Shenjti i ditës – 5 dhjetor – Shën Saba, abat (439 – 532)

Written by on December 3, 2016

Shenjti i ditës – 5 dhjetor – Shën  Saba, abat (439 – 532)
 

               Ky shenjt popullor nderohet kryesisht në Kishën greke. I lindur në Mutalaska në Kapadoki, pasi kaloi rininë në një kuvend të fshatit të tij, deshi të bënte përvojën e shkretëtirës. Shpirtërat e mëdhenj kaliten në vetmi. U mirëprit në «kurorën» e shën Theoctistit afër Detit të Vdekur dhe qëndroi dhjetë vite. Këtu mësoi rregullat e kuvendit. Pastaj deshi të bënte një hap të mëtejshëm drejt vetmisë së plotë dhe mori lejen të tërhiqej çdo javë në një  shpellë në të cilën hyhej me një shkallë litari. Shkonte në kuvend të dielën dhe në festat liturgjike për të kremtuar euharistinë në bashkësi. Murgj të tjerë deshën ta imitonin, duke populluar shpellat dhe përroskat përreth murgut të shenjtë. I cili, sipas shembullit të Antonit, patrikut të madh të Tebaides, i dha lamtumirën vetmisë duke mbledhur në një «kurorë» atë grigjë të shpërndarë në pritje të një bariu. Lindte kështu «kurora» e madhe e Detit të Sabës, mes Jerusalemit dhe Detit të Vdekur.

            Me durim atëror por edhe me autoritetin e abatit i drejtoi murgjit e tij, të cilët nuk ishin mësuar më me rregullat e bashkësisë pas përvojës anarkiste vetmitare, duke i organizuar sipas rregullave të jetës së kuvendit të caktuara nga shën Pakomi një shekull më parë të cilat ai i kishte shkruar gjatë një qëndrimi të shkurtër në Egjipt. Në 491 patriku i Jerusalemit e shuguroi meshtar, duke e angazhuar në veprimin baritor dhe si udhëheqës i të gjitha kuvendeve të krahinës me titullin arkimandrit (epror) i vetmitarëve palestinez. Dhe si i tillë e ngriti zërin e tij edhe në çështjet materiale, përveç se në çështejet fetare (mori pjesë aktive në luftën kundër herezisë monofiste): arriti nga perandori shfuqizimin e taksave në punët e artizanatit, që rëndonin kryesisht mbi vetmitarët dhe tregtarët e vegjël. Në Romë në kodrën përballë Aventinos në shekullin VII lindën nga murgjit grek një kuvend  dhe një bazilikë që iu kushtuan shën Sabës.

Nga 1965 trupi i paprishur i shenjtit iu kthye kuvendit të tij, akoma lulëzues, nga Pali VI si gjest «ekumenik» ndaj Kishës lindore. Trupi i shën Sabës ishte transportuar më parë në Venecia pastaj në Romë për ta shpëtuar nga ushtria myslimane pushtuese.      


Current track

Title

Artist