Shenjti i ditës – 22 dhjetor – Shën Françeska Saverio Kabrini, rregulltare themeluese (1850 – 1917)
Written by Radio Maria on December 21, 2016
Shenjti i ditës – 22 dhjetor – Shën Françeska Saverio Kabrini, rregulltare themeluese (1850 – 1917)
Trup i brishtë, vullnet i akullt, Fraçeska (e lindur në Sant Angelo Lodigiano, vajza e trembëdhjetë e Stela dhe Augustin Kabrinit), pasi mori diplomën pedagogjike, i shprehu famullitarit dëshirën për t’u bërë motër ndërsa meshtari i mirë i besoi detyrën për të mësuar në një jetimore të dioqezës së Lodit. «Mund të themelosh një kongregatë tënden nëse dëshiron të bëhesh motër», i tha ipeshkvi, që i nuhati aftësitë e mëdha organizuese dhe virtytet e jashtëzakonshme të saj. Ishte kështu që ajo jetimore u bë shtëpia nënë e institutit të Motrave Misionare të Zemrës së Shenjtë. Françeska mori kushtet rregulltare dhe mori emrin motër Françeska Saverio, si misionari i madh i vdekur në dyert e Kinës. Ajo do të kishte dashur ta vazhdonte misionin në atë komb të gjërë, por papa Leoni XIII ishte i prerë: «Jo në Kinë. Shko në Shtetet e Bashkuara, ku emigrantët italian kanë probleme të tmerrshme». Dhe ajo bindet. Kokfortë dhe guximtare, përballon me vendosmëri vështërsi që do të kishin shkurajuar këdo, por ajo e ka mjaft të qartë në mendje misionin në të cilin është thirrur. Nuk e njeh anglishten por niset menjëherë për në Shtetet e Bashkuara, në kontakt, që në momentin e nisjes, me situatën tragjike të emigrantëve, me të cilët ndan vështërsitë dhe pasiguritë.
Në Nju York arrin t’ia dalë shumë mirë, i vihet punës dhe organizon ndihmat e para për më të varfërit. Kujdeset për jetimët dhe për të sëmurët. Fillon të ndërtojë shtëpi, shkolla, urgjenca dhe më në fund një spital të madh. Kush e konsideronte thjesht një të papërgjegjshme, tani e admiron, por ajo e korrigjon menjëherë këtë, duke thënë: «Të gjitha këto shtëpi, a nuk i ka bërë Zoti?». E palodhshmja «nëna e emigrantëve» kalon me dhjetra herë oqeanin, e zgjeron misionin e saj, duke formuar tridhjetë shoqata, të shpërndara në tetë kombe të ndryshme. Vdekja e priti në Chicago dhe trupi i saj u çua triumfalisht në kishën afër «Mother Cabrini High School» në lagjen e populluar nga të emigruarit e saj, ata që i rezistuan nostalgjisë së Italisë dhe përballuan sakrificat e mëdha të atyre që duhet të fitojnë bukën larg atdheut. Françeska Kabrini është kanonizuar nga Piu XII në 1946.