Shenjti i ditës – 29 dhjetor – Shën Tomë Beket, ipeshkëv e martir (1118 – 1170)

Written by on December 28, 2016

Shenjti i ditës – 29 dhjetor – Shën Tomë Beket, ipeshkëv e martir (1118 – 1170)

 

            Toma dukej i përcaktuar që i ri për një karrierë të shkëlqyer civile dhe kishtare. I lindur në Londër nga prindër norman, e mori arsimin e parë në abacinë e Merton, pastaj u dërgua në Paris dhe në Bolonjë për të përfunduar studimet in utroque iure nga arqipeshkvi i Kanterbury, Teobaldi, i cili e emëroi pas ardhjes së tij, kryediakon të Kanterbury. Edhe mbreti Henriku II i vërejti dhuntitë jo të zakonshme të diakonit Tomës dhe e zgjodhi ministër të mbretërisë. Një zgjedhje e mençur. Toma zotëronte ambicie e guxim dhe kur ishte e nevojshme nuk ngurronte të vihej përkrah mikut mbret në betejat e shumta dhe mbi të gjitha në lojrat plot gjallëri të shoqërisë. Njeri bote më shumë se Kishe. Por kur mbreti ia propozoi papës si pasardhës të arqipeshkvit Teobaldit, i bindur se do kishte në të një aleat të mirë, ndodhi në Tomën një ndryshim rrënjësor.

            Kryediakoni «i përfolur» u shndërrua në një bari të zellshëm shpirtërash. E kishte paralajmëruar mbretin: «Zotëri, nëse Hyji lejon që unë të bëhem arqipeshkëv i Kanterbury, do të humbas miqësinë e madhërisë suaj». Dhe kështu ndodhi. Pasi u shugurua meshtar më 3 qershor 1162 dhe pasi u shugurua ipeshkëv ditën më pas, Toma nuk vonoi t’i prishte punët me  mbretin, kur refuzoi t’i njihte  rregullat e Klarendonit në 1164 që vendosnin disa privilegje të palejueshme të mbretit  kundrejt Kishës. Toma për t’iu larguar hakmarrjes së mbretit shkoi në Francë dhe për gjashtë vite bëri jetë pendestare në një kuvend çisterçens. Papa Aleksandri III, me të cilin Toma u takua, i këshilloi maturi. Pasi u pajtua me mbretin, arqipeshkvi mundi të hynte në dioqezën e tij, i mirëpritur triumfalisht nga besimtarët e tij. Por Toma nuk krijonte iluzione për vullnetin e mirë të mbretit dhe u tha qartë njerëzve të tij: «Jam kthyer për të vdekur mes jush». U vra faktikisht në katedralen e tij nga vrasës të paguar prej mbretit. Arqipeshkvi ishte paralajmëruar për rrezikun kërcënues por qëndroi në vendin e vet: «Frika e vdekjes nuk duhet të na e humbë nga shikimi drejtësinë». I kishte larguar ipeshkvinjtë që kishin pranuar e nënshkruar kushtet e Klarendonit. I gjeti vrasësit e mbretit të veshur me veshjet e shenjta dhe lejoi ta thernin me thikë duke murmuritur: «E pranoj vdekjen në emër të Jezusit dhe për Kishën». E gjithë Anglia e shpalli martir dhe tri vite më pas Aleksandri III e vërtetoi këtë titull duke e kanonizuar.


Current track

Title

Artist