MEDITIMI I DITËS – DORA E JEZUSIT

Written by on January 11, 2017

Mk 1, 40-45 DORA E JEZUSIT

 

Kërkoj hirin: që ta njoh «dorën e Jezusit» në sakramentet që ka themeluar.

 

40 Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” 41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” 42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua.

Gërbula ishte e keqja më e madhe që kishte mundësi ta godas njeriun. Jobi e quan «të parëlindurën e vdekjes». I gërbuluri ishte njeri i dënuar më vdekje të ngadalshme. Askush nuk kishte mundësi t’i ndihmonte, askush nuk kishte mundësi ta shëronte. Të gjithë ishin të detyruar të ikin prej tij. Gërbula shikohej si ndëshkim për mëkate dhe i gërbuluri pranë sëmundjes së vet vuante edhe nga nënçmimi që ia bënin të tjerët. Ndjente dhimbje të dyfishtë: në shpirt dhe në trup, për shkak të përjashtimit dhe të nënçmimit. Në këtë mënyrë shoqëria mbrohej prej këtij infektimi, kjo ishte mënyra që dinte dhe e përdorte. Gjeja më e lehtë ishte që të gërbulurit t’i përjashtonte nga shoqëria dhe ta ndalonte kontaktin e tyre me të shëndoshët.

Një njeri i tillë ia doli që të vinte tek Jezusi. Shfaqja është tepër e dhimbshme dhe tronditëse. Para Jezusit është njeriu që ka arritur të prek fundin e mjerimit njerëzor dhe të vuajtjes. Ky njeri në mënyrë të thjeshtë dhe të përvuajtur i lutet Jezusit. Bie në gjunjë para tij. Qartë, në dhimbjen e vet ky njeri ka mësuar të jetë thellësisht i përvuajtur: nëse do, mund të më pastrosh. Dhimbja dhe vuajtja kanë mundësi të jenë shkollë e madhe për njeriun. Në asnjë vend tjetër më shumë se në vuajtje njeriu nuk ka mundësi të piqet shpirtërisht. Ky është paradoksi i vuajtjes dhe i kryqit.

O Zot, më mëso që në dhimbjen dhe në vuajtjen time mos të dëshpërohem. Bëj që shikimi im mos të mjegullohet, por që të kem gjithmonë forca të mjaftueshme të vij tek ti dhe të të lutem: nëse do, mund të më shërosh.

Jezusi e dinte se çfarë mbante në zemër ky njeri. Skena në përgjithësi e përmalloi. Para tij rri i gjunjëzuar ai që në vetvete mbart të keqen më të madhen dhe i lutet, nuk pretendon as nuk është i mërzitshëm. Kjo gjë e përmalloi Jezusin. Kemi nevojë të ndalemi këtu dhe të kuptojmë ndjenjat e zemrës së Jezusit që janë plot dhembshuri. Duhet soditur prekjen e dorës së tij e cila lëshohet mbi të gërbulurin.

Jezusi përsëri e lëshon dorën e vet mbi të sëmurin dhe e prek. Gjestin e vet e përcjellë me fjalët me të cilat përgjigjet në lutjen e të gërbulurit: «Dua! Qofsh pastruar!» Jezusi e prek «të paprekshmin», atë që askush nuk guxon ta prek që të mos i nënshtrohet infektimit, që të mos bëhet i papastër.

Do të lejoj që këto fjalë të jehojnë në brendinë time. Edhe unë vij tek Jezusi në nevojat e mia. Këto fjalë më flasin edhe mua. Ato me plotësojnë dhe me japin forcën e re për të cilën kam nevojë në jetë. Në zemrën time le të jehojnë fjalët e Jezusit: «Dua! Qofsh pastruar!»

43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësishtë: 44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

Të gërbulurit të shëruar Jezusi i urdhëron me detyrim që mos i tregojë askujt asgjë. Vetëm lë të paraqitet tek prifti që ai ta vërtetojë se është i pastër. Këtë e kërkonte ligji. Jezusi e nderon ligjin. Pranë kësaj duhet paraqitur flinë të cilën gjithashtu e kërkon ligji. Flija dhe vet i gërbuluri i shëruar janë dëshmi për të gjithë ata që besojnë në Jezusin. I shëruari është dëshmitar i pushtetit të Hyjit dhe i veprimit që shfaqet përmes Jezusit.

Këtu jemi para faktit i cili ka mundësi të na turbullojë, e që është i pranishëm vazhdimisht në Ungjillin e Shën Markut. Ky është misteri mesianik. Jezusi gjithnjë ndalon që njerëzit ta shpallin shpejt Mesi. Sa herë që shikon rrezikun e kësaj shfaqjeje, ai iu ndalon personave që të flasin për të. Dëshiron te mbetet «në fshehtësi» edhe pse nuk ndalet duke predikuar Lajmin e gëzueshëm. Dëshiron të mbetet si Shërbëtor i Hyjit i cili nënshtrohet edhe pse prej tij rrezaton pushteti dhe forca me të cilën shëron njerëzit, zbulon të Keqin, dëbon demonët. Jezusi paraqitet para bashkëkohanikëve të vet si një person më shumë kundërshtime. Bën vepra të mrekullueshme në sy të të gjithëve, turma gjithmonë bashkohet rreth tij, prapëseprapë do ta ruaj distancën me njerëzit, iu ndalon që ta tregojnë. Mbetet për ta i pakuptueshëm dhe i fshehur.

O Zot, edhe sot ti je i fshehur dhe «i pakuptueshëm». Hyji «i pamundshëm», siç u shpreh bukur Sharl de Fuko.

45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

A pati mundësi që njeriu ta fshihte atë gëzim të madh që i vlonte në shpirt? U kthye në jetë, përjetoj rilindjen prandaj nuk ka mundësi të përmbahet, nuk ka mundësi të mos e shfaq gëzimin dhe pranë vërejtjes dhe kërkesës së Jezusit. E kuptojmë. Shkëlqente nga lumturia.

Jezusi është besnik ndaj stilit të vet. Nuk do popullaritetin, nuk do duartrokitje. Nuk erdhi për shkak të mrekullive. Duket se njerëzit i interesojnë vetëm ato. Për Jezusin kjo gjë është dytësore. Ai ka gjëra më të rëndësishme të cilat njerëzit duhet t’i kuptojnë. Prandaj tërhiqet në vende të pabanuara.

 


Current track

Title

Artist