Shenjti i ditës – 2 janar – Shën Basili dhe Gregori, ipeshkëv dhe mësues të Kishës
Written by Radio Maria on December 31, 2016
Shën Basili i Cesaresë ipeshkëv dhe mësues i Kishës (330 – 379)
Ka pasur një jetë të shkurtër, ka jetuar deri në moshën dyzet e nëntë vjeçare, por jeta e tij ishte përplot me aktivitete dhe me shumë nisma frytdhënëse të cilat ia mundësuan të marrë titullin “i madh“. Nuk i mungoi shembulli i mirë në familje: gjyshja, nëna, motra dhe dy vëllezërit janë të stolisur si ai nga shkëlqimi i shenjtërisë. Më i riu ndër vëllezërit, Gregori nga Nisa, ashtu si Bazili është në mesin e tre njerëzve të mëdhenj që dha Kapodokia (i treti është Gregori Naziancen, që përkujtohet po në këtë ditë).
Para së të zgjidhej ipeshkëv në Cesarenë e Kapadokisë ku kishte lindur, Basili kishte shtegtuar në Palestinë dhe në Egjipt, i tërhequr nga thirrja e jetës monastike që bëhej në kuvendet e para të krishtërimit. Pastaj themeloi një kuvend të tijin duke shkruar Rregullin e famshëm, që do të imitohet në rrjedhën e shekujve edhe në perëndim. Por qetësinë e qelisë në kuvend do të mund ta gëzojë vetëm për pak kohë, sepse në moshën dyzet vjeçare do të merret gati me forcë për t’u vendosur në selinë metropolitane të Cezaresë. Këtu iu desh të zbriste menjëherë në fushë, sipas shembullit të Atanasit të madh, për të penguar përhapjen e herezisë ariane, e përkrahur nga vetë perandori i Kostandinopojës, Valenti.
Titullin «i madh» e mori për aktivitetin e tij të dendur baritor, siç e dëshmojnë predikimet e tija prekëse, mbi temën e dashur të dashurisë që e shprehu me fakte konkrete, duke themeluar në periferi të qytetit një filial të vërtetë të veprave të bamirsisë, me spitale, laboratore e shkolla. Mes veprave doktrinale është për t’u kujtuar (akoma më mirë, për t’u lexuar) traktati i paarritshëm teologjik mbi Shpirtin Shenjtë.
Shën Gregori Naxiancen, ipeshkëv e mësues i Kishës (329 – 389)
Edhe Gregori është «bir arti»: i ati, Gregori i Vjetri, është në kalendarin e shenjtërve. Mik i Bazilit, Gregori është i bashkuar me të në kujtimin liturgjik, pasi kishte marrë pjesë në të njëjtin formim kulturor dhe në të njëjtën thirrje monastike. Pas studimeve në Athinë e kishte arritur Bazilin në vetminë e Pontos. Pasi u shugurua meshtar, u propozua në ipeshkvinë e Sasimës, preferoi të ishte ndihmës i të atit, ipeshkëv në Naxianco, e pranoi me kundërshtim emërimin në selinë e rëndësishme të Kostandinopojës, ku qëndroi vetëm një muaj.
I hidhëruar nga lufta mashtruese që ia
bënë kundërshtarët, hoqi dorë nga detyra dhe u tërhoq në kuvendin e Ariancit, ku vdiq. Është i famshëm diskutimi i tij i lamtumirës në katedralen e Kostandinopojës: «Çdo gjë është paqëndrueshme», tha, «derisa të mund të duam gjërat e qëndrueshme». Poet dhe shkrimtar i shkëlqyeshëm (grekët e quajnë thjesht «Teologu»), ndihej më shumë rehat me penën se sa me me shkopin baritor.