Shenjti i ditës – 9 dhjetor – Shën Pjetër Furier, meshtar augustinian (1565 – 1640)

Written by on December 8, 2016

Shenjti i ditës – 9 dhjetor – Shën Pjetër Furier, meshtar augustinian (1565 – 1640)

 

Pjetri, biri i një tregtari të Lorenës, i përfundoi studimet në familje para se të mirëpritej mes kanonikëve të rregullt augustinianë. Para tij po hapej një karrierë premtuese si docent filozofie dhe teologjie, por ai preferoi t’i kushtohej jetës së famullisë. Kështu në vitin 1585 iu besua kisha e Matenkurtit në një komunë të Lorenës, që njerëzit e quanin «Gjeneva e vogël» për numrin e madh të kalvinistëve, të cilët përbënin pjesën më të madhe të popullsisë. Një famulli e vështirë, që do të kishte shkurajuar këdo tjetër, por jo famullitarin guximtar Pjetër Furier, i cili filloi t’u hynte në zemër njerëzve për dashurinë e tij të madhe që tregonte ndaj të varfërve.

U kujdes për vajzat e lëna pas dore dhe të përjashtura nga një edukatë e përshtatshme shkollore. Themeloi për to Kongregatën femërore të Virgjërës Mari, në bashkëpunim me Alisë le Klerk. Dhe, nga bashkësia e tij e vogël e Matenkurtit e hodhi vështrimin drejt vëllezërve të largët, duke projektuar një reformë të kanonikëve të rregullt, që si përfundim e zgjodhën atë për eprorin e tyre të përgjithshëm. U përpoq më pas me sukses më të vogël të themelonte një Kongregatë rregulltare për meshkuj për ta lidhur me atë të Marisë Virgjër që të merrej me formimin kulturor dhe fetar të të rinjve. Kalonte orë të gjata natën për të mbajtur korrespondencë me bijtë e tij shpirtërorë, edhe kur në vitin 1636, pas pushtimit francez së Lorenës, famullitari bujar u vu kundër kardinalit të fuqishëm Rishelië, të cilin e qortonte për politikën që e kishte kundër fesë. Kardinali i zgjuar nuk ngurroi të lidhte aleancë me Gjermaninë protestante për të ndaluar fuqinë e mbretit katolik të Spanjës. Pjetër Furier u dëbua nga famullia e tij dhe u dërgua në kufi të Fransh-Komptesë, ku përfundoi edhe jetën e tij. U kanonizua në vitin 1897.


Current track

Title

Artist