Shenjti i ditës – 26 dhjetor, Shën Shtjefni, martiri i parë (+35)

Written by on December 25, 2016

Shenjti i ditës – 26 dhjetor, Shën  Shtjefni, martiri i parë (+35)

 

            Martiri i parë i krishterë paraqitet në Veprat e apostujve me rastin e një grindje, ndoshta e para e lindur në bashkësinë e krishterë të Jerusalemit pas Ngjitjes së Jezusit në Qiell: «Hebrenjtë që flisnin greqisht filluan ankesat kundër hebrenjëve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i linin pas dore vejushat e tyre». Bashkësia e parë e krishterë, për të jetuar plotësisht porosinë e dashurisë vëllazërore, i kishte bashkuar të gjitha pasuritë, duke shpërndarë çdo ditë aq sa mjaftonte për jetesë. Një detyrë e tillë iu besua shtatë mbarshtuesve të dashurisë, të quajtur diakonë, të zgjedhur mes njerëzve «në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti». Mes këtyre të shtatëve dallohej Shtjefni, «plot hir dhe fuqi». I cili nuk kufizohej vetëm në dashurinë materiale, por kryente një apostullat të vërtet të fjalës. Dhe e bënte me shumë zell e sukses saqë judenjtë «iu afruan, e kapën dhe e quan në këshill». Pastaj sollën dëshmitarë të rrejshëm të cilët thanë: «Ky njeri vazhdimisht flet kundër Vendit të shenjtë dhe kundër ligjit. Vërtet e dëgjuam duke thënë: Jezusi Nazarenas do ta rrënojë këtë vend dhe do t’i shndërrojë traditat që na i ka lënë Moisiu». Ishte e njëjta akuzë që i ishte bërë disa vite më parë Jezusit.

            Predikimi i Shtjefnit bazohej në një pikpamje katolike të krishtërimit që nuk u pëlqentë as judenjve – të krishterë, akoma të lidhur me traditat hebraike. Përpara këshillit judaik Shtjefni «plot hir dhe fuqi», u përpoq t’i ndriçonte ato mendje të mbyllura ndaj porosisë ungjillore, duke treguar se Hyji zbulohej edhe përtej kufinjëve të tempullit të shenjtë. Por kur bëhej gati për të paraqitur mësimin universal të Mesisë, të mishëruar në Jezusin, si paraqitje përfundimtare e Hyjit, akuzuesit e tij ia ndaluan të vazhdonte «duke lëshuar britma të mëdha, i mbyllën veshët. E qitën jashtë qytetit dhe e vranë me gurë». Këtë e thonë Veprat e apostujve. Pastaj në shekullin V një Martyrium Stephani thuri për figurën e parë të martirit një legjendë të pasur me veçanti. Gjetja e relikëve të tij në vitin 415 nga meshtari Luçjani i Kefar – Gamla e zgjeroi akoma më shumë popullaritetin e këtij shenjti, të cilit i kushtohen vetëm në Romë, tridhjetë kapela dhe kisha, më e famshmja e të cilave është, «Shën Shtjefën Rotondo» në Çelio, e ngritur nga papa Simplici në shekullin e V, u bë qendër shtegtimesh edhe për vetë papët.


Current track

Title

Artist