MEDITIMI I DITËS – PËRGJIGJEM ME GATISHMËRI

Written by on January 7, 2017

Mk 1, 14-20 PËRGJIGJEM ME GATISHMËRI

 

Kërkoj hirin: që të përgjigjem me gatishmëri në thirrjen që më bënë Jezusi.

 

14 Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit.

Gjon Pagëzuesi e përfundoi misionin e vetë. Në të vërtetë, misionin e tij e ndërprenë në mënyrë të dhunshme. Ndodhi që në të njëjtën kohë, në të njëjtën krahinë, të jenë së bashku Jezusi dhe Gjoni, afër njëri-tjetrit. Secili e kryente misionin e vet të cilin e mori nga Atit qiellor. Gjoni në mënyrë të qartë fliste dhe e shpallte ardhjen e Mesisë dhe drejtonte tek Krishti. Jezusi predikonte Mbretërinë e Hyjit dhe ardhjen e kësaj Mbretërie. Në këtë mënyrë mësimi i secilit ishte në përputhje me tjetrin. Asnjëri nuk e përjetonte tjetrin si kundërshtar as si konkurrent, por si bashkëpunëtorë të panit të Hyjit.

Një ditë e burgosën Gjoni dhe zëri i tij nuk u dëgjua më. Jezusi mbeti vetëm. E kuptoi se tashmë rruga ishte bërë gati dhe se i duhet të punojë derisa është ditë. Burgosja e Gjoni nuk e frikësoi. Ai kalon në Galile, në vendin e vet dhe aty e filloi predikimin. Tani filloi veprimtaria e tij e madhe.

O Zot, më jep forcë që mos të kem frikë nga vështirësitë dhe kundërshtimet të cilat i takoj në realizimin e thirrjes sime. Më duhet të ballafaqohem me to seriozisht. Më ndihmo që të ia dalë në këtë gjë. E di se kam mundësi ta bëj këtë së bashku me ty.

Cila është përmbajtja e predikimit të Jezusit?

15 Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është afër! Kthehuni e besojini Ungjillit!”

Është e nevojshme të shohim mirë se cilën gjë e thekson Jezusi gjatë predikimit. Kemi katër tema: Koha u plotësua. Do të thotë çdo gjë që u përgatit deri me tani erdhi tek plotësia, u plotësua. Të gjithë profetët, Besëlidhja e Vjetër në tërësi, të gjitha u plotësuan. Këtë gjë Jezusi e thekson guximshëm. Mbretëria e Hyji u afrua. Jezusi thotë: Unë e përkryej dhe unë e plotësoj. Më mua po fillon diçka e re. Kjo është Mbretëria e Hyjit. Prandaj duhet të kthehemi. Kjo është tema e tretë e paraqitjes së Jezusit. Të kthehesh nuk do të thotë ta ndërrosh vetëm stilin e jetës. Kthimi është shumë më shumë se sa shndërrimi i mentalitetit. Kjo do të thotë njeriu që u largua nga Hyji të kthehet tek Ai. Të kthehemi tek Hyji dhe të rrimë në gatishmërinë e tij, gatishmëria është fryti i kthimit dhe shenja që kthimi ndodhi. Përveç kthimit Jezusi e kërkon edhe besimin në Ungjill. Kjo do të thotë besimi në ato që Jezusi do t’i shpall, besimi në Lajmin e gëzueshëm. Pikërisht për këtë gjë kthimi dhe besimi gjithmonë shkojnë së bashku. Pa besim nuk ka kthim, kthimi plotësohet në fe.

16 Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë. 17 Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” 18 Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij.

Këtu kemi një shfaqje shumë konkrete. Ja nxënësit e parë. Veçsa ka filluar të predikojë, Jezusi i bashkon rreth vetës nxënësit e vet. Dëshiron menjëherë t’i ketë më vete.

Ai kalon pranë detit dhe shikon njerëzit se si punojnë punët e veta. I pëlqejnë. Punëtorët e tillë dëshiron t’i ketë me vete. Takohet me dy vëllezër dhe ndalon. Krishti ndalet në bregun e detit, i thërret që t’i bashkohen. Kemi thirrjen e thjeshtë, dy vëllezërit lanë gjithçka e shkojnë pas Jezusit. Pa fjalë, pa asnjë marrëveshje. Pa pyet asgjë. Nuk kemi asnjë, përse! Nuk kemi asnjë pyetje: ku?

Jezusi e ka nismën e plotë. Vëllezërit, thjesht shkojnë pas tij. Simoni e Andreu hyjnë në «aventurën e Hyjit» pa ditur aspak se ku do t’i sjell kjo. Kjo gjë në atë çast as që i intereson. Të vetmen gjë që kanë për zemër është që të shkojnë pas Jezusit kudo që të shkojë. Ky është shembulli se si duhet të përgjigjemi në thirrjen e Jezusit.

19 Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. 20 Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeut në lundër bashkë me mëditësit dhe shkuan pas tij.

Pothuajse e njëjta dukje. Dy vëllezër tjerë nisën pas Jezusit. Edhe ata menjëherë i lanë të gjitha dhe shkojnë. Si të ishin duke pritur gjatë gjithë jetës këtë çast, si të ishin duke pritur vetëm këtë person. As këtu nuk kemi kurrfarë dialogu. Çdo gjë është krejtësisht e qartë. Rabinin e Nazaretit nuk ka mundësi ta kundërshtojë askush. Njeriu nuk ka mundësi t’i bëj ballë shikimit të tij, nuk ka mundësi të mos e plotësojë fjalën e tij. Ai di çfarë do dhe atë gjë e zbaton menjëherë.

Jezusi edhe sot kalon nëpër këtë tokë dhe i thërret nxënësit. Do të lutem për të gjithë njerëzit që e dëgjojnë thirrjen e Jezusit dhe mendojnë për të. Do të lutem që të përgjigjën me guxim siç bënë të thirrurit e parë.

 


Current track

Title

Artist