Shenjti i ditës – 7 dhjetor – Shën Ambrozi, ipeshkëv e mësues i Kishës (339 – 397)

Written by on December 6, 2016

Shenjti i ditës – 7 dhjetor – Shën  Ambrozi, ipeshkëv e mësues i Kishës (339 – 397)

 

         Romak, pasardhës i fisnikëve gens Aurelia, Ambrozi lindi në Treviri ku i ati ishte prefekt i pretorit. Kishte një motër, Marçelinën dhe një vëlla, Satirin, që do ta ndiqte si hije, së pari në Sirmio (Beogradi i sotëm) ku Ambrozi u dërgua në profesionin e avokatit, pastaj në Milano. Akoma katekumen, u shpall ipeshkëv i bashkësisë së krishterë që e mbushte kishën për një nga kundërshtimet teologjike mes katolikëve dhe arianëve. Me 30 nëntor Ambrozi u pagëzua dhe me 7 dhjetor u shugurua ipeshkëv. Figurën e bariut veprues të aftë dhe të shenjtë, që e mbush me vetveten historinë e Kishës në gjysmën e dytë të shekullit IV, e paqyron një njeri me shtat të vogël, fizikisht të imët dhe të brishtë. Por sa forcë dhe guxim në këtë njeri! Në flamurin e Milanos, që u ngrit më 1565, Ambrozi paraqitet me kamxhik në të djathtë dhe shkopin baritor në të majtë. Demaskoi me guxim të lavdërueshëm vetë perandorët që ndërroheshin me shpejtësi në perandorinë që po shuhej. Nuk ngurroi t’ia mbyllte dyert e kishës në fytyrë të fuqishmit Teodosit, duke e detyruar të bënte pendesë publike, sepse ishte fajtor se kishte urdhëruar masakrën  në stadiumin e Selanikut për hakmarrje.

        Atëror me të varfërit por i ashpër me mendjemëdhenjtë. Dera e tij ishte gjithmonë e hapur për të gjithë. Askush nuk ishte i detyruar të priste. Vetë shën Augustini, kur ishte akoma katekumen dhe shkonte për t’i bërë vizitë, që të sqaronte disa dyshime, e gjente të përqëndruar duke shkruar apo duke lexuar. Mjaftonte një e kollitur për ta lajmëruar për praninë e një vizitori, të cilin ai e priste dhe e dëgjonte me durim. Pastaj rimerrte penën për të hartuar libra me karakter interpretues dhe teologjik. Një për të gjithë, De fide, që e qartësoi shumë shpirtin e munduar të Augustinit, ndikoi tek vetë perandori Teodosi dhe kolegu Graciani të cilët ndaluan kultin publik të paganëve, duke e shpallur krishtërimin si besimin e vetëm të perandorisë. Pasi u zgjodh ipeshkëv, ia dhuroi të gjitha të mirat materiale të varfërve dhe e motra, Marçelina, e cila kishte marrë veshjen, bëri po ashtu, e imituar edhe nga i vëllai Satiri. Për t’u ardhur në ndihmë të varfërve, pas plaçkitjes së barbarëve, Ambrozi nuk ngurroi që t’i shkrinte kupat e arit të kishës dhe kujt ndihej i skandalizuar i përgjigjej: «sakramentet nuk kanë nevojë për ar, sepse ata nuk merren me ar». Ishte edhe autor i këngëve të njohura fetare, fjalëve dhe muzikës. Përshkoi gjërë e gjatë gjysmën e Evropës, shpesh për të vendosur paqen e nganjëherë për të ndaluar të paligjshmit. U mbyll me besimtarët e tij në bazilikën Ponciana kur nëna intriguese e perandorit, Gjystina, deshi të vendoste një ipeshkëv arian. Vdiq më 4 prill dhe u varros në bazilikën që në Milano mban emrin e tij, pranë martirëve Gervazit e Protazit.


Current track

Title

Artist