Shenjti i ditës – 6 dhjetor – Shën Nikolla, ipeshkëv (+350)

Written by on December 5, 2016

Shenjti i ditës – 6 dhjetor – Shën Nikolla, ipeshkëv (+350)

 

               Dimë pak për jetën e Shën Nikollës. Popullariteti i madh i tij në të gjithë botën e krishterë lidhet me një numër të madh legjendash. Shën Nikolla ka qenë ipeshkëv i Miras së Licisë në shekullin IV. Në vitin 1087 disa ushtarë barezë i morën fshehurazi reliktet e tij për të mos lejuar përdhosjen e tyre nga pushtuesit turq. Më 9 maj të atij viti ato u mblodhën në mënyrë solemne në katedralen e Barit. Nuk ishte një shenjt i panjohur, sepse gëzonte famë si mrekullibërës i madh. Ngjarje të ndryshme për të, pa shumë peshë në vetvete për përshpirtërinë popullore, u mblodhën nga biografi i shekullit X, Simon Metafrasti, dhe u përkthyen në formën e një përralle mësimdhënëse. Legjenda Aurea Sanctorum tregon se: «Nikolla lindi nga njerëz të shenjtë e të pasur. Ditën e parë qe pagëzuar dhe qëndroi në këmbë të veta në legen». I sapolinduri dha menjëherë prova të përkormërisë – gjithnjë sipas legjendës – duke refuzuar qumështin e nënës të mërkurën dhe të premten. Pastaj, pasi u rrit, «kishte neveri nga shthurjet dhe kotësitë».

              Pasi u bë ipeshkëv, ai u dallua para së gjithash për dashurinë e madhe. Dante e vë në gojën e Ugo Kapetos, në Purgator, lavdërimin e shenjtit: «…për të mirën / që u bëri Nikolla virgjërave / për të nderuar rininë e tyre». Ngjarja tregohet kështu nga biografi: «Një fqinj i tij, që kishe arritur një varfëri shumë të madhe, deshi që t’i shtynte në mëkat tri bijat e tij të virgjëra, që të mundte me anë të asaj tregtie të turpshme të ushqente veten dhe vajzat e tij…». Për t’i hequr vajzat nga prostitucioni, Nikolla hodhi gjatë natës tri herë një qese me monedha ari. Shën Nikolla (santus Nikolaus, Santa Claus, Sent Kles, një metamorfozë që e ka shndërruar në plakun e Krishtlindjeve) thirret si mbrojtës i fëmijëve, pasi ngjalli tre fëmijë të dënuar me vdekje nga një kasap. Ai thirret në ndihmë edhe nga marinarët që i zë stuhia në det. Në kthim: një herë gjatë zisë së bukës, marinarët e një anijeje me grurë i dhuruan një pjesë të ngarkesës. Të njëjtët, pasi mbërritën, e kuptuan se nuk mungonte as një kilogram grurë. Sipas Pasionarium, që është i kohrave të shën Gregorit të Madh, Nikolla u burgos për fenë gjatë përndjekjes së Dioklecianit; u torturua por nuk iu dha dënimi me vdekje.


Current track

Title

Artist