuar i pashqetësuar lutjes e meditimit kishte ndërtuar një kasolle në një vend të veçuar. Për të fituar diçka, ose më mirë për të mos qëndruar pa punë, meqenëse papunësia është nëna e veseve, thurte shporta dhe gjëra të tjera nga thuprat, ndërsa ruante delet në kullota. Serioziteti i madh i këtij djaloshi zgjonte kuriozitetin e njerëzve, ose ndoshta edhe përshpirtërinë, prandaj Makariu shkoi të strehohej në shkretëtirë, duke vazhduar gjithashtu përgatitjen për meshtar, që të mund të kremtonte Euharistinë në bashkësinë e madhe të kuvendit që vinte duke u rritur gjithnjë e më shumë përreth tij, të cilët i tërhiqte jeta shembullore e Makariut. Shkretëtira megjithatë nuk e mbrojti nga sulmet heretikëve arianë dhe atij iu desh ta kalonte pleqërinë në mërgim, d.m.th larg nga bashkësia e kuvendit të cilin e kishte themeluar.