MEDITIMI I DITËS – FALJA E MËKATEVE

Written by on January 11, 2017

Mk 2, 1-12 FALJA E MËKATEVE

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi në sakramentin e rrëfimit mi fal mëkatet.

 

1 Pas disa ditësh Jezusi u kthye përsëri në Kafarnaum. Kur u mor vesh se gjendej në shtëpi, 2 u mblodhën aq shumë njerëz, sa që s’kishte më vend as para dere. Jezusi u predikonte Ungjillin.

Jezusi është përsëri në Kafarnaum. Sa herë që lajmërohet, menjëherë turma mblidhet rreth tij. E kërkojnë edhe kur është në vende të pabanuara, ndërsa në qytete e rrethojnë menjëherë. Erdhi për shkak të njerëzve, mirëpo nuk dëshiron «të mendohet» sipas dëshirave të tyre. Të kujdeset vetëm për të jashtmen, të përkohshmen dhe materialen, kjo për Jezusin do të thoshte ta tradhtonte vullnetin e Hyjit për shëlbimin e njerëzve. Prandaj refuzon që të mbetet në sipërfaqen e gjërave dhe nuk e pranon figurën që ata kanë për Mesinë. Gjithmonë përpiqet që njerëzve tu shpall Fjalën. Kjo është më e rëndësishme se mrekullitë dhe ndërhyrjet e jashtëzakonshme të cilat njerëzit rreth tij i kërkojnë. Njerëzit gjithmonë kanë kërkuar bukë dhe lojëra.

O Zot, edhe prej nesh kërkon që të jemi më të thellë dhe që të mos i shikojmë ngjarjet në mënyrë sipërfaqësore rreth vetes. Edhe unë shpesh herë përshpejtoj më tepër se sa duhet. Më ndihmo që të jem më i qëndrueshëm, më i durueshëm dhe më i thelluar. Më ndihmo që të dijë ta dëgjoj Fjalën tënde dhe në dritën e saj t’i shqyrtoj njerëzit dhe ngjarjet.

 3 Ndërkaq ia behën disa njerëz, të cilët po sillnin tek ai një të pikuar që po e mbartnin katër vetë. 4 E, pasi prej turmës së njerëzve nuk mund ta shtinin brenda tek ai, zbuluan pullazin në atë vend ku gjendej Jezusi dhe, nëpër vrimë, e lëshuan vigun në të cilin ishte i shtrirë i pikuari.  5 Jezusi, duke parë fenë e tyre, i thotë të paralizuarit: “Biro, të janë falur mëkatet!”

Kjo pamje nuk harrohet dot. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme dhe origjinale. Njerëzit me siguri në çdo mënyrë dëshirojnë të arrin tek Jezusi, por kjo ishte e pamundur për shkak të turmës së madhe që shtyhej në shtëpi dhe rreth shtëpisë. Edhe pse njeriu ishte i paralizuar dhe të gjithë e kishin të qartë se kishte nevojë për ndihmë, nuk ia lëshuan rrugën. Ju mbetet vetëm një gjë, që ta lëshojnë nga çatia. Rrugë tjetër nuk kishte. Vendosën ta bëjnë këtë gjë.

O Zot, këtu kemi një shembull të jashtëzakonshëm që të jemi të qëndrueshëm dhe të kujtueshëm. Më duhet ta pyes vetën sa e kam në vetvete shpirtin e këtyre njerëzve të cilët duke kaluar të gjitha kundërshtimet ia dolën të arrin deri tek ti. Të lutem me ndihmo që vështirësia e parë në kërkimin tënd mos të më ndalojë. Që pengesa e parë në udhën time drejt teje mos të më frikësojë.

Jezusi është i mahnitur me besimin e këtyre njerëzve. Këtu nuk mjaftoi vetëm qëndrueshmëria dhe kujtueshmëria, ishte e nevojshme feja e fort dhe e qëndrueshme. Prandaj duke i befasuar të gjithë, Jezusi i thotë të paralizuarit që të ngrihet se iu falen mëkatet e jo të ngrihet e të ec. Edhe këtu, Jezusi dëshiron para të gjithëve ta paraqes thelbin e misionit të vet. Ai nuk erdhi vetëm që të kryej mrekulli. Kjo gjë nuk është as më e rëndësishmja as më e nevojshmja. Ai shikon zemrën e njeriut dhe brendësinë e tij. Në brendi njeriu është i paralizuar dhe i ndaluar. Ai ka nevojë për ta shëruar dhe për ta liruar përbrenda. Erdhi që ta ndalojë të keqën dhe që ta zhduk mëkatin. Ndër të tjera, në kuptimin e hebrenjve sëmundja dhe vështirësitë tjera a nuk janë të gjitha të lidhura me mëkatin? Prandaj edhe Jezusi dëshiron më shumë të shfaqet si ai që i falë mëkatet, e jo aq shumë si ai që shëron sëmundjet trupore dhe paaftësitë.

6 Aty po rrinin disa skribë. Këta zunë të mendojnë në zemrat e veta. 7 “Ç’po flet ky kështu? Po blasfemon! Kush mund të falë mëkatet përveç një Hyji të vetëm?”

Këtu i kemi njerëzit të cilët nuk e duan Jezusin. Ata e gjykojnë secilin veprim të tij dhe e shohin në mënyrë kritike. Vërtetë, vetëm Hyji ka mundësi të fal mëkatet. Derisa disa njerëz në Jezusin shikojnë një person të lartë dhe të veçantë dhe Jezusi përpiqet ta qetësoj entuziazmin e tyre, të tjerët Jezusin e përjetojnë si një njeri të rrezikshëm dhe e përcjellin që të kenë mundësi ta kundërshtojnë dhe ta pengojnë në veprimtarinë e tij. Tani për tani këtë gjë e bëjnë vetëm me mendime, pak më vonë këtë gjë do ta bëjnë haptas dhe publikisht.

 

8 Jezusi në shpirtin e vet e hetoi menjëherë se ata po mendonin ashtu në vete, andaj u tha: 9 “Pse po mendoni ashtu në zemrat tuaja? Çka është më lehtë? T’i thuhet të paralizuarit: ‘Të janë falur mëkatet’, apo t’i thuhet: ‘Çohu, merre vigun tënd dhe ec!?’ 10 Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë:  11 Unë po të urdhëroj ‑ i tha të paralizuarit ‑ Çohu, merre shtrojën tënde dhe shko në shtëpinë tënde!” 12 Aty për aty i paralizuari u çua në këmbë, mori shtrojën dhe, në praninë e të gjithëve, doli përjashta. Të gjithë mbetën shtang nga habia. I dhanë lavdi Hyjit e thoshin: “Një gjë të tillë s’e pamë kurrë!”

Po, Biri i njeriut, titulli me të cilin Jezusi e thërret vetveten, e ka pushtetin më të madh se sa për të shëruar trupin. Ky pushtet është falja e mëkateve. Pikërisht kjo vepër për disa ishte e pakalueshme që të kishin mundësi ta pranojnë Jezusin. Në Kishë, sakramenti i rrëfimit u bë një ndër shenjat më të mëdha të veprimit të Hyjit në botë. Më ketë veprim, Jezusi dëshiron të thotë se erdhi që tu japë njerëzve faljen e Hyjit dhe në ketë mënyrë të tregojë dashurinë e tij që e shëlbon botën.

 


Current track

Title

Artist