MEDITIMI I DITËS – DHURATA E HYJIT
Written by Radio Maria on December 21, 2016
1 Sam 1, 24-28 DHURATA E HYJIT
Kërkoj hirin: që të di ta falënderoj Hyjin për dhurata që me dha.
24 Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë.
Historia e Samuelit profet është e jashtëzakonshme dhe shumë domethënëse. Nëna e tij Ana nuk kishte fëmijë që më gjithë shpirt dëshironte ta kishte. Për këtë gjë vuante dhe nuk ishte e lumtur. Pranë kësaj, fuqishëm shpresonte në Hyjin se do t’i ndihmojë. Çdo vit shtegtonte ne shenjtërore në Silo dhe atje flijonte flinë dhe brengën e vet e paraqiste para Zotit. I lutej Hyjit që t’i ndihmonte në vështirësinë e saj të cilën e mbarte më vështirësi të madhe. Një vit bëri kusht në shenjtërore se do t’ia dhuroj Hyjit birin e saj në qoftë se Hyji ia dhuron dhe e lind. Ana në lutje premtoi se do t’ia dhurojë Zotit për t’i shërbyer gjatë të gjitha ditëve të jetës së tij. Këtë gjë kishte mundësi ta bënte vetëm nëna që e donte fëmijën e saj por qe e donte edhe Hyjin që i vetmi është i denjë për një kushtim të tillë dhe për fli të cilën ia kushton. Prandaj ky tekst është marrë si lexim i parë për ditën e sotme pikërisht nga Libri i parë i Samuelit, sepse përshkruan një nënë të jashtëzakonshme që mbarte kryqin e vet të pafrytshmërisë, por që thellë besonte se Hyji ka mundësi t’i ndihmojë. Jetonte në shpresë deri në fund, deri në plotësimin e saj. Amësia e saj është simboli i amësisë së dy nënave, Elizabetës dhe Marisë, amësitë e të cilave gjithashtu janë të jashtëzakonshme.
A kemi mundësi në ndonjë mënyrë të paramendojmë se më çfarë ndjenje atë ditë, kjo grua e përshpirtshme dhe e urtë, u nisë me djalin e saj në shenjtërore në të cilinën u lut për t’ia dhënë, por tani po shkonte për t’ia dhuruar Hyjit? Askurrë nuk kemi mundësi të kuptojmë se çfarë është e pranishme në zemrën amnore, aq e fort dhe aq e lidhur me Hyjin që t’i japë forcë për t’ia dhuruar atij qenien më të dashur të zemrës saj. Aq me afsh e dëshiroj, por edhe më me afsh po ia dhuronte Hyjit. Ana në fenë e saj dhe në dorëzim është e mrekullueshme. Vërtetë janë të lumtura nënat që kanë bujari kaq të madhe. Ky është misteri i amësisë bujare, që vetëm ato dhe Hyji e njohin.
O Zot, të falënderoj që ka nëna të tilla. Ato gjithmonë ma kujtojnë nënën tënde që ty të paraqiti dhe të kushtoj. Ajo pranoj që ti të bëhesh çfarë dëshironte Ati dhe shkoj pas teje në dorëzimin tënd deri në fund. Nuk e pengonte fakti se sekreti i misionit tënd gjithmonë largohej prej saj. I besonte fjalës së Hyjit. E pranoj dhe shkonte pas saj me zemër të hapur. Të falënderoj për të gjitha nënat tona të cilat u lutën për ne dhe na fituan, e pastaj na kushtuan me bujari para teje.
O Zot, po të lutëm gjithashtu edhe për ato nëna të cilat frikësohen dhe dridhen që fëmijët e tyre mos të vijnë pas teje. Aq shpesh dëgjohet: «Fëmija im të bëhet meshtar, ose rregulltar ose rregulltare? Prite Zot!» Ky është misteri i frikës, i mosbesimit dhe vetjakisë. Përse kanë frikë? Ndoshta, kush e di, o Zot? Po të lutem ndihmoi që të jenë të lumtura më fëmijët e tyre atje ku fëmijët kërkojnë lumturinë për vete, e jo atje ku ato mendojnë se do të jenë të lutur.
25 E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu. 26 Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit.
Erdhi në shenjtërore me djalin e saj të vogël i cili asgjë nuk dinte as nuk kuptonte çfarë bënte nëna dhe çfarë po përgatiste, por ai kishte besim të pakufishëm nënën e vet. Ajo iu afrua njeriut të shenjtë, priftit të Hyjit, Heliut, dhe ia përkujtoj kohërat kur vinte në shenjtërore dhe lutej që të ketë fëmijë. Heliu në një situatë shumë të vështirë e ngushëlloi dhe i dha kurajo që të besojë në Hyjin që do ta dëgjojë lutjen e saj. Ajo i tha:
27 U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi lutjen time për çka iu luta. 28 Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit”. Dhe adhuruan Zotin.
Këtu kemi dëshminë e jashtëzakonshme. Rrallë herë do të hasim një bujari dhe dorëzim të tillë. Ana u lut vite më radhë. Të gjitha lutjet që bënte shkriheshin në një: «O Hyj ma jep një fëmijë. Ma jep një djalë dhe do ta dhuroi ty. Le të jetë i yti». Vinte vazhdimisht secilin vit dhe këtu flijonte flinë. Shpresonte. Priste, frikësohej dhe shpresonte. Nuk u ndal, edhe pse ishte në situatë shumë të vështirë. Hyji e dëgjoj lutjen e saj. Tani e solli dhe ia dorëzon priftit në shenjtërore, sepse thellë besonte se këtu është vendi i tij. Këtu u lut dhe e mori. Këtu e fitoj dhe këtu po e dhuronte. Kur po ia dhuronte dhe dorëzonte Hyjit tregoj sa bujare ishte dhe sa pak mendonte në vete. E solli në shenjtërore që ta plotësonte atë kusht që e kishte bërë. Këtu bashkë me fëmijë e adhuronte Hyjin. Një njeri i Hyjit dhe një profet kështu e filloj rrugën e vet mbi tokë.
Ana nuk bënte pazare me Hyjin. Nga Hyji mori shumë. Po i dhuronte edhe më shumë. Mirëpo Hyji nuk lejon që të tejkalohet në bujari dhe dhurata, sepse është më i madh, gjithmonë shumë më i madh se ne. Ai e bekoj dhuratën e saj. Samueli i bë njeri i shenjtë dhe profet i shenjtë.