MEDITIMI I DITËS – KUNDËRSHTOJE TË KEQEN
Written by Radio Maria on December 31, 2016
1 Gjn 2, 29-3, 6 KUNDËRSHTOJE TË KEQEN
Kërkoj hirin: që të besoj se vetëm së bashku me Krishtin kam mundësi ta kundërshtoj të keqen!
29 Nëse e dini se Ai është i drejtë e dini edhe se çdonjëri që e zbaton drejtësinë është i lindur prej tij. 1 Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi!
Kush do të merrte guxim të thoshte se Hyji lindi dhe së është Biri i Hyjit po të mos e përjetonte Hyjin si Atë dhe po mos ta kishte përjetimin e Hyjit si të Atit të vet? Po t’i kishim lexuar në ndonjë roman këto fjalë, ose po t’i kishte shkruar ndonjë nobelist për letërsi, do t’i përjetonim si fjalë interesante të imagjinatës së tij. Këto fjalë këtu janë të jashtëzakonshme sepse dalin nga përvoja personale. Fjalët janë shumë të guximshme, sepse flasin për ato gjëra të cilat, ne të vetmuar, as që guxojmë t’i imagjinojmë. Askush nuk ka shkuar më thellë se Shën Gjoni, që thekson «fatin» dhe gjendjen tonë para Hyjit. Këto fjalë tregojnë se sa e ka përvetësuar mendësinë e Krishtit dhe me hirin e tij dhe të shpirtit Shenjt e lidhi atë me Atin. Më duhet të ndalem para këtyre mendimeve dhe të lejojë që ato të më shndrisin: vij nga Hyji…, çfarë dashurie të madhe tregon Hyji ndaj meje sa që unë kam mundësi të thërras Atë…, jam i lumtur që jam fëmija i tij. Hyji është Ati im. Hyji me do.
Të falënderoj, o Zot, për lindjen time trupore të cilën ma dhuruan prindërit e mi. Të falënderoj për prindërit dhe për çdo gjë që ata bënë për mua. Mirëpo dëshiroj të të falënderoj edhe për lindjen time shpirtërore që buron prej Teje. Jeta jote hyjnore është në mua. Unë jam fëmija yt.
Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. 2 Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
Kush nuk u takua me Hyjin ose kush e mohon dhe lufton kundër tij është në rrezik të madh që ta mohojë edhe njeriun dhe ta fillojë luftën kundër tij. Njeriu pa Hyjin është një e panjohur për vetën e vetë. Nitçe kishte të drejt kur tha: «Kemi varë Hyjin, tani e ka radhën njeriu!» Kush nuk e njeh Hyjin nuk ka mundësi ta njoh as njeriun. Njeriu është plotësisht njeri vetëm kur është fëmijë i Hyjit, kur është biri ose bija e Hyjit. Sa më shumë që Hyji është i pranishëm në mua, aq më shumë e njoh vetveten, e kuptoj dhe e pranoj. Ne i dëgjojmë edhe më tutje fjalët e Shën Gjonit të cilat ai i shkruan në themel të përvojës së vet. Ajo që ai e thotë është e jashtëzakonshme. Ai është i vetëdijshëm se udhëton drejt takimit me Atin dhe me Krishtin. Ndarja nga Krishti me rastin e të Ngjiturit në qiell, të Shëlbuarit, Gjoni e përjetoj si përshëndetje: mirë i takofshim në qiell! Jam i lumtur, o Atë, që jam biri yt, Jam i lutur që udhëtoj drejt takimit me ty. Jam i lumtur që me mbartë virtyti i shpresës e cila me thotë se me presin realitetet shumë më të larta dhe më të ndritshme. Gjatë kësaj jete kam mundësi vetëm me hamendje t’i imagjinoj ato gjëra që do të bëhen realitet kur të takohem me ty, kur të bëj kalimin, kur të fillojë jeta ime e pasosur. Fatmirësisht, mua me përmbush mendimi se vij në takim me ty, se do të jem i ngjashëm me ty dhe do të shikoj ashtu siç je.
3 Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër. 4 Kush bën mëkat, shkel Ligjin, sepse mëkati është shkelja e Ligjit.
Që të jemi të ngjashëm me Hyjin dhe që ta shohim ashtu siç është, që të kemi mundësi të jetojmë në dritë, na duhet t’i plotësojmë disa kushte. Një nga kushtet është që të mos mëkatojmë. Mëkati rrënon në ne çdo gjë që e ndërton hiri. Ai vendos çrregullimin dhe të keqen në jetën tonë dhe në botën në të cilën jetojmë. Derisa jemi në rrugë që na sjell tek takimi me Zotërinë, mëkati fatkeqësisht është, «përcjellësi» jonë besnik. Fatmirësia është se ne kemi mundësi ta kundërshtojmë mëkatin dhe të Keqin. Këtë gjë kemi mundësi ta bëjmë me Krishtin në Shpirtin Shenjt. Për këtë arsye rruga jonë tokësore është rrugë e pastrimit – via purgativa. Rruga e shpresës me Zotërinë që është i pastër dhe na ndihmon që edhe ne të bëhemi të pastër. Kjo është rruga e vetme nëpër të cilën kemi mundësi të vijmë deri tek etapa e fundit që quhet – via unitiva, rruga e bashkimi me Zotërinë.
5 Dhe e dini: Jezusi u shfaq për të hequr mëkatet, e mëkat në Të nuk ka. 6 Kushdo qëndron në Të, nuk mëkaton. Kushdo mëkaton, nuk e pa as nuk e njohu Atë.
Shën Gjoni e di se cila është mënyra e cila ka mundësi të na ngushëllojë, dhe që sjell dritë në errësirën në të cilën jetojmë. Nuk janë këto ngushëllime gënjeshtare të cilat i njohim si fjalë të bukura po që nuk kanë në vetvete asgjë tjetër. Themeli i ngushëllimit dhe i gëzimit të vërtetë është Krishti që nuk e bëri qoftë edhe të keqen më të vogël, sepse mëkati nuk pati kurrfarë ndikimi në të. Kjo gjë është tepër e rëndësishme ta kemi para sysh derisa ecim në rrugën e pastrimit. Në qoftë se mëkati hyri në historinë e botës, në historinë time personale, pra në historinë tonë ka ardhur edhe Krishti për të mbizotëruar mëkatin dhe për të korr fitore mbi të. Ai është siguria jonë që të kemi mundësi të luftojmë kundër mëkatit. Të jesh me të do të thotë të jesh jashtë mëkatit. O Zot, të falënderoj që erdhe për shkak të mëkateve të mia. Të falënderoj që kam mundësi të llogarisë në ty dhe që kam mundësi të kapem për kryqin tënd që të mos rrëshqas në tatëpjetën e mëkatit. Më ndihmo që të mbetem në ty, që prania jote të më mbrojë përpara sulmeve të të Keqit. Po të lutem për të gjithë mëkatarët që asnjëherë mos ta humbin shpresën që edhe pranë rënieve të veta të ngrihen dhe te ecin në rrugën e pastrimit deri tek bashkimi i plot me ty.