MEDITIMI I DITËS – SHËLBIMI I GJITHËSISË

Written by on November 23, 2016

Lk 21, 20-28 SHËLBIMI I GJITHËSISË

 

Kërkoj hirin: që të besoj se si mbarë gjithësia është e drejtuar drejt shëlbimit.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 20 »Kur të shihni se ushtria e rrethoi Jerusalemin, dijeni se shkatërrimi i tij është afër! 21 Kush të gjendet atëherë në Jude, le të ikë në male! Kush të gjendet në Jerusalem, le të dalë prej tij! Kush të ndodhë në fushë, të mos kthehet në qytet! 22 Sepse ato do të jenë ditë hakmarrjeje që të plotësohet gjithçka tha Shkrimi i shenjtë.

Me sa ndjenja të ndezura Jezusi po e shpallte këtë gjë. Kur Shën Luka i shkroi këto fjalë të Jezusit me Ungjillin e vet, të gjitha këto tashmë ishin vërtetuar. Gjatë një shekulli, romakët e mbajtën në  okupim Palestinën. Hebrenjtë shumë herë u përpoqën që ta lirojnë vendin e tyre. Disa përfaqësues të lëvizjes së Zelotëve u përpoqën që edhe Jezusin ta tërheqin në këtë ndërmarrje. Gjatë viteve 60 pas Krishtit ishin shumë aktiv dhe kishin përgatitur kryengritje kundër romakëve. Shkuan aq larg sa që e okupuan pallatin e Agripës dhe e sulmuan legatin e Sirisë. Krejt vendi u ngrit. Vespaziani ndërmori fushimin ushtarak dhe i nënshtroji kryengritësit. Kishte ushtri të madhe, tri legjione. Gjatë tri viteve në mënyrë të planifikuar qetësonte pjesë pas pjese mbarë vendin ndërsa Jerusalemin e rrethoj dhe e izoloj. Zotërimi dhe shkatërrimi i qytetit duke përfunduar zotërimin deri në fund ia kishte besuar birit të vet Titit. Jerusalemi, në fuqinë e vet, i rrethuar me mure të forta dhe që po e mbronin me mijëra fanatikë luftarak nuk pati mundësi që të qëndroj. Në Korrik të vitit 70 pas Krishtit, u paraqiten flitë e fundit në Tempull. Me 17 Korrik u shkatërrua tempulli dhe që nga atëherë dhe deri në ditën e sotme flitë nuk u flijuan më. Udhëheqësi ushtarak Titi në rrënojat e Tempullit vendosi idhullin. E bëri atë gjë që dëshironte ta bënte Kaligulla perandor. Ai deshi që në tempull ta vendoste truporen e vet, por vdekja e pengoj që mos e bënte këtë gjë.

Gjatë rrethimit shtatë mujor të qytetit shumë njerëz vdiqën nga shpata, të tjerët nga uria, të tjerët u kryqëzuan, rreth një milion hebrenj, siç shkruan historiani, Jozef Flavi. Mijëra prej tyre i dërguan në robëri dhe i shiten për asgjë. Sikurse Juda e shiti Jezusin. Që nga kjo kohë Hebrenjtë nuk zotëronin më Jerusalemin dhe Palestinën, deri në ditët tona. Edhe sot jemi dëshmitar të kryengritjeve të përgjakshme. Edhe pse hebrenjtë në vitin 1967 fituan pushtetin në Jerusalem, në këtë qytet edhe sot e kësaj dite nuk ka paqe.

23 Vaj në ato ditë për gratë shtatzënë e me fëmijë në gji, sepse do të jetë mjerim i madh mbi tokë dhe hidhërim kundër këtij populli! 24 Do të bien të vrarë nga tehu i shpatës, do t’i çojnë skllevër ndër të gjithë popujt. Kurse Jerusalemin do ta shkelin paganët derisa të zgjasë koha e paganëve.«

Këto fjalë jehuan shumë dhimbshëm në zemrën e Jezusit dhimbshëm jehuan në veshët e atyre që po i dëgjonin. Në to nuk ka asgjë hakmarrëse. Jezusi nuk i mallkon ata që do ta rrënojnë Jerusalemin dhe do ta shkatërrojnë Tempullin, ata që do të vrasin aq shumë hebrenj. Këto fjalë të tij janë plot dhimbje dhe ndjenja për të gjithë, sidomos për nënat shtatzëna që do t’i përjetojnë këto ngjarje.

Shumë njerëz gjatë luftërave të ndryshme përjetuan të njëjtin fat. Në takimin me ata që morën pjesë në këto luftëra kemi parë se nuk mbartnin me vete as urrejtjen, as mallkimin. Kjo ishte shenja se sa e kishin përvetësuar gjatë kohës shpirtin e Jezusit dhe sa ishin bërë nxënësit e tij. Na duhet ta kërkojmë këtë fuqi dhe këtë hir të cilin vetëm Jezusi ka mundësi të na e jap, që në momente të vështira të jetës sonë të jemi nxënësit e tij të vërtetë.

25 »Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. 26 Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse ‘trupat qiellorë do të lëkunden’

Ky është stili tipik tradicional apokaliptik i të folurit. Gjithmonë janë në pyetje tri fushat e mëdha që do të tronditen: qielli, toka dhe deti. Kur të dridhen këto realitete dhe të lëvizin themelet e tyre, në ato çaste njeriu është më i pafuqishëm. Kur të lëviz deti dhe të dridhet toka nën këmbët e njeriut, në ato çaste njeriu e përjeton  dobësinë e tij dhe paaftësinë.

27 e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re’ me fuqi të madhe e me madhëri. 28 Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj!

Jezusi kalon prej ngjarjeve që do të ndodhin në Jerusalem tek ardhja e tij përfundimtare në përfundimin e botës. Me këtë ardhje të tij do të përmblidhen të gjitha dhe do të vendosen me vendin  e tyre, «në qiellin e ri dhe tokën e re». Jezusi i forcon nxënësit e vet por edhe të gjithë ne. Nuk duhet të vajtojmë as nuk duhet të frikësohemi. Përkundrazi, duhet të çojmë kryet lart, të vetëdijshëm se po afrohet shëlbimi ynë. Jezusi e vendos Tempullin  e ri, ndërsa kulti i vërtetë do të zhvillohet rreth Trupit të tij dhe Gjakut që u derdh për shëlbimin e mbarë botës. Të gjitha këto sot ndodhin në Kishë, në Tempullin e ri të Hyjit.

 

 


Current track

Title

Artist