Shenjti i ditës – 25 dhjetor – Lindja e Zotit
Written by Radio Maria on December 24, 2016
Shenjti i ditës – 25 dhjetor – Lindja e Zotit
Me solemnitetin e Krishtlindjes Kisha kremton liturgjikisht nga shekulli IV – dëftimin e Fjalës së Hyjit njerëzve. Lindja e Krishtit festohej në Lindje me 6 janar me emrin e Ujit të Bekuar, që do të thotë «dëftim». Më pas edhe Kisha perëndimore e mirëpriti datën e 25 dhjetorit, ndërsa në Kishën latine u vendos kremtimi i Ujit të Bekuar, festa e fundit e ciklit të Krishtlindjes, për të përkujtuar zbulimin e hyjnisë së Krishtit botës pagane. Liturgjia e Krishtlindjes e formuar në një epokë diskutimesh të ndezura trinitare si reagim ndaj herezisë së Ariusit, thekson me ashpërsi teologjike hyjninë e birit të Marisë, mbretërinë dhe gjithpushtetësinë e Fëmijës së lindur në një stallë. Në lindjen e Jezusit ungjilltari Mateu vë në dukje plotësimin e profecive dhe vendos një urë mes Beslidhjes së Vjetër e të Re.
«Prova më e madhe e Jezu Krishtit janë profecitë», shkruan filozofi katolik Blaise Pascal. Ato janë përgatitja për lindjen e Jezu Krishtit, ungjilli i të cilit duhej të besohej në të gjithë botën. Ishte e nevojshme jo vetëm të kishte profeci që të besohej, por që këto profeci të shpalleshin në të gjithë botën që të përqafohej nga e gjithë bota». Mateu e thekson në ungjillin e tij katërmbëdhjetë herë këtë «përmbushje» të profecive mesianike me një shprehje të tillë: «E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë Hyji me ne! Jezusi u propozohet besimtarëve, hebrenj e paganë, si vula e fundit e pritjes dhe e shpresës së Shpëtimtarit. Kjo është shkruar përmes profetit: «E ti, o Betlehem tokë e Judës nuk je kurrsesi më i parëndësishmi ndër qytet princore të Judës, sepse prej teje do të dalë prijësi, që do ta udhëheqë popullin tim Izraelin». Krishti, filiz i jetës («Krishti ka lulëzuar në mishin e pastër», thoshte Dante), nuk është më vetëm një lajmërim shprese, por tani është realizimi i plotë i këtij premtimi.