MEDITIMI I DITËS – KRENARIA E JETËS

Written by on December 29, 2016

1 Gjn 2, 12-17 KRENARIA E JETËS

 

Kërkoj hirin: që të kem mundësi ta kundërshtoj botën që ma ofron epshin e dyfishtë dhe krenarinë e jetës!

 

12 Po ju shkruaj, fëmijëzit e mi: »Mëkatet tuaja janë falur në fuqi të Emrit të tij!« 13 Po ju shkruaj, o etër: »E njohët Atë që është prej fillimit!« Po ju shkruaj, o të rinj: »E mundët Djallin!« 14 Ju shkrova, o fëmijëz: »E njohët Atin«, Ju shkrova, o etër: »E njohët Atë që është prej fillimit«. Ju shkrova, o të rinj: »Jeni të fortë e fjala e Hyjit është në ju dhe e mundët Djallin«.

Shën Gjoni i ka zgjedhur ata të cilëve ju shkruan dhe ju shpjegon çfarë bënë. Ai ju drejtohet atyre që ecin në dritë. Dëshiron tu jep këshillat dhe drejtimet e duhura që të mbetën në rrugën e drejtë.

Secili prej nesh ka mundësi të gjendet në ndonjë prej këtyre grupimeve për të cilat shkruan Shën Gjoni. Vërtetë, më duhet të përsërisë në vazhdimësi këto fjalë kaq të rëndësishme që të hyjnë në thellësinë më të thellë të qenies sime. Të njohësh dhe ta shohësh dashurinë e jashtëzakonshme të Hyjit që paraqitet në falje të mëkateve dhe të jesh mirënjohës për të. Kjo me nxit që të jem në dritën e Hyjit dhe të mos mëkatoj më. Të jetoj si fëmijë i Hyjit në hir dhe në dritë është nxitja e fortë e cila na ndihmon këtyre ditëve të përjetojmë lindjen e Birit të Hyjit të cilin e nderojmë si foshnje të vogël.

Edhe etërit në moshën e tyre të pjekur duhet të mbështetën në njohjen e Hyjit, në sigurinë dhe stabilitetin e tij, në atë gjë është nga amshimi. Gjithmonë jemi në rrezik që në moshën e pjekur ta harrojmë burimin tonë themelor, të mendojmë vetëm në veten tonë dhe në fuqitë tona, në atë që kemi arritur dhe konkretizuar. Atëherë jemi në rrezik të ndërtojmë hambarët më të mëdhenj për të lashtat që kemi mbledhur dhe të kënaqemi në to duke harruar paqëndrueshmërinë dhe kalueshmërinë e jetës.

Shën Gjoni i drejtohet të rinjve. U tërheq vërejtjen për fuqinë e tyre që vjen nga Hyji dhe në fjalën e Hyjit që është në ta. Kanë nevojë për fuqi që të ballafaqohen me të Keqin, fjala e Hyjit është siguria së do ta mbizotërojnë. Por është e nevojshme që ata të jenë të angazhuar dhe të veprojnë. Kanë nevojë që ta kultivojnë lutjen. Më këtë gjë ua tha të gjitha gjërat për të cilat kanë nevojë në jetë, që janë lutja dhe puna. Ky është programi jo vetëm në kohën e rinisë por gjatë gjithë jetës.

Gjoni flet për të Keqin. Jeta dhe miqësia me Hyjin nuk vinë vetvetiu dhe pa asnjë angazhim dhe përpjekje. Ekziston një qenie që i ndërmerr të gjitha për ta shkatërruar këtë bashkim. Të qenit në dritë nënkupton luftën dhe fitoren mbi Princin e të keqes. I Keqi nuk është larg e as jashtë botës sonë. Nuk është as ndonjë qenie jo ekzistuese dhe e imagjinuar. Jeta jonë nuk realizohet pa hy në luftë  me kundërshtarin.

15 Mos e doni botën as gjërat që i përkasin botës. Nëse ndokush e do botën, në të nuk është dashuria e Atit. 16 Sepse çdo gjë që është e botës: – lakmia e mishit dhe e gjakut, lakmia e syve dhe krenaria e jetës – nuk është prej Atit, por vjen prej botës.

Bota në të cilën mendon dhe jeton Shën Gjoni gjithmonë është diçka e rrezikshme dhe negative. Kjo është bota që mendon dhe llogaritë vetëm në vetvete. Kjo është bota e mbyllur në vetvete. Në këtë botë nuk ka vend për Hyjin. Përkundrazi, Hyji përjetohet si kundërshtar dhe si ai që e rrezikon botën dhe njeriun. Prandaj duhet kundërshtuar. Prandaj Shën Gjonit tërheq vërejtjen me seriozitet për rrezikshmërinë e kësaj bote. Mirëpo ai nuk imagjinon asgjë as nuk flet prej vetvetes. Mësuesi i tij tërhoq vërejtjen se nuk kemi mundësi tu shërbejmë dy zotërinjve, se nuk kemi mundësi t’i shërbejmë Hyjit dhe pasurisë. Pranë të gjithave, Hyji e do këtë botë ashtu siç është. Hyji është i qëndrueshëm në dashurinë e vet. Këtë gjë nuk do ta kuptojmë kurrë aq sa duhet. Hyji me do ashtu siç jam. Më do, edhe pse e mbarti në vetvete këtë botë. Më do, mirëpo e gjykon të keqen të cilën duhet ta gjykoj edhe unë. E keqja është aq e qartë: epshi i dyfishtë dhe krenaria. Kjo është gjykuar. Egoizmi, vetëmjaftueshmëria, mendjemadhësia. Të mbartë këto në vetvete do të thotë të kalosh pranë Hyjit dhe të luftosh kundër Hyjit. Shën Gjoni shikonte botën rreth vetës, botën e perandorisë romake që ishte e kalbur dhe e prishur. Kjo perandori po shkatërrohej në vetvete nga epshi i mishit, nga dëfrimet e përgjakshme në arenë dhe në cirk. Shkatërrohej për shkak të mbizotërimit të pakicës së pasur që kishte pushtetin mbi shumicën krejtësisht të varfër. Botën e tillë nuk kemi mundësi për ta dashur as që  guxojmë ta duam nëse jemi me Hyjin dhe nëse e duam Hyjin. Bota e tillë nuk mund të mbijetojë.

Po bota jonë? Po bota ime e vogël?A është i pranishëm në të epshi i dyfishtë dhe krenaria e jetës? Çfarë është kjo bota jonë e internetit dhe të mediave tjera, i afroditizimit, siç e ka quajtur Bergsoni.

O Zot, me ty së bashku dëshiroj të luftoj kundër botës së tillë që ma ofron epshin e trupit dhe të syve, që dëshiron të më mbulojë me mantelin e krenarisë. Vetëm me ty kam mundësi ta kundërshtoi të Keqin. Vetëm me ty kam mundësi ta vendos fisnikërinë në botë.

 17 Bota kalon dhe lakmia e saj, kurse mbetet në amshim ai që kryen vullnetin e Hyjit.

Çdo gjë kalon. Fuqitë e kësaj bote, të gjitha qytetërimet, kulturat, perandoritë, thjeshtë, bota kalon. Çdo gjë që është njerëzore është aq e dobët dhe e kalueshme. Çdo gjë i përngjan frymës. Vetëm Hyji mbetet. Bota është e kalueshme, por jeta jonë mbetet. Jeta është e përjetshme. Jeta ime personale gjithashtu.

O Zot, dëshiroj që jetën time ta jetoj me ty. Kam një jetë të vetme dhe nuk guxoj ta kaloj në kotësi. Dëshiroj që jeta ime të jetë në jetën tënde, që ta plotësoj vullnetin tënd që bota mos të më vërshojë e mos të me marrë me vete. Me ty mund të jem i sigurt se do të mbetem për amshim.

 


Current track

Title

Artist