Shenjti i ditës: – 3 dhjetor – Shën Françesk Ksaveri, meshtar jezuit, pajtor i Misioneve (1506 – 1552)

Written by on December 2, 2016

Shenjti i ditës: – 3 dhjetor – Shën Françesk  Ksaveri, meshtar jezuit, pajtor i Misioneve (1506 – 1552)

 

            Francisco de Hesu i Savier u i lind nga një familje fisnike spanjolle. Ai konsiderohet misionari më i madh i Kishës që nga kohërat e Shën Palit. Papa Shën Piu X e shpalli pajtor të të gjitha misioneve të jashtme. I zgjuar, bujar, dashurues i aventurës e mbi të gjitha misionar me dëshirën për ungjillëzim, nga viti 1542 deri në vitin 1552, d.m.th deri në vdekje, kaloi brenda dhjetë vjetësh krahina të shumta të Lindjes së Largët, duke lënë pas vetes bashkësi të reja të krishtera dhe dinamike. Llogaritet se vetëm në Japoni, dyzet vjet pas ardhjes së tij, ishin katërqindmijë të krishterë. Takimi në universitetin e Parisit me Shën Injacin e Lojolës kishte qenë vendimtar për Françesk Ksaverin dhe për pesë studentë të tjerë, të cilët në vitin 1534 u mblodhën së bashku në lutje me studentin e pjekur dhe ish-kalorësin Loyola. Ata bënë në kishën e Montmartres një lloj marrëveshjeje me të cilën angazhoheshin që të jetonin varfërinë ungjillore dhe t’u kushtoheshin misioneve si pararojë e ushtrisë së papës. Në fakt, do të quhet Shoqëria e Jezusit ky urdhër i ri rregulltar i përcaktuar që të ngulitet thellë në historinë e Kishës.

 

             Emërimi ndodhi në këmbët e papës dhe në Venecia morën shugurimin meshtarak. Pastaj «kapiteni», Injaci, pa shumë llogaritje njerëzore, dhe aq më pak ekonomike, i dërgoi njerëzit e tij in partes infidelium. Françesk Saverit i takoi Lindja e Largët. Pati si lejekalim detyrën e legatit papnor – me propozimin e mbretit të Portugalisë – për kolonitë portugeze në Lindje. Françesku e fiksoi pikën e tij ndriçuese në ishullin e Goas, prej ku hodhi urat drejt brigjeve të kontinentit aziatik. Mbërriti në Indi dhe në ishujt e Oqeanit Indian. Një punë jo e lehtë, pasi i duhej të udhëtonte me barka të rastit. «Nëse nuk gjej një barkë», thoshte, «do të shkoj me not». Dhe një ditë komentoi me hidhërim: «Nëse në atë ishull do të kishte ar, të krishterët do të shkonin me të shpejtë. Por ka vetëm shpirtëra për t’u shpëtuar». Në fund ndodhi edhe kapërcimi guximtar. Me anë të një anijeje të mjerë arriti në Japoni, duke krijuar një pozicionin të përparuar dhe të rëndësishëm për Kishën, mes vështërsish të papërshkrueshme. Por, Françesku synonte Kinën e pafundme. Mbërriti ishullin e Shën Kaos në pritje për të kaluar në një port kinez. Iu desh t’i dorëzohej një sëmundjeje të rëndë. Vdiq në breg të detit, i ndihmuar nga një i ri kinez që e kishte drejtues. U kanonizuar në 1602.


Current track

Title

Artist