MEDITIMI I DITËS – VIZITA E ZOTËRISË
Written by Radio Maria on November 16, 2016
Lk 19, 41-44 VIZITA E ZOTËRISË
Kërkoj hirin: që të di ta dalloj çastin e vizitës së Zotërisë.
Në atë kohë, 41 kur Jezusi u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha: »O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!
Jezusi është në prag të qëllimit. Përpara qytetit i cili e pret. Kur u shfaq Jerusalemi e përfshiu ndjenja e jashtëzakonshme. Si çdo hebre, edhe Jezusi e donte ketë qytet. Ishte simboli i besnikërisë së hebrenjve ndaj Hyjit. Përballë Jezusit dhe shtegtarëve, shfaqej një shikim i mrekullueshëm i qytetit. Në mënyrë të veçantë dalloheshin muret që e rrethonin dhe mbronin, tempulli që është shenja e pranisë së veçantë të Hyjit. Hebrenjtë mburreshin në mënyrë të jashtëzakonshme me tempullin e tyre. Në mes të qytetit, me shtyllat e veta të mermerit, stolitë dhe çatinë e artë, vërtetë ishte i mrekullueshëm. Nga lartësia, nga e cila Jezusi e shikonte qytetin, shtegtarët fillonin zakonisht të këndonin psalmin e shtegtimit: «sa u gëzova kur më thanë: ejani të shkojmë në shtëpinë e Zotit… Jerusalem, Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri, thuaj se i tëri një copë e vetme je…»
Të gjitha këto në këtë ditë Jezusi i përjetonte fuqishëm, sepse për herë të fundit gjatë kësaj jete po e shihte Jerusalemin. Qau nga dhimbja. Aq shumë bëri për këtë qytet, për qytetarët e tij dhe për vendin e vet, kurse ata e refuzuan. Aq shumë deshi që njerëzit në qytet ta njihnin Lajmin e Gëzueshëm që erdhi për ta shpallur, që ta kuptojnë porosinë për mbretërinë e Hyjit, ndërsa ata e përbuzën. Jezusi e di se çfarë domethënie ka kjo për paqen dhe lumturinë e qytetit dhe të qytetarëve të tij. Vetëm edhe njëherë do t’ju ofroj, në këto ditë të fundit të jetës, paqen dhe porosinë e vet.
E shikoj Jezusin se si qan. Ndjenjat ishin të jashtëzakonshme që të kishte mundësi thjesht t’i shtypte. Këta janë lotët e Hyjit-njeri që qan mbi vëllain e vet njeriun. Erdhi për shkak të njeriut dhe i dha çdo gjë që kishte, ndërsa ai e refuzoi dhe nuk e pranoi. Dhimbja e Jezusit është e madhe. Nuk ka mundësi ta shtyp. Lotët e Jezusit tregonin sa shumë e donte Jerusalemin dhe sa dhimbje të madhe kishte për njerëzit, të cilët nuk e pranuan dhuratën e tij.
Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do ta lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e çmove kohën kur Hyji erdhi të ndihmojë.«
Këto fjalë të Jezusit janë tepër të dhimbshme. Edhe ato, sikurse lotët e tij, tregojnë seriozitetin në të cilin gjendet qyteti dhe banorët e tij. Jezusi e sjellë lumturinë, dëshiron që të lulëzoj paqja mes njerëzve, ata nuk e pranojnë këtë gjë. Përse ndodhi kështu, kjo është fshehtësia e madhe që fshihet në lirinë e njeriut. Hyji e nderon zgjedhjen e lirë të njeriut. Jezusi ëndërron lirinë e njeriut si edhe lirinë e Jerusalemit. Nuk do të shfaq pushtetin as forcën, përkundrazi më me kënaqësi do ta paraqes «paaftësinë» përballë zgjedhjes së lirë të qytetit të dashur. Më me endje qan se sa frikëson. Më me endje pëson dhimbjen se sa detyron në besnikëri.
Mosbesnikëria e Jerusalemit dhe e banorëve të tij është simboli i të gjitha mosbesnikërive të tjera. Të gjitha këto janë shenjë për breznitë të cilat pasojnë njëra tjetrën. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm për t’i dëgjuar thirrjet e Hyjit dhe për t’i vërejtur vizitat e tij. Jezusi me dhimbje dhe butësi thekson se si qyteti i tij nuk e njohi «kohën e vizitës së Hyjit». Këto janë thirrjet dhe kohërat e humbura të hirit. Kur e kuptoi këtë gjë, Shën Augustini bërtiti: «Kam frikë nga Hyji që kalon dhe nuk do të kthehet më!» Vizita e nderuar e Jezusit! Ai i bëri takimet me Jerusalemin. Kjo gjë është e veçantë në mbarë botën! Jerusalemi e refuzoji dhe e nënçmoji. Jo vetëm se e refuzoj, por u tregua shumë brutal ndaj tij. Në dashuri u përgjigj me urrejtje, në dhuratë u përgjigji me refuzim. Jerusalem, Jerusalem…
Për këtë qytet do të vijnë ditë të rënda. Jezusi parafoli shkatërrimin e tij. Nuk do të mbetet gurë mbi gurë. Qyteti do të qaj mbi fatin e vet. Kur Shën Luka e shkroi Ungjillin e vet, të gjitha këto kishin ndodhur. Në vitin 70 pas Krishtit, drejtuesi i ushtrisë romake, Titi, praktikisht e rrënoj deri në themel qytetin. Vula e shkatërrimit u vulos në qytet, të cilin Jezusi deshi ta kishte qendër të dashurisë së vet. A e rimori Jerusalemi ndonjëherë veten nga kjo rënie? Në këtë qytet askurrë më nuk u kthye paqja e vërtetë deri në ditën e sotme. Kur njëherë humbet rasti i vizitës së Zotërisë atëherë njeriu takohet me forcat shkatërruese të së keqes të cilave nuk ka mundësi tu përballoj me forcat e veta.
O Zot, ti edhe sot na viziton, dëshiron të takohesh me ne. Njerëzit gjithmonë janë dashuria jote. Vjen në mënyra të ndryshme, ndërsa ne nuk kujdesemi për ty. Shumë gjëra të tjera janë më të rëndësishme se sa takimi me ty. E pra, ti sjell tek ne atë gjë që askush nuk mund ta sjellë. Na jep atë gjë që bota nuk mund të na jap. Ti na dhuron paqen dhe lumturinë. Fatkeqësisht as unë nuk dallohem aspak prej qytetarëve të Jerusalemit mbi të cilin ke qarë. Më fal që të shkaktoj dhimbje. Më vjen keq për lotët që i derdhe mbi Jerusalemin. Më fal që nuk jam aspak më i mirë se ata, sepse as unë nuk sillem ndryshe. Më ndihmo që t’i dalloj çastet e vizitës sate.