Shenjti i ditës – 30 dhjetor – Shën Savini, ipeshkëv e martir (+303)

Written by on December 29, 2016

Shenjti i ditës – 30 dhjetor – Shën Savini, ipeshkëv e martir (+303)

 

            Savini është njëri prej martirëve më të njohur të Italisë qëndrore. Shumë kisha mburren se i ruajnë relikët e tij, mes të cilave Ivrea dhe Ravena, Fermo e Peskara, Siena e Roma. Sipas shën Pjetër Damianit ky nder do t’i takonte vetëm Imolës. Sipas Mundimit sancti Sabini shenjti ka lindur në Sulmona. Prej këtu kishte ikur në moshë të re për t’u bërë vetmitar në Silva Liba, d.m.th në Fusinjano. Një ditë iu shfaq një engjëll dhe e ftoi të shkonte në Asizi për të predikuar ungjillin. Populli i qytetit umbrez, i mahnitur nga zelli dhe dija e madhe, e shpalli ipeshkëv. Pasi shpërtheu persekutimi i përgjakshëm  i Maksimit, ipeshkvi i Asizit u arrestua dhe u procesua me ipeshkvin Esuperancin, Marçelin, Venusianin dhe shokë të tjerë, të cilët kalendari i përkujton sot bashkë me ipeshkvin Savinin.

            Mundimi hyn në thellësitë e procesit dhe të dënimit. Kur gjykatësi Venusiani i urdhëroi të krishterët e Asizit t’u kushtonin fli hyjnive, si përgjigje të prerë Savini e hodhi në tokë dhe e copëtoi statujën e Jovit. Ky gjest i kushtoi shtrenjtë. Gjykatësi ia preu të dyja duart dhe e dërgoi në burg. Një zonjë e përshpirtshme, Serena, u kujdes për të dhe ipeshkvi ia shpërbleu duke shëruar një mbesë të sajën që ishte e verbër. Gjykatësi Venusiani, që ia kishte prerë duart, vuante vetë nga një sëmundje e rëndë në sy, pasi mori vesh për mrekullinë që bëri Savini, shkoi në burg për ta vizituar. I kërkoi të falur se e kishte gjymtuar ashtu dhe duke qenë i gatshëm për t’u kthyer, i kërkoi ta mësonte në besimin e krishterë. Venusiani u pagëzua dhe ndau më pas me Savinin martirizimin. Ai ishte shëruar mrekullisht nga sëmundja në sy në momentin e pagëzimit, dhe ajo që ka më shumë rëndësi, ipeshkvi e kishte ndriçuar mendjen e tij, duke e qartësuar nga errësira e gabimit. Pasi u transferua në Spoleto, ipeshkvi Savini u fshikullua disa herë me radhë dhe iu pre koka. Për këtë ngjarje ka një dëshmi të sigurtë në bazilikën e varrit afër Spoletos, kushtuar atij.


Current track

Title

Artist