Shenjti i ditës – 15 dhjetor – Shën Nouné Kristiana, apostulle e Gjeorgjisë (+320)
Written by Radio Maria on December 14, 2016
Shenjti i ditës – 15 dhjetor – Shën Nouné Kristiana, apostulle e Gjerogjisë (+320)
Një e re e krishterë, e çuar skllave në Gjeorgji, ishte si fara e vogël për të cilën flet Ungjilli, e përcaktuar të bëhet një bimë e harlisur. Historia e saj tregohet gjerësisht, me ngjyrime legjendare, nga pseudo – Moisiu i Khoren në shekullin VIII, që i zgjeron informacionet e pakta që ndodhen në një faqe të cilën Rufini e shtoi tek Historia kishtare e Euzebit të Cezaresë. I njëjti emër i shenjtëreshës ka pësuar ndryshime. Rufini flet për një «të burgosur të krishterë» dhe Martirologu romak e shndërron mbiemrin në emër dhe flet për «shën Kristianën shërbëtore», pseudo Moisiu e quan Nouné. Në letërsinë gjeorgjiane Nouné bëhet shenjtja Nino.
Dhe ja tregimi i Rufinit. Pas një inkursioni të gjeorgjianëve përtej kufinjëve të perandorisë romake, vajza e krishterë u çua skllave me vajza të tjera pagane. Ndryshe nga këto Kristiana ngjalli menjëherë interes mes rrëmbyesve të saj për dhuntitë e saj shëruese. Legjenda flet për një mrekulli të bujshme: kishte ringjallur një fëmijë. Edhe mbretëresha e sëmurë, shkoi tek ajo. Kristiana e shëroi dhe e ktheu në besimin e krishterë. Ishte unaza e parë e një zingjiri të gjatë kthimesh. Vetë mbreti e përqafoi besimin e ri të predikuar nga Kristiana, pasi që e reja e shëroi edhe atë nga një sëmundje e rëndë. Si mirënjohje ai i besoi detyrën për të ndërtuar kishën e parë në mbretërinë e tij, i dërgoi një delegacion perandorit të Kostandinopojës me ftesën për të dërguar në Gjeorgji një ipeshkëv dhe disa meshtarë. Ishte kështu që një e re e krishterë, të cilën gjerogjianët e nderojnë si apostullen e tyre me emrin «Nino», ndryshoi fytyrën e një kombi të tërë. Një grua e vogël guximtare, e panjohur në Perëndim, e cila në Sinasarin aleksandrin paraqitet me emrin Teognosta, që do të thotë «e njohur nga Hyji».