MEDITIMI I DITËS – PRANIA E HYJIT

Written by on December 20, 2016

Sof 3, 14-18 PRANIA E HYJIT 

 

Kërkoj hirin: që ti gëzohem pranisë së Hyjit në mesin tonë.

 

14 Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër,  ti, bija e Jerusalemit!

Ky tekst i Librit të Sofonisë profet i përngjan psalmit të gëzimit. Në të kemi thirrjen e fuqishme për tu gëzuar. Profeti e shpall në kohëra të vështira, prandaj edhe qortimet e tij në vendet tjera në Libër janë shumë serioze, pothuajse katastrofike, sepse shpall të këqijat që do të bien mbi banorët e Judës. Sofonia së bashku më popullin e izraelit përjeton ditë të vështira. Atyre ditëve i mbështet mendimi i gëzueshëm i plotësimit të premtimeve të Hyjit. Mendimi në fitoren përfundimtare dhe në ardhjen e Shëlbuesit ishte më i fortë se gjithçka tjetër. Më këtë gëzim frymon pjesa e leximit të sotëm.

Në këtë pjesë të Librit të tij e gjejmë porosinë e ndryshme prej asaj që e gjejmë në pjesën tjetër të Librit. Kjo është porosia e gëzimit në të cilën profeti në mënyrë vizionare shikon kohërat që do të vijnë. Çdo gjë duhet të drejtohet drejt kësaj kohe të plotësisë në të cilën do të vijë shëlbimi. Kjo është thirrja në brohoritje, hare dhe gëzim nga zemra.

Edhe jeta jonë shumë shpesh është e mbështjell me ditë të zeza dhe ngjarje të vështira. Prej tyre sytë na qesin xixa. Na dukët se edhe toka hapet nën ne. Askund nuk ka mbështetje, ndërsa frika dhe pasiguria hyjnë në thellësinë e thelbit tonë. Ne nuk e njohim as veten. Na shkon ndër mend t’i braktisim të gjitha, të çojmë duart prej të gjithave. Kemi humbur punën, në provim nuk kemi kaluar, në shkollë punët nuk shkojnë si duhet, familja është duke u shpërndarë… Fatkeqësitë, sëmundjet, humbjet, gënjeshtrat, vdekja… Kryq dhe vetëm kryqe, ngado që sillem. Vështirësitë janë të ndryshme pikërisht si jemi edhe ne të ndryshëm njëri prej tjetrit. Sa shumë prindër, fëmijë, burra, gra, të rijë, të reja, meshtarë, rregulltarë, besimtarë… janë të dëshpëruar, nuk ka thirrje as interes në të cilin nuk ndërhyri vështirësia, pakënaqësia dhe dëshpërimi. Nuk e kemi lehtë në ditët e dëshpërimit që ta ruajmë përqendrimin. Nuk ka zgjidhje magjike që më një lëvizje të vetme të na nxjerr prej të gjithave. Kemi nevojë të jemi të përkormë dhe të durueshëm. Të gjitha kalojnë. Nuk është çdo gjë e zezë siç mendojmë. Atyre ditëve nuk guxoj tu japë domethënie më të madhe se sa ato kanë. Së paku do të përpiqem që ta bëj këtë gjë. Nuk do ta burgos shikimin tim në tokë, por pranë të gjithave do ta çoj drejt Hyjit. Çfarëdo të me ndodh, Hyji është Shpëtimtari dhe Ati im.

 15 E tërhoq Zoti dënimin tënd,  i shpërndau larg armiqtë e tu. Mbreti i Izraelit është Zoti mes teje, s’ke pse më ta druash të keqen!

Sa paqe të madhe sollën këto fjalë në zemrat e atyre që i dëgjuan. Sofonia nxit pa u lodhur fare. Do të vijën ditët kur ndëshkimi do të hiqet e armiqtë do të zhdukën. Hyji atëherë do të banojë midis popullit të vet. Ai nuk do të ketë më frikë nga askush dhe nga asgjë.

O Zot, këtë e dëshiroj. Kërkoj fjalët që nuk më nënçmojnë dhe nuk me dënojnë. Sa pak njerëz janë që ngushëllojnë dhe nxisin. Po të lutem frymëzoj fjalët e mia që me to as mos të gjykoj as mos të ndëshkoj të tjerët. Shumë shpesh me fjalë të pamenduara mirë nxis konflikte dhe armiqësi me të tjerët. Nuk jam i gatshëm as nuk kam vullnet ta bëj hapin e parë të pajtimit. Të falënderoj që je afër meje. Të falënderoj që je në mesin tonë, që je me të gjithë ne. Gjëja më e rëndësishme për mua është të mos kem frikë sepse ti je me mua. Kush mund të më bëj gjë kur ti je me mua? Çfarë mund të më bëj i keqi kur jam në praninë tënde dhe afër teje!

 16 Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: “Frikë aspak mos ki, Sion,  assesi të mos mpaken duart! 17 Në mesin tënd është Zoti Hyji yt, trim mbi trima Shpëtimtar!

Profeti vazhdon të ngushëllojë dhe të nxisë. Në kohërat e vështirësive, trishtimit dhe frikës e thekson fuqishëm porosinë e ngushëllimit dhe të shpresës. Hyji nuk do ta braktisë popullin e vet.

«Mos ki frikë», kjo është porosia që arrin në veshët tonë. Në vend të Sionit mund të vendos emrin e qytetit tim në të cilin jetoj, emrin e vendit ku banoj. Mund ta vendos edhe emrin tim. Fjala e Hyjit me thotë që pranë të gjithave që ndodhin dhe që përjetoj të mos kem frikë. Ka mundësi që edhe duart të mi dobësojë frika.

O Zot, aq shpesh në mua hyjnë frika dhe trishtimi. Duart me dobësohen dhe tërhiqem në vetvete. Nuk i dëgjoj fjalët e ngushëllimit tënd: «mos ke frikë!» Dua t’i dëgjoj në këtë Kohë të Ardhjes. Më forco dhe ma largo frikën. Më ndihmo që të kthehem drejt të tjerëve dhe drejt Teje. Me jep fuqi që ta sjell optimizmin. Më ndihmo që ta sjell ngushëllimin, që të jem fytyrë e dashur për ata që kanë nevojë për nxitje, buzëqeshje dhe fjalë dhe ngushëllim.

Do të galdojë për ty hareshëm, i përmalluar nga dashuria, do të kërcejë për ty me gëzim 18 porsi në ditë feste.” “Do ta tres prej teje fatkeqësinë që kurrë më të mos jesh poshtëruar.

Hyji i gëzohet njeriut. Hyji gëzohet për shkak të njeriut. Më gëzohet mua dhe gëzohet për mua. Kjo më mjafton që edhe unë të jemi i gëzueshëm.

 


Current track

Title

Artist