MEDITIMI I DITËS – DRITA HYJNORE

Written by on December 28, 2016

1 Gjn 2, 3-11 DRITA HYJNORE

 

Kërkoj hirin: që të besoj në dritën e Hyjit në të cilën kam bashkimin me Të!

 

3 Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tij. 4 Kush thotë: »Unë e njoh Atë«, por nuk i mban urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.

Shën Gjoni është apostulli i dashurisë, i dashurisë së vërtetë, të Krishtit që nuk iu përket vetëm ndjenjave ose vetëm e fjalëve por që i ka edhe veprat. Fjala është e veçantë dhe e ëmbël siç është fjala jonë kur flasim për dashurinë. Por ai është gjithashtu i fuqishëm dhe kërkues në pohimet e veta. Të krishterët i quan «fort të dashur». Të tillë janë të gjithë ata që ndjejnë dhe e dinë se Hyji i do, sepse Krishti prej dashurisë që ka për ta e flijoji jetën. Për këtë gjë duhet të jenë të vetëdijshëm. Edhe unë jam i dashuri. Hyji këtë gjë ma tregon në aq shumë mënyra! Por, a e njoh unë bisedën e dashurisë së Hyjit me anë të cilës me drejtohet?

Ta njohësh Hyjin Atë, ta njohësh Jezu Krishtin dhe Shpirtin Shenjt, ta njohësh bisedën e Hyjit që nuk mësohet nga librat. Kjo gjë nuk është rezervuar vetëm për të diturit dhe për ata që do të duhej ta zbulonin në përmasën intelektuale. Kjo është njohuri jetësore, njohuri përvoje dhe ekzistenciale. Njeriu i Hyji është ai që e njeh Hyjin dhe i ruan urdhërimet e tij, ai që e kryen vullnesën e tij. Bindja urdhërimeve është shenja e dashurisë konkrete ndaj Hyjit dhe rruga në të cilën e njohim Hyjin. Gabimet tona dhe thyerja e urdhërimeve të Hyjit tregojnë qartë se në cilën përmasë dhe në cilën shkallë të njohjes së Jezu Krishtit jemi. Kjo do të thotë se jeta jonë morale tregon qartë se në cilën shkallë të njohjes së Birit të Hyjit jemi. Ai që thotë se e njeh Krishtin, por nuk i mban urdhërimet e tij, është rrenacak! Gënjeshtra është shenja e turpshme e qenies njerëzore.

5 Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtet dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. 6 Kush thotë se qëndron në Të i duhet të ecë udhës nëpër të cilën eci Ai.

O Zot, dua t’i mbaj urdhërimet e tua. Po të lutëm më mbush me dashuri për fjalën tënde dhe për urdhërimet e tua. Dua të mbetem tek ti. Po të lutem, bano në mua. Po me thërret që të eci në udhën tënde dhe të bashkohem me ty. E di, rruga jote nuk është e lehtë, përkundrazi, është shumë largët nga rrugët e gjëra, nga rrugët e pëlqyeshme në të cilat bota ofron kënaqësinë dhe dëfrimin. Mirëpo vetëm në rrugën tënde ka mundësi ta gjej gëzimin e vërtetë dhe harenë. Rruga jote është fshehtësia e shenjtërisë dhe e lumturisë. Ma mëso udhën tënde. Sa jam në ty, o Zot, dhe aq sa me përmbush, aq do te jem i mbushur me dashurinë tënde, aq do të mendoj si ti dhe do të veproj si ti. Më mirësinë tënde që është në mua edhe unë jam i mirë. Më butësinë tënde me të cilën me përmbush edhe unë jam i butë. Me pastërtinë tënde, me lutjen tënde, më të vërtetën tënde, me dritën tënde… Ti dëshiron përmes meje përsëri dhe për çdo ditë të mishërohesh. Ti dëshiron përmes meje të jetosh. Më ndihmo që të paraqes në mënyrë të dukshme ashtu siç je. Bëj që në mua të jetë dashuria e përsosur.

7 Të dashurit e mi, nuk po ju shkruaj për një urdhër të ri, por për urdhrin e vjetër, që e patët që në fillim. Ky urdhër i vjetër është fjala që e dëgjuat. 8 Prapëseprapë ky, për të cilin po ju shkruaj, është urdhër i ri – vërtetohet në Të dhe në ju – pse errësira po kalon e drita, ajo e vërteta, po ndriçon.

Shën Gjoni nuk dëshiron të paraqes asgjë të vetën, prandaj asgjë nuk imagjinon. Të njëjtën gjë e ndjente Shën Augustini kur fliste për të vërtetën e vjetër që është gjithmonë e re. Për të gjithë ne këto mendime, urdhërime dhe fjalë, edhe pse janë thënë dhe janë shkruar para shumë kohe, bëhen të reja kur i marrim seriozisht në zemër. Shën Gjoni shkruan për gjërat që aq shumë i pëlqejnë, për temën e dritës dhe të errësirës. Sado që fjala e tij është kërkuese, ai është i qartë. Të gjithë e dimë se çfarë është errësira dhe çfarë është drita, çfarë simbolizon njëra e çfarë simbolizon tjetra. Këto elemente e përjashtojnë njëri-tjetrin dhe nuk mund të jenë së bashku. Të jesh në errësirë do të thotë të jesh me të Keqin dhe të bësh të keqen. Të jesh në dritë do të thotë të jesh me Hyjin dhe të bësh mirë.

9 Kush thotë: »jam në dritë«, por e urren të vëllain, ai mbetet ende në errësirë. 10 Kush e do vëllain e vet, ai është vazhdimisht në dirtë, në të s’ka asgjë që ta bëjë të gabojë.  11 Kush e urren vëllain e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon, sepse terri ia ka verbuar sytë.

Dashuria dhe drita rrinë së bashku. Kur jemi në dashurinë e vërtetë, çdo gjë është në dritë dhe çdo gjë afrohet afër nesh. Nuk kemi mundësi të themi se jemi në dritë në qoftë se nuk e kemi Shpirtin e Hyjit dhe nuk i zbatojmë urdhërimet e tij. Zemra që do dhe që është në dritë, ajo është e hapur për tu takuar dhe për ta pranuar vëllain. Urrejtja dhe dashuria nuk shkojnë së bashku. Këto janë fjalët tjera për dritën dhe errësirën. Na duhet të dimë ta dallojmë errësirën në vetën tonë që të kemi mundësi ta kërkojmë dhe të lutemi për dritën. Nuk është e lehtë as e thjeshtë për të dashur. Kjo gjë është kërkuese dhe kërkon vetëmohim. Mirëpo çfarëdo të bëjmë nga dashuria është dashuri. Ekziston rreziku që këtë gjë ta konsiderojmë të lehtë, atëherë përjetojmë dëshpërim sepse jetojmë në iluzione.

O Zot, po të lutem, më shndrit përbrenda. Më pasuro shpirtërisht. Kështu do të jem vërtetë i gëzuar dhe i lumtur. Kështu shpirti dhe zemra ime nuk do të jenë të ngurtësuara. Ndize në to dritën tënde. Vendose dashurinë tënde në to, që në dritën tënde t’i njoh udhët e mia që me drejtojnë drejt teje dhe drejt vëllezërve të mi.

 

 


Current track

Title

Artist