MEDITIMI I DITËS – HYJI ËSHTË DRITË
Written by Radio Maria on December 27, 2016
1 Gjn 1, 5-2, 2 HYJI ËSHTË DRITË
Kërkoj hirin: që të besoj në dritën e Hyjit në të cilën kam bashkimin me Të!
5 Dhe kjo është shpallja që e dëgjuam prej tij dhe po jua kumtojmë juve: Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire! 6 Nëse themi: »Kemi bashkësi me Të«, por jetojmë në errësirë, ne rrejmë dhe nuk e ushtrojmë të vërtetën.
Shën Gjoni është i besueshëm. Ai nuk predikon ndonjë doktrinë të vetën. Nuk na detyron porosinë e vet. Atë gjë që e dëgjoj dhe e përjetoj, atë e shpall. Zotëria i tha të shkojë në mbarë botën dhe ta predikojë Ungjillin, këtë gjë ai tani e shpall.
Shën Gjoni, në përcaktimet e veta të qarta dhe të shkurtra që i bënë për Hyjin është i jashtëzakonshëm. Këtu thuhet se Hyji është dritë. Në fillimin e krijimit, kur toka ishte e shkret dhe e pabanuar, kur errësira mbulonte gjithësinë, Hyji së pari e krijoi dritën. Sa e rëndësishme është drita për ne, sa e nevojshme në jetën e përditshme, për këtë gjë as që jemi të vetëdijshëm. Vetëm kur e takojmë ndonjë njeri që nuk sheh ose kur kemi probleme me sytë, bëhemi të vetëdijshëm për rëndësinë dhe domethënien e kësaj dhurate të Hyjit. Mjafton t’i mbyllim sytë dhe të rrimë për disa çaste në errësirë dhe do të bëhemi të vetëdijshëm për rëndësinë e dritës. Natën, kur nuk ka dritë, nuk shohim asgjë dhe sytë na dukën të pavlerë. O Zot, ti je Drita, Drita e amshueshme dhe e vërtetë. Drita që nuk zbehet, që nuk zvogëlohet dhe nuk i kërcënohet rreziku që të shuhet dhe të zhdukët. Dua të jem në dritën tënde që ta njoh më mirë vetveten dhe të tjerët t’i shikoj më mirë në nevojat e tyre. Jo, unë nuk jam i bashkuar me ty nëse i shmangëm dritës sate për shkak të veprave mia të këqija. Atëherë jam në errësirë dhe gënjej veten dhe të tjerët se jam në bashkësi me ty. Erdhe si dritë në Betlehem. Shndrite errësirën e brendisë sime.
7 Por, nëse ne ecim në dritë, sikurse Ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezusit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 8 Por nëse themi: »Ne nuk kemi mëkat«, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.
Të jesh së bashku me Hyjin do të thotë të jesh në dritë. Nëse jemi në dritë, atëherë kemi mundësi të jemi në bashkësi me njëri-tjetrin. Bashkimin me Hyjin që është dritë dhe dashuri e njohim me anë të besimit dhe të dashurisë vëllazërore. Drita na paraqet ashtu siç jemi. Në dritë gjithçka është në harmoni dhe e dukshme. Hyji është dritë, në të gjithçka është në përputhje mes asaj që thotë dhe asaj që bënë. Më ne nuk është ashtu. Ne i kemi veshur maskat dhe fshihemi pas fasadave. Kjo do të thotë se jetojmë në errësirë. Kjo do të thotë se jemi në mëkat. Nuk jemi njerëz të së vërtetës, por të gënjeshtrës. Nuk jemi në dritë, por në errësirë. Mirëpo gënjeshtra më e madhe është në ne kur e konsiderojmë vetveten pa mëkat. Kjo do të thotë të mbyllesh sytë para vetjakisë (egoizmit) tonë, mendjemadhësisë dhe të gjitha animeve tjera të këqija që i mbartim në vetvete dhe në veprime që bëjmë nën ndikimin e tyre.
9 Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 10 Por, nëse themi: »Ne nuk kemi mëkatuar«, e bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.
Ta pranosh të vërtetën për vetveten dhe ta shikosh vetveten në sy do të thotë ta pranosh pjesën e errët të personaliteti tënd. Kjo në të njëjtën kohë do të thotë të dalësh nga errësira dhe të hyjsh në dritën e Hyjit. Kjo do të thotë të qëndrosh përpara Hyjit mirësi në sakramentin e pajtimit në të cilin i pranojmë mëkatet tona. Aty, pas pranimit tonë përjetojmë mëshirën e madhe të Hyjit. Atëherë në brendinë tonë zhvillohet dhurata e Hyjit që na përmbush më fuqinë e vet dhe e shpërndan pushtetin e errësirës. Kur nuk i pranojmë hijet tona dhe pjesët e errëta nuk do të thotë se gënjejmë vetëm vetveten, por edhe Hyjin që na njeh më mirë se e njohim vetveten.
O Zot, të adhuroj si foshnjë të vogël, që e solli dritën në errësirën botës tonë të errësuar. Po i pranoj mëkatet e mia dhe po të lutëm që të me falësh. Më nxirr nga errësira dhe me vendos në dritën tënde.
2,1 Fëmijëzit e mi, po jua shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati – Jezu Krishtin, Të Drejtin. 2 Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës.
Këtu ndjemë ngrohtësinë e zemrës së Shën Gjonit dhe gjerësinë e dashurisë së tij. Të gjitha këto i mësoj në shkollën e Mësuesit të vet. Mëkati është kundërshtimi i çdo gjëje që është e Hyjit. Është mohimi i të mirës, hirit, dashurisë… Pikërisht për këtë gjë, Shën Gjoni na qorton mëshirshëm dhe na lutet që të mos mëkatojmë. Gjithashtu, na nxit që të mos dorëzohemi nëse mëkatojmë, sepse gjithnjë kemi mundësi të ngrihemi. E kemi Ndërmjetësinë. E kemi Pajtuesin. Atë gjë që nuk ka mundësi të na dhurojë asnjë psikiatri, ka mundësi të na dhurojë sakramenti i pajtimit me Hyjin. Kjo është falja e mëkateve.
Të falënderoj, o Zot, që me fal. Të falënderoj që kam mundësi para teje ta zbraz krejt të keqën time, secilin mëkat që të me lirosh. Të falënderoj që kam mundësi gjithmonë të kthehem. Të falënderoj që kam mundësi të dëgjoj fjalët: tu falen mëkatet.