MEDITIMI I DITËS – DËSHMITARI I VËRTETË
Written by Radio Maria on December 25, 2016
Vap 6, 8-10. 7, 54-60 DËSHMITARI I VËRTETË
Kërkoj hirin: që të më përfshijë Shpirti i Hyjit dhe të jem dëshmitar i vërtetë.
8 Ndërkaq Shtjefni, që ishte plot hir dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha në popull. 9 Po asohere disa prej të ashtuquajturës sinagogë e Libertinëve, Cirenianëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre nga Cilicia dhe Azia u çuan për t’u rragatur me Shtjefnin. 10 Por nuk mund ta përballonin dijen dhe Shpirtin Shenjt në fuqi të të cilit fliste.
Bashkësia e parë e krishterë filloi pak nga pak të formohet. Ndjehej në çdo anë se apostujt nuk kanë mundësi t’i bëjnë të gjitha. Kanë nevojë për ndihmë. Për këtë arsye të Dymbëdhjetët ftuan shumë nxënës dhe në mesin e tyre zgjodhën shtat burra në zë të mirë dhe i bënë djakonë. Në mesin e tyre ishte Shtjefni. Kishin detyrë të shërbenin tek tryezat kur të krishterët e parë bashkoheshin na agape, darka vëllazërore kur bashkoheshin për të kremtuar Eukaristinë. Ata e kishin kujdesin edhe për më të varfrit.
Duket se në mesin e tyre në mënyrë të veçantë dallohej Shtjefni për shkak të plotësisë së hirit të cilin Zotëria ia kishte dhënë e me të cilin ai bashkëpunonte. Prandaj ishte i fuqishëm jo vetëm në fjalë por edhe në vepra. Shpirtrat e fuqishëm ngrisin shumë kundërshtar. Menjëherë u ngritën disa prej sinagogës së të «Lirëve». Këta ishin trashëgimtarët e Hebrenjve të cilët Pompei si skllav i mori në Romë, por që më pas qen liruar. Atyre ju bashkuan edhe disa nga Cirena, Aleksandria, Cilicia dhe Azia. Rragatjet ishin të ashpra, argumentet ishin të fuqishme. Shtjefnin e frymëzonte Shpirti i Hyjit. Iu kishte hapur plotësisht dhe bashkëpunonte me të. Ai nuk paraqiste kurrfarë doktrine personale. Nuk i mbronte zakonet e ngurtësuara të traditës së rreptë. Risia e Lajmit të gëzueshëm shihej në çdo gjë që ei fliste dhe bënte. Prandaj ishte aq tërheqës për të gjithë ata që po e kërkonin të vërtetën dhe ishin të hapur para Shpirtit të Zotit. Shtjefni u bë për kundërshtarët ndalesë e pakalueshme.
O Zot, ty të dorëzohem dhe para teje dua të hapem plotësisht. Më përfshi më atë Shpirt me të cilin rrezatonte Shtjefni. Jepja edhe kohës sonë njerëzit të cilët si Shtjefni do të jenë shenjë e pakalueshme e pranisë sate.
54 Kur i dëgjuan këto fjalë, griheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin me dhëmbë kundër tij. 55 Por Shtjefni, plot me Shpirt Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Hyjit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Hyjit 56 dhe tha: “Ja, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit.”
Shtjefni në zemrën e vet qortonte për sjelljen e Hebrenjve që shfaqej në refuzim, padëgjesë dhe në mosbesim ndaj Hyjit dhe Jezusit. Ai ju thotë se tashmë Hyji nuk kufizohet vetëm në një popull. Jezusi erdhi për arsye të të gjithë njerëzve, për arsye të secilit njeri. Nuk çuditemi aspak që kjo gjë nxiti hidhërimin e kundërshtarëve të tij. Mirëpo tashmë Shtjefnin askush nuk kishte mundësi as ta ndalonte as ta frikësonte. Shpirti i Hyjit e frymëzonte për të folur dhe i jepte fuqi që të jetë i guximshëm dhe pa frikë.
57 Atëherë ata lëshuan një britmë të madhe, i mbyllën veshët dhe u vërsulën të gjithë së bashku kundër tij. 58 E qitën jashtë qytetit dhe e vranë me gurë. Dëshmitarët i ulën petkat te këmbët e një djaloshi që quhej Saul.
Kur mungojnë argumentet e vërteta dhe gatishmëria që të dëgjohet dhe të pranohet e vërteta, atëherë del në pah pushteti dhe fuqia që përdorin dhunën. Nuk ju mbet në dorë asgjë tjetër përveçse të vejnë dorë në Shtjefnin. Kjo është gjëja më e lehtë për të pushtetshmit dhe të fuqishmit. Mirëpo këtu paraqitet edhe një emër që pastaj do shndërrohet në emrin Pal, që do ti duhet ta kalojë një rrugë të mundimshme të kthimit: nga salduesi i të krishterëve tek apostulli i popujve. Të gjitha i shikonte Suli i ri. Nuk kishte mundësi të kalonte në heshtje dhe pranë të gjitha këtyre gjërave. Pyeste: nga i vjen Shtjefnit gjithë kjo urti e mbi të gjitha gjithë kjo fuqi?. A thua nuk ishte këtu fillimi i rrugës së tij të re të kthimit?Mirëpo, ai kësaj pyetjeje ia zuri frymën më zellin që kishte për traditat e të parëve dhe kundërshtimi i çdo gjëje që ishte ndryshe ose në kundërshtim me traditën e farisenjve. Kjo gjë e bëri përndjeksin më të fortë të të krishterëve.
Shtjefni është martiri dhe dëshmitari i parë. Emri i di do të thotë kurorë. Në këtë rast bëhet fjalë për kurorën mbretërore, edhe pse me ferra. Sikur e kishte edhe Mësuesi i tij pas të cilit shkonte. Shtjefni u bë pyetje në zemrat e bashkëkohanikëve të vet, të atyre që shikonin vrasjen e tij me gurë, si edhe të atyre që po e vrisnin.
59 Dhe ndërsa po e mbytnin me gurë, Shtjefni lutej e thoshte: “O Jezus Zot, merre shpirtin tim!” 60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të madh: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” Posa i tha këto fjalë, ndërroi jetë.
Në ato çaste, shikuar në mënyrë njerëzore, të disfatës së plotë, Shtjefni fiton mbi kundërshtarët e vet, ai është më i fortë se vrasësit e vet. Në momentet e fundit të jetë së vet ai është i ngjashëm me Mësuesin që gjithashtu lutej për vrasësit e vet. Shtjefni nuk bie në dëshpërim. Nuk është as hero përçmues, as keqbërës kundërshtues. Ai thjeshtë i përngjan Zotërisë të cilit ia dorëzoj jetën e vet: i butë, fisnik, njeri që nuk tejkalohet dot. Shtjefni ishte i vendosur, por nuk ishte fanatik. Fanatiku në ato çaste do të mallkonte armiqtë e vet ose do t’i përqeshte dhe do të tallej me ta. Njeriu i vendosur rri i qetë prandaj është tërheqës. Ky është kulmi i Ungjillit. Kjo është dashuria që fiton mbi gjithçka, dashuri pa kufij.
Engjëjt e lajmëruan lindjen e Jezusit. Nuk ishte ndonjë gjë e ëmbël, e bukur siç dimë ne të formojmë Kërshëndellat. Ata lajmëruan Shëlbuesin që për ne e dhuroi jetën në kryq. Shtjefni i pari shkoj pas tij deri në fund, deri në flijimin e jetës së vet.