MEDITIMI I DITËS – SHËRIMI I BRENDSHËM

Written by on January 10, 2017

Mk 1, 29-39 SHËRIMI I BRENDSHËM

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi ka mundësi të më shërojë përbrenda.

 

29 Dhe menjëherë, posa dolën nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut.  30 Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. 31 Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu.

Pas paraqitjes publike në sinagogë, Jezusi si të dëshironte të tërhiqej në një atmosferë më të qetë. Shkon në shtëpinë e nxënësve të vet. Nga sinagoga kalon nëpër qytet në përcjellje të katër nxënësve që i kishte thirrur. Mirëpo, as në shtëpi nuk e gjen qetësinë. Edhe këtu kanë nevojë për të dhe i luten që tu ndihmojë. Vjehrra e Simonit është e sëmurë.

Jezusi erdhi për të shpallur Lajmin e gëzueshëm. Erdhi gjithashtu për tu ndihmuar njerëzve dhe për të vepruar në të mirë të tyre. Ai e di se nuk mjafton vetëm të flasë dhe se Lajmi i gëzueshëm nuk përbëhet vetëm nga predikimi, por edhe nga ndihma konkrete që iu bën njerëzve. Në paraqitjen e parë publike, gjatë një dite në Kafarnaum, Jezusi tregon se çfarë do të bëjë gjatë krejt veprimtarisë së vet publike. Ai do të predikojë, do të flasë, do të shpallë, por gjithashtu edhe do të kryej vepra konkrete: do të shërojë njerëzit, do t’i shërojë dhe do t’i lirojë nga verigat e së keqes.

Skena në shtëpinë e Simonit është shumë e thjesht dhe shumë konkrete. Kam mundësi ta paramendoj lehtë. Shikoj se si Jezusi e merr për dore të sëmurën dhe e ngrit në këmbë. Ajo përnjëherë shërohet dhe fillon tu shërbejë. Sodisë dorën e Jezusit që shpreh mirësinë. Ky do ti vjen në ndihmë personit që ka nevojë dhe është në vuajtje.

O Zot, dora jote edhe sot është e shtrirë mbi ne. Në secilin sakrament që themelove, ajo vepron hirshëm, jep, forcon, ngop dhe shëron. Edhe ne kemi ethe, të cilat kemi nevojë të na i shërosh. Shtrije dorën tënde dhe preke vetjakinë (egoizmin), zilinë, dembelinë, animet e mia. Më ngritë në këmbë dhe me shëro. E di se këtë gjë ti mund ta besh.

32 Në mbrëmje, në të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurët dhe të djallosurit. 33 Mbarë qyteti u mblodh para derës. 34 Ai i shëroi të sëmurit ‑ ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.

Zëri u hap me shpejtësi në qytet. Menjëherë erdhën dhe i sollën të gjithë të sëmurit. Për shumë pak kohë e mbushën krejt vendin para shtëpisë. Kjo ishte një skenë shumë përmalluese. Si të kishte vërshuar para Jezusit krejt mjerimi i qytetit. Jezusi ka dhimbje për njerëz, ka dhimbje sepse njerëzit vuajnë shumë. Njeriu është i krijuar për lumturi dhe gëzim. I Keqi nuk e lejon që të zhvillohet plotësisht. Mëkati, sëmundja, e keqja fizike dhe morale e ndalojnë rritën e njeriut dhe e bllokojnë në të ndikimin e hirit.

O Zot, kështu ishte edhe në kohen tënde, e kështu është edhe sot. Prandaj ne na duhet të vijmë tek ti, Mjek i trupit dhe i shpirtit. Ne na mundojnë dhe na shtypin shumë sëmundje. Po të lutem, o Jezus, që të më shërosh nga çdo gjë e keqe që është në mua dhe me mundon. Do të shikoj njerëzit rreth meje për të par mundimet dhe dhimbjet e tyre. Po të lutem, o Jezu për ta. Në ambientin ku unë jetoj ka aq shumë mëkate dhe të këqija.

Jezusi iu ndalon shpirtrave të ndyrë të flasin dhe të tregojnë kush është ai. Përsëri nuk dëshiron që të gjitha ta marrinë rrugën e ndonjë euforie. Mbretëria e Hyjit po vendoset ngadalë. Secila zbulesë e parakohshme ka mundësi të jetë e rrezikshme dhe në dëm të planit të Hyjit. Njerëzit kanë nevojë për më shumë fe që të kenë mundësi ta pranojnë Jezusin menjëherë dhe plotësisht. Nevojitet koha dhe durimi.

35 Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje lutej. 36 Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. 37 Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.”38 Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.” 39 Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar djajtë.

Pas predikimit dhe luftës kundër të keqes prej të cilës njeriu vuan. Jezusi vjen në një vend të vetmuar dhe lutet. Për të gjitha dëshiron të bisedojë më Atin e vet në qetësi. Shkon në vendin e pabanuar.

O Zot, ti na tregon sa e nevojshme është që gjatë ditës të gjejmë momentet e qetësisë dhe të heshtjes. Ka rëndësi të madhe që të jemi në vetmi më Atin tonë. Në heshtje kemi mundësi të mendojmë për të gjitha gjërat që i flasim dhe i bëjmë. Kjo është lutja jonë. Në të përgatisim përmbajtjen e brendisë sonë. Pa këto çaste të heshtjes, paqes dhe lutjes jemi në rrezik që të jemi në përshpejtim duke lejuar që të na marrë shtrëngata. Më ndihmo që të dijë t’ia dhuroj kohën time Atit, t’i drejtohem Hyjit nga zemra. Nga kjo do të jetojë jeta ime e brendshme. Pa këtë gjë jam në rrezik që të jetoj keq.

Pas të gjithave, ti vazhdon më tutje, në vende të tjera, tek njerëzit tjerë. Dëshiron të vish tek secili njeri për t’ia shpallur Lajmin e gëzueshëm. Na ndihmo edhe neve që në vetvete të edukojmë shpirtin tënd misionar.

 


Current track

Title

Artist