MEDITIMI I DITËS – ZOTËRIA I JETËS DHE I VDEKJES

Written by on November 18, 2016

Lk 20, 27-40 ZOTËRIA I JETËS DHE I VDEKJES

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Hyjin e gjallë që është Zotëria i jetës dhe i vdekjes.

 

Në atë kohë, 27 Jezusit iu paraqitën disa saducenj. Saducenjtë thonë se nuk do të ngjallen të vdekurit.

Ja Saducenjtë, një grup i njerëzve në popullin hebre që dëshiron të flas me Jezusin. Kush ishin Saducenjtë? Këta ishin pjesëtarët e aristokracisë së pasur që i përbënin priftërinjtë dhe shekullarët. Gëzonin nderim të madh në popull për shkak të pozitës së lartë shoqërore. Sa i përket mësimit ishin konservativ. Refuzonin çdo zhvillim teologjik ne hebraizëm. Ruanin traditat e vjetra që nga koha e patriarkëve. Në këtë mënyrë nuk pranonin ngjalljen, as librat e Besëlidhjes së Vjetër që u shkruan më vonë, ndër të cilët ishte edhe libri i Danielit profet. Jetonin afër Tempullit dhe kujdeseshin për kultin dhe funksionimin e Tempullit. Rrinin larg prej njerëzve të thjeshtë, prej popullit, siç i quanin ata. Për këtë arsye populli nuk i donte shumë. Kur u rrënua Tempulli së bashku me kultin e tij u zhdukën edhe ata, sepse nuk kishin arsye që të ekzistonin. Kështu u zhdukën nga populli dhe historia e tij.

Këta erdhën tek Jezusi duke dashur që të diskutojnë me të. Ata i goditi në mënyrë të veçantë veprimi që beri Jezusi në Tempull. Ishin shumë dinak që ta kundërshtonin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Prandaj vijnë tek ai duke dashur që ta sprovojnë.

Ata i bënë këtë pyetje: 28 “Mësues, Moisiu na urdhëroi: ‘Nëse ndokujt i vdes vëllai i martuar e nuk lë fëmijë, i vëllai le ta marrë gruan e tij dhe le t’i lindë trashëgimtarë. 29 Tashti, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa fëmijë. 30 Edhe i dyti 31 edhe i treti e mori atë e kështu me radhë të shtatit nuk lanë fëmijë e vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Tashti, kjo grua, në ringjallje, gruaja e cilit do të jetë, sepse të shtatit e patën grua?”

Pyetja është qesharake dhe tregon se sa e kishin shndërruar dhe zhvlerësuar mësimin për ringjalljen në mësimet e veta duke e prishur. Vërtetë, a ka ringjallje të tillë që ka kuptim dhe a ekziston ajo. Në këto pyetje njeriu mund të sillet rreth e përqark pa gjet rrugëdalje dhe shenja të zhvillimit të mendimit dhe të mësimit. Kjo mund të ndodh në secilin rend shoqëror edhe në teologji, kur ajo i bëhet qëllim vetvetes.

34 Jezusi iu përgjigj: “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. 35 Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrin gra as s’marrin burra.  36 Ata as që mund të vdesin më: janë porsi engjëjt e, për arsye se e rifituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.

Jezusi e pranon pyetjen dhe dëshiron tu përgjigjet dhe tu shpjegoj atë gjë që nuk e besonin ose e besonin në mënyrën e tyre. Jo, jeta pas kësaj jete nuk është vazhdimi thjeshtë i jetës tokësore. Ndryshimi rrënjësor ndodh gjatë ngjalljes. As Jezusi nuk thotë çfarë është ringjallja, por e vë botën tonë në kundërshtim me botën e ardhshme drejt të cilës shkojmë pas vdekjes. Atje është ndryshe nga ajo që mendojmë ne. Si do të jetë pas ngjalljes kjo gjë e tejkalon të menduarit tonë. Për shkak të pyetjeve të shumta të cilat i kemi, nuk guxojmë të dyshojmë në jetën pas vdekjes. Vetëm një gjë është e sigurt: Hyji e vendosi rendin e ri në atë botë që nuk është vazhdim i thjeshtë i jetës që jetojmë tani. Po të ishte jeta e ardhshme vazhdimësi e thjeshtë e kësaj jete atëherë nuk ka vlerë as që të përmendet, edhe më pak që të besojmë në të.

37 E se të vdekurit do të ringjallen vetë Moisiu e shënoi në fragmentin ‘mbi kaçubën’, në të cilin e quan Zotin ‘Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit.’  38 Hyji nuk është Hyj i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë për të jetojnë.”

Jezusi ju përgjigjet në bazë të librit të Daljes, të cilin ata e njohin mirë dhe e pranojnë. Po të ishin Abrahami, Izaku dhe Jakobi përfundimisht të vdekur, atëherë çdo gjë do të ishte dëshpëruese dhe e vërtet e vdekur. Saducenjtë do të kishin të drejtë. Mirëpo, patriarkët e hebrenjve nuk i besuan ndonjë hyji të vdekur por Hyjit të gjallë. Hyji në të cilin besuan është Hyji i gjallë. Ai të gjithëve u jep jetën, edhe të vdekurve, sepse ata jetojnë me të. Ta kesh këtë fe, do të thotë ta pranosh Hyjin dhe të besosh në të.

Hyji ynë është Hyji i jetës. Ai çdo gjë e fton në jetë. Ai e ka «menduar» jetën. Hyji, që aq shumë e do dhe e promovon jetën, nuk dëshiron të rrijë pranë kufomave në varre. Të falënderoj Hyji im, që ma dhurove jetën. Edhe pse shumë herë kam vështirësi dhe mundime, besoj që pranë teje do të jem në jetën e pakalueshme dhe të përjetshme.

39 Atëherë disa skribë u përzinë në bisedë e thanë: “Mësues, mirë the!” 40 S’patën më guxim të rragaten me të për asgjë.

Njohësit e Shkrimeve ja pranojnë Jezusit se e tha të vërtetën. Kjo gjë ishte e mjaftueshme për Saducenjtë, është e mjaftueshme dhe për ne. Besoj, o Zot! Ti e the mirë! Besoj! Ti je Mësuesi im i vetëm, që mi mëson realitetet të cilat, përveç teje nuk i di askush. Besoj se ti je Zotëria e jetës dhe i vdekjes.

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend