Shenjti i ditës: 18 Nëntor – Kushtimi i Bazilikës së shën Pjetrit e Palit
Written by Radio Maria on November 17, 2016
Shenjti i ditës: 18 Nëntor – Kushtimi i Bazilikës së shën Pjetrit e Palit
Viti 314 hap një kapitull të ri në historinë e Kishës. Kostandini, pasi ia ktheu paqen Kishës, deshi t’i siguronte triumfin e jashtëm mbi hyjnitë pagane duke shtuar ndërtesat e kultit të krishterë. Nga Kostandini e Justiniani lindën bazilikat e mëdha sipas tipit të bazilikës civile. Bazilika e Lateranit (shugurimi i së cilës kremtohet me 9 nëntor), dhe bazilika vatikane bëhen shenja e triumfit të krishtërimit. Shugurimi i Bazilikës së shën Pjetrit u bë nga papa Silvestri (314 – 335), dhe ai i bazilikës së Shën Palit nga papa Sirici (384 – 399). Kujtimi i shugurimit të tyre nuk dëshiron aq shumë të kremtojë kompletimin e ndërtesës materiale që zgjati në shekuj me ripunime të ndryshme, aq sa të ofrojë rastin për të reflektuar mbi figurën dhe veprën e dy apostujve të mëdhenj, Pjetrit e Palit, emrat e të cilëve dhe mbi të gjitha ungjillëzimi i tyre janë të lidhur me qytetin e Romës ku dhanë dëshminë më të lartë për Krishtin me derdhjen e gjakut të tyre.
Roma ndan me Jerusalemin dhe me Antiokinë privilegjin se ka mirëpritur Pjetrin gjatë predikimit. Në Romë Pjetri ka jetuar afërsisht për njëzet e pesë vite, para se të përballonte martirizimin. Predikimi i tij kishte si temë Jezusin, kujtimin e kohës së kaluar afër tij: «E kemi parë me sytë tanë shkëlqimin e tij», shkruan në letrën e tij të dytë, e «këtë zë, që zbriste nga Qielli, e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në Malin e shenjtë». Nën altarin e Rrëfimit të bazilikës vatikane ruhet varri i Pjetrit, të kryqëzuar gjatë persekutimit që shpërtheu nga perandori Neroni. Gërmimet e bëra nga Piu XII nën bazilikë kanë mundësuar që të identifikohej vendi i varrimit të princit të apostujve. Ndërsa për varrin e shën Palit, i cili ruhet në bazilikën e kushtuar atij, nuk ka asnjë dyshim. Përsa i përket predikimit të tij në Qytetin e përjetshëm, kemi dëshminë e tij direkte në Letrën Romakëve.