MEDITIMI I DITËS – ZEMRA E GATSHME
Written by Radio Maria on December 23, 2016
2 Sam 7, 1-5.8b-12.14a.16 ZEMRA E GATSHME
Kërkoj hirin: që të përgatitem në zemër sa më mirë për takim me Jezusin që lind.
1 Tashti, kur mbreti zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth, 2 i tha Natanit profet: “A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën tendë”!
Arritëm në përfundimin e Kohës së Ardhjes. Në mbrëmje fillon Koha e Kërshëndellave. Në mbrëmje janë Kërshëndellat! Meditojmë për dialogun mes njeriut të Hyjit Natanit dhe Davidit mbret. Mbreti është i vetëdijshëm çfarë jete kishte dhe çfarë bëri Hyji për të. Pas të gjithave, tani jeton në paqe dhe në mirëqenie në pallatin e vet. Për këtë arsye ndjen keqardhje që është në pallat, ndërsa Arka e Besëlidhjes nën tendën e thjeshtë. Davidi dëshiron të bëjë një vepër të mirë. Dëshiron t’ia ndërtojë Zotit një banesë të denjë. A ishte i pranishëm në qëllimin e tij lartësim personal? A dëshironte Davidi që të duket para popullit? A dëshiron të rritet edhe më shumë në sytë e njerëzve që ishin rreth tij në palla? Këtë gjë e di vetëm Hyji. Gjithsesi, Zoti nuk do që Davidi t’ia ndërtojë banesën. Prandaj e lajmëron përmes Natanit profet:
3 Natani i tha mbretit: “Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty”. 4 Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: 5 “Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar? 8 Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin, 9 dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i shfarosa të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë.
Profeti ia sjell porosinë e Hyjit. Davidi duhet ta dijë se pa Zotërinë do të ishte asgjë dhe pa të nuk do të arrinte asgjë. Do të mbetej në kullosat e veta pas grigjave. Ai as në familjen e vet nuk do të vinte në shprehje për shkak të vëllezërve tjerë. Mirëpo, Zoti pati një plan tjetër me të. E zgjodhi pikërisht Davidin, e jo ndonjë prej vëllezërve tjerë. Ishin shtatë vëllezër më të vjetër se Davidi. Kjo ishte zgjedhja e Hyjit. Hyji nuk shikon siç shikon njeriu. Ai e shikon zemrën e jo sytë dhe të jashtmen. Duket qartë se Davidi e kishte zemrën që i pëlqente Hyjit. Edhe pse nuk ishte prej ndonjë familjeje mbretërore, Zotëria e zgjodhi. Davidi bëhet i dërguari i Hyjit të cilin Hyji e përcjell në çdo vend gjatë jetës. U bë i dashuri i Hyjit. Këtë gjë e shijoi aq herë në jetën e vet.
O Zot, edhe mua me udhëheq gjatë jetës sime. Ti je me mua kudo që të shkoi. Për këtë gjë as që jam i vetëdijshëm. Për këtë gjë dëshiroj të vetëdijesohem në mënyrë të veçantë sot derisa po përgatitem për kremtimin e lindjes sate. Dua të ndalëm në përgatitjen time dhe të bëhem i vetëdijshëm se je pranë meje dhe me përcjell në udhët e mia. Të falënderoj për këtë gjë, Mbështetësi im besnik! Më ndihmo që dita ime mos te kalojë në përpjekje që vetëm nga jashtë të përgatitem për kremtimin e Kërshëndellave duke harruar kështu përgatitje e brendshme të shpirtit.
10 Unë do t’ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë, 11 prej ditës kur i caktova Gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë.
Ndodh shndërrimi. Davidi nuk do ta ndërtojë shtëpinë për Zotin, por Zoti do t’ia ndërtojë shtëpinë Davidit. Do ta ndërtoj dinastinë e tij. Natani flet për besëlidhjen e Zotit me Davidin dhe pasardhësit e tij. Profetizimi përfshinë shumë më shumë se pasardhësin e parë të Davidit, birin e tij Salomonin që do ta ndërtojë Tempullin. Ajo shkon në të ardhmen e largët në të cilën shihet pasardhësi më i shkëlqyeshëm nga shtëpia e Davidit që do të jetë i dashuri i Hyjit. Ky është profetizimi për Mesinë, birin e Davidit, profecia për Krishtin.
12 Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme.
Edhe pse Davidi është mbret, duhet të mbetet i thjeshtë dhe i vogël para Zotit. Zoti është Zotëria i historisë. Ai e ka nismën. Duhet të dijë të pranojë këtë gjë nga dora e tij.
Çfarë mund të jap, o Zot? Çfarë mund të bëj për ty gjatë kësaj dite në të cilën po përpiqem që të përgatitem për t’i kremtuar Kërshëndellat? Kam mundësi të të hap para teje zemrën time që në të ta ndërtosh tempullin tënd. Këtë gjë e dua sot. Dua që në brendinë time ta përgatis grazhdin. Lind në zemrën time. Kjo gjë le të ndodh në mua sonte, në të afërmit e mi, në familje, vëllezër, motra, në bashkësi, në vendin tim, në të gjithë!
14 Unë do t’i jem atë e ai do të jetë bir. 15 Porse përkrahjen time s’do t’ia mungoj, siç ia mungova Saulit, të cilin e hoqa prej fronit para teje. 16 Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim”.
Profeti flet çfarë e frymëzon Shpirti i Hyjit. Të gjitha veprat që bëri Davidi deri me tani janë asgjë në krahasim më atë gjë që do të ndodh më vonë. Nga pasardhësit e tij do të vij vet biri i Hyjit. «Unë do t’i jem atë e ai do të jetë bir!»
O Zot, sonte kremtojmë ardhjen tënde. U plotësua çdo gjë që paralajmërove përmes profetëve. Erdhe në mesin tonë. Kjo me mbush më gëzim. Aq shumë herë e kam kremtuar ditëlindjen tënde. Aq shumë herë kam shkuar pas yllit që me solli tek ti. Dëshiroj që edhe sonte të takohem me ty.